Kryesore

Zbardhet urdhri i Bashës: Siguroni barazi për kandidatët

12:15 - 21.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Partia Demokratike mblodhi dje strukturat partiake e parlamentare për të diskutuar etapat e betejës opozitare, si dhe zgjedhjet e brendshme në parti. Të enjten e seancës plenare, kur në Kuvend do diskutohet projektbuxheti 2019-ës, kreu i PD-së në orën 10:00 ka thirrur një tryezë bashkëbisedimi me të njëjtën temë, me përfaqësues të biznesit, ekspertë, grupe interesi e gazetarë. Mësohet se: “Në vazhdën e shqetësimit mbi situatën ekonomike në vend dhe problemet shtesë që sjell projektbuxheti 2019 në ekonominë e vendit, PD nën kujdesin e kryetarit Basha organizon një bashkëbisedim me përfaqësues të biznesit, ekspertë, gazetarë e grupe interesi. Ditën e enjte, 22 nëntor, ora 10:00”. Pjesë e diskutimit në mbledhjen e djeshme të grupit të deputetëve demokratë ishte edhe protesta e banorëve tek Unaza e Re, bashkë me vendimin që ajo të mbështetet në çdo kohë nga opozita.




Mësohet se grupi i deputetëve demokratë diskutoi edhe për misionin e Komisionit të Venecias, që pas dy javësh të japë një qëndrim për vetingun në politikë. Në mbledhjen ku merrnin pjesë edhe aleatët e PD-së, kreu i grupit parlamentar, Edmond Spaho, informoi mbi takimin me delegacionin e Komisionit të Venecias për amendimin kushtetues të propozuar nga opozita, për vetingun në politikë. Zgjedhjet e brendshme në Partinë Demokratike ishin pika tjetër e diskutimit. Kryetari Basha kërkoi që procesi i zgjedhjes së kryetarëve të degëve të përfundojë brenda dy javëve. Ky proces i paraprin kuvendit kombëtar, që do mbahet në 15 dhjetor, e që do jetë zgjedhor për strukturat më të larta partiake. PD përgatitet që pas Kuvendit, të nisë punën për ngritjen e shtabeve elektorale për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Me këtë strategji, opozita kombinon aksionin e vet politik me përgatitjet për vendoret e ardhshme. “Ne duhet të diktojmë axhendën e vendit, siç kemi bërë deri tani”, mësohet të jetë shprehur z.Basha.

Urdhri
Partia Demokratike duke nisur që nga e enjtja e ardhshme do të nisë procesin e zgjedhjeve të brendshme. Bëhet fjalë për procesin e zgjedhjeve për kryetarët e degëve. Kryetari i PD, Lulzim Basha ka firmosur urdhrin për zhvillimin e zgjedhjeve që do të mbahen nga data 23 nëntor deri në 2 dhjetor. “Në mbështetje të nenit 34 dhe 36 të Statutit të Partisë Demokratike, me qëllim organizimin dhe mbajtjen e Kuvendeve të Degëve të Partisë Demokratike si dhe konstituimin e kryesive të degëve, urdhëroj: Organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të degëve të Partisë Demokratike, gjatë periudhës 23 nëntor deri në 2 dhjetor 2018”, thuhet në shkresën e firmosur nga kreu i PD, Lulzim Basha. Nëpërmjet këtij urdhri Basha i ka kërkuar grupit të punës që të organizojë zgjedhjet dhe t’i sigurojë kandidatëve akses të barabartë në listat e anëtarësisë, prezencën e përfaqësuesve të tyre në komisionin e votimit dhe prezencën e përfaqësuesve të kandidatëve në procesin e numërimit të votave dhe shpalljen e rezultatit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.