AKTUALITET

Mbi 200 të mitur denoncojnë rastet e përndjekjes nëpërmjet rrjeteve sociale

14:50 - 27.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Numri i fëmijëve dhe adoleshentëve që përndiqen nëpërmjet internetit po rritet dita-ditës. Brenda dy viteve të fundit janë evidentuar më shumë se 200 raste që kanë bërë denoncimin në platformën “ISIGURT.al”. Shifrat zbardhen nga Altin Hazizaj, drejtor i përgjithshëm i “CRCA Albania” (Children’s Human Rights Centre of Albania), i cili shton se forma më e shprehur e përndjekjes është nëpërmjet videove të shpërndara në “Youtube”. Në pjesën dërrmuese të denoncimeve janë vajzat, të cilat bien pre e përndjekjes ‘online’. Hazizaj bën me dije se duhen marrë një sërë masash, në mënyrë që fëmijët dhe adoleshentët të mos bien në grackën e pedofilëve dhe grabitqarëve seksualë. Të dhënat kudo në botë tregojnë se fëmijët kontaktohen në një masë tepër të lartë nga persona të rritur të panjohur në internet.




Prej sa kohësh është krijuar qendra e sigurt e internetit dhe cili është misioni i saj?
Puna e mirëfilltë për Qendrën Kombëtare për Internetin e Sigurt në Shqipëri ka nisur në vitin 2016 dhe vijon e forcohet edhe më tej, për shkak sepse në këto dy vjet kemi krijuar më së fundi një databazë dhe hartë të rasteve të internetit të pasigurt në Shqipëri dhe jemi duke punuar me autoritetet sesi t’i adresojmë shqetësimet e fëmijëve dhe të të rinjve, që kërkojnë që të jenë sa më të mbrojtur dhe më të sigurt gjatë navigimit në internet. Qëllimi i qendrës është që të promovojë ligje, politika dhe praktikat më të mira për ta bërë internetin, në një mjedis të sigurt për fëmijët dhe të rinjtë dhe ku asnjë fëmijë të mos kthehet në një viktimë të dhunës, abuzimit dhe pedofilisë ‘online’. Qendra ka si qëllim gjithashtu që të forcojë kapacitetet dhe të rrisë informimin e të gjithë përdoruesve të internetit në lidhje me të mirat, por edhe rreziqet me të cilat ndeshemi dhe si mundet që së bashku të ndërtojmë një klimë respekti dhe mbrojtjeje për këdo që ka qasje në botën virtuale.

Si funksionon kjo qendër?
Qendra funksionon si një platformë raportimi të çdo rasti kur fëmijët dhe të rinjtë ndeshen me internet të pasigurt, me përmbajtje të papërshtatshme, me pornografi të fëmijëve, kur profilet, fotot apo emrat e tyre përdoren dashakeqasi nga persona të njohur ose jo në internet etj. Platforma “www.ISIGURT.al” bën të mundur për këdo, nëpërmjet aplikacionit në celular apo faqes së internetit, që të denoncojnë raste të tilla dhe më pas stafi ynë i specializuar vendos sesi do të ndiqen këto raste. Në shumicën e rasteve në kontaktojmë direkt me kompanitë globale si “Facebook”, “Twitter”, “Youtube” etj., apo kur ato janë në Shqipëri lidhemi me to direkt. Nëse materiali i publikuar ‘online’ përbën edhe një material të paligjshëm, atëherë ne ia kalojmë atë për ndjekje Policisë së Shtetit, me të cilën kemi një bashkëpunim të shkëlqyer për këto raste.

Sa është numri i rasteve që denoncojnë te ju deri më tani?
Që nga 2016, me hapjen e platformës “www. ISIGURT. al” janë raportuar më shumë se 200 raste të fëmijëve dhe adoleshentëve. Nga këto 65 raste të verifikuara i përkasin vitit 2016, 17 raste vitit 2017 dhe 53 raste deri në nëntor për vitin 2018. Numri i adoleshentëve që raportojnë këtë ngjarje është rritur dhe ndërkohë muajt e fundit janë shtuar edhe të rriturit që na raportojnë po të njëjtin shqetësim. Si duket qënia në një botë virtuale iu krijon bindjen disa njerëzve që mund të ndahet çdo lloj mesazhi apo imazhi ‘online’, ndërkohë që ligji shqiptar nuk është i qartë në këtë drejtim, pra a dënohen apo jo. Për këtë fakt ne duam që Kodi Penal të amendohet që të përfshijë sjelljet e dënueshme si ‘online’, ashtu edhe në jetën e përditshme. Shqipëria ka nevojë që të kriminalizojë disa sjellje ‘online’, sepse ato dëmtojnë fëmijët e të rinjtë dhe shpesh kthehen në rrezik serioz për jetën dhe mirëqenien e tyre. Marrim rastin e sexsting – dërgimit të mesazheve/imazheve me natyrë seksuale.

Cilat janë grupmoshat më të prekura?
Grupmosha më e prekur është ajo e adoleshencës. Kemi një numër gjithnjë e më në rritje të rasteve të adoleshentëve që ose vetekspozohen ose ekspozohen nga miqtë e të njohurit e tyre në një kontekst seksual, keqdashës, apo në një kontekst ku dhuna e ushtruar ndaj tyre kthehet në një histori virale në “Youtube” dhe shpërndahet kudo në rrjetet sociale. Gjatë vitit të fundit kemi marrë raportime në rritje për profile dhe foto të vjedhura në “Instagram” apo profile false që pretendojnë të jenë një fëmijë tjetër. Bulizmi ‘online’ mbetet një ndër problemet më të mëdha. Në një rast na është dashur 17 herë të raportojmë të njëjtin profil, sepse sa herë që bllokohej video, aq herë e hidhte ‘online’ të njëjtën video. Urrejtja e disa njerëzve ndaj fëmijëve apo adoleshentëve ndonjëherë është kaq e madhe dhe e pakufishme, gjë që në fakt kërkon trajtim dhe zgjidhje specifike, jo thjesht me bllokime ‘online’, por sidomos nëpërmjet dënimeve ligjore në gjykata.

Cilat janë format e përndjekjes më së shumti?
Forma më e shprehur e përndjekjes është nëpërmjet videove të shpërndara në “Youtube” dhe përgjithësisht janë vajzat që bien më së shumti viktimë. Ndërkohë që vetëm gjatë muajit nëntor kemi pasur 5 raste thuajse të njëjta me këtë, por në qytete të ndryshme të Shqipërisë, që tregon se modele të tilla të bulizmit ose përndjekjes ‘online’ të fëmijëve dhe adoleshentëve bëhen tërheqëse për të tjerët dhe ata fillojnë si copycats të kopjojnë modelet më të këqija dhe t’i kthejnë ato në modele të përgjithshme. Këtu ne mendojmë se lind edhe rreziku më i madh, nëse nuk arrijmë që ligjërisht dhe institucionalisht t’i ndjekim deri në fund raste të tilla, pasi ato mund të kthehen edhe në modele biznesi për dikë që mund të dojë të përfitojë financiarisht apo seksualisht nga dobësia njerëzore. Sot nuk ka nevojë të kesh një pistoletë në dorë për të detyruar dikë të bëjë seks me ty! Mjafton një foto e papërshtatshme dhe ajo mund të kthehet në një shkak për dhunë dhe shfrytëzim seksual apo edhe financiar. Kush nuk ka mundësi, vendoset përpara dilemës të vrasë veten apo të përballet me dhunë e buliz të dyfishtë nga familja e shoqëria. Kjo është arsyeja që ne i ftojmë fëmijët dhe adoleshentët që e para të denoncojnë çdo rast të tillë dhe e dyta, të informojmë çdo prind, mësues, fëmijë, adoleshent, institucion etj., që navigimi ‘online’ nuk duhet të jetë një lundrim ku çdo moment mund të shpërthejë një minë. Interneti duhet të jetë i sigurt për këdo!

Nga cilat qytete vijnë më së shumti denoncimet?
Qytetet e mëdha mbajnë peshën kryesore sigurisht, si Tirana, Durrësi, Vlora, Elbasani etj., por për habinë tonë, Peshkopia gjatë vitit 2018 na rezulton thuajse po aq problematike sa kryeqyteti. Kjo për ne ngre kambanat e alarmit, pasi numri i rasteve për numër popullsie është tepër i lartë, gjë që mund të tregojë se mbase në këtë qytet ka një rrjet të organizuar të keqbërësve ndaj fëmijëve, të cilët mundohen të krijojnë sa më shumë përfitime për veten të bazuara tek abuzimi i fëmijëve dhe adoleshentëve nëpërmjet internetit.

Si ndikon në psikolo-gjinë e adoleshentëve ky lloj abuzimi virtual?
Ndikon po njësoj sa dhuna dhe abuzimi në jetën reale. Në dy raste të fëmijëve që kemi ndjekur, ka pasur tentative për vetëvrasje nga ana e tyre dhe na është dashur që jo vetëm të flasim me ta, por edhe me familjarët, për ta ndjekur rastin me shumë kujdes dhe për të marrë mbi të gjitha ndihmën e duhur psikologjike dhe mbështetje emocionale maksimale në familje. Përtej kësaj, ka një fakt që ende nuk diskutohet në Shqipëri, që është e drejta për t’u harruar! Nëse ne nuk e gjejmë dot se ku ndodhet personi që hedh një video abuzuese ‘online’ etj. dhe nëse ne nuk e ndëshkojmë këtë person, përfshi edhe sekuestrimin e të gjitha materialeve abuzuese/ kërcënuese, do të thotë që ky person në çdo moment mund ta hedhë videon ‘online’ në rrjete sociale etj., etj. Edhe kjo si çështje kërkon një trajtim ligjor të kujdesshëm, sepse një fëmijë apo adoleshent nuk duhet të ndjehet i/e kërcënuar gjithë jetën e vet vetëm sepse ndau psh., një foto intime dhe dikush keqpërdoroi këtë besim. E drejta për t’u harruar në botën virtuale do të thotë që gjykatat duhet të vendosin që materiale të tilla të shkatërrohen edhe virtualisht, siç bëhej një herë e një kohë me negativët e filmave apo materiale të tjera të printuara.

Cilat janë masat që mund të merren për parandalimin e fenomenit?
Vetë fëmijët dhe adoleshentët duhet të jenë më të informuar në lidhje me atë sesi mund të mbrohen në botën virtuale ‘online’. Adoleshentët do të vijojnë ta eksplorojnë seksualitetin e tyre ‘online’ dhe ‘offline’, por kjo nuk duhet t’ju sjellë atyre dëme. Në këtë aspekt ne duhet të krijojmë një kozmos të ri për botën dhe jetën tonë virtuale, ku fëmijët mbi të gjitha të mos gjendjen të atakuar, siç janë sot, nga pedofilët dhe grabitqarët seksualë. Të dhënat kudo në botë tregojnë se fëmijët kontaktohen në një masë tepër të lartë nga persona të rritur të panjohur në internet. Kjo do të thotë që vetë prindërit duhet të rrisin kujdesin ndaj fëmijëve, duke kufizuar orët që fëmija shpenzon në internet dhe vendin ku ai e akseson internetin.

Po ashtu, prindi duhet të jetë në dijeni se ku ndodhet fëmija dhe me kë, nëse nuk është me prindin. Mësuesit kanë nevojë të kuptojnë një luajnë një rol të pazëvendësueshëm në jetën e fëmijëve, ndaj duhet të jenë të përgatitur që t’i asistojnë fëmijët me çdo informacion. Për këtë qëllim, ne kemi krijuar edhe udhëzues të posaçëm në platformën “www. ISIGURT. al”, që vetë fëmijët, prindërit, mësuesit, sistemi i mbrojtjes së fëmijëve, të gjejnë udhëzues të thjeshtë dhe praktikë sesi t’i mbrojnë fëmijët në internet. Ndërkohë që thirrja jonë kryesore për fëmijët dhe prindërit është gjithnjë: DENONCO! Platforma është ‘online’, por njëkohësisht kushdo mund të marr në telefon falas edhe pranë ‘ALO 116-111’ për të denoncuar raste të tilla ose pranë policisë së shtetit. Së fundmi, Kuvendi, ligjvënësit dhe institucionet duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre. Policia e Shtetit ka nevojë seriozë që të riorganizohet dhe të ketë një drejtori të veçantë me prezencë në të 12 qarqet për krimet kobernetike, pasi jeta virtuale dhe krimi në të janë kthyer në një realitet që nuk mund ta neglizhojmë më. Nga ana tjetër, ne po punojmë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që së bashku të ngremë një mekanizëm konsultativ kombëtar, ku të sjellim së bashku institucionet, shoqërinë civile dhe industrinë e internetit, për të gjetur zgjidhjet më të mira ligjore dhe praktike, për ta bërë internetin të sigurt për këdo!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.