Kryesore

“Tirana-Mahnia”/ Si ka qenë Tirana dhe si është transformuar

09:57 - 27.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ja një portë përballë “Shkollës së Kuqe”. Është druri, ka çekiçin në formë dore, që shërben si zile, tre rreshta tjegulle kafeje mbi, ka avlli të bardhë në dy anët e saj.




Ishte identik me portën e shtëpisë sime, nga e cila kemi ruajtur si relike vetëm çekiçin. Zhvillimi urban, evropianizimi, plani francez i qendrës, lëvizja e lirë, poliqendrat, projekti danez apo austriak… janë konceptet që po vrasin kujtimet e mia. Sa pak që ka mbetur nga qyteti im”. Kur Rezi Delisula shkruante këto radhë më shumë se një vit më parë, ende nuk e kish nisur punën për librin e saj më të ri “Tirana-Mahnia”. Atëherë, vetëm sa pyeste, se si ndodhi që e humbi qytetin para syve, teksa vraponte në rutinën e përditshme. Ishte ndalur sa herë për t’u marrë me historinë që fshihej.

“Nga pikëpamja arkitektonike dyqanet e pazarit të vjetër pjesën ballore e kishin më të dukshme, ndërsa pas kishin vendin për fjetje, ku bënin roje beqarët. Kjo pohohet edhe nga prof. Emin Riza në studimin “Qyteti dhe banesa shqiptare e mesjetës së vonë”. Dyqanet mbylleshin me dy dërrasa të mëdha si kapakë, që më pas u zëvendësuan nga “tarabat”, që më vonë krijuan “tartabenat”, mindere të lartë gjysmë metri që nxirreshin në rrugë deri në një metër e gjysmë jashtë dyqanit. Ky sistem i tartabenave bllokoi kalimin në rrugë, por rriti komunikimin mes dyqanxhinjve e sipas të vjetërve, tregtarët edhe urimet e ngushëllimet i prisnin në dyqan”. Copëza Tirane të harruar, siç ishte e vjetër, me rrugët pa asfalt, me dyqane e nahije, me Pazar e shtëpi qerpiçi, vijnë përkrah kafeneve, pijetoreve dhe haneve që kahmoti gjendeshin kudo në rrugëkalimet e Tiranës.

Gazetarja Rezarta Delisula, kësaj radhe si studiuese e veshur modestisht me “titullin tironse e vjetër”, na fton të shohim kryeqytetin me sytë e saj për të shfletuar “Tirana-Mahnia” që rreket të shpjegojë pyetje si të mëposhtmet: Si ka qenë Tirana në vite? Si është transformuar sot? Si kanë qenë sheshet (me foto) që janë shndërruar disa herë në këto dekada? Cilët janë personazhet që i kanë dhënë shumë Tiranës? Si mund ta prezantojmë kryeqytetin jo vetëm për brezat e rinj (qofshin vendas apo komunitet që i është bashkuar së fundi ritmit të jetës kryeqytetase), por edhe për të huajt, sepse libri vjen në shqip e në anglisht. E në fund si mund të gjejmë një arsye të mirë për t’u takuar dhe për të pirë një gotë vere bashkë Tirana-mahnia: një guidë historike, arkitektonike, zakonore e turistike për qytetin. Botimi i Delisulës, ka 5 pjesë. Nis nga vështrimi historik, Tirana si ishte e si është me fotografi, shkrime mbi kryeqytetin dhe personazhe, kryetarët e bashkive dhe çfarë të shihni në Tiranë. Botimi është shqip-anglisht më shumë për fëmijët e emigrantëve. Jo për tiranasit autoktonë, por për çdo njeri që lind e rritet këtu.

Pak por e sigurtë është që ky libër ka ç’mëson, edhe nëse jeni vetë tiranas i vjetër nga ata që njohin çdo rrugicë, edhe nëse je nga ata që i është bashkuar dekadat e fundit Tiranës, por, edhe nëse je nga ata që di fare pak nga historia jonë, dhe të duhet një përmbledhje në anglisht për të marrë shpejt e shpejt shijen e një qyteti që ka histori të bukur, njerëz të bukur dhe kryesorja njerëz qe e duan shumë siç është Rezarta Delisula. Një dashuri që ajo e ka trashëguar nga familja brez pas brezi dhe po kontribuon që kjo trashëgimi të mos mbetet vetëm te bisedat brenda shtëpive (që nuk janë më me qerpiç), por e kanë historinë të shkruar te “Tirana Mahnia” e nuk kanë më nevojë për tullat e baltës të thara në diell që të kenë ç’të të tregojnë.

Gjatë karrierës si gazetare, Delisula është marrë gjatë me kujtesën e qytetit, duke shkruar për mejhanet që menaxhoheshin nga esnafët vllahë ditët e pazarit, të enjteve e të dielave, që mbusheshin plot; për ditët kur kamerierët ua çonin kafetë pronarëve nëpër dyqane. Referuar Osman Myderizit, në shekullin XVIII Tirana numëronte rreth 500 familje dhe 150-200 dyqane ndërsa në fillim të shekullit kishte pasur 1000 shtëpi dhe 727 dyqane.

Delisula kërkonte ende “shpitë, gjysmë tullë e gjysmë qerpiç, me mure të trashë e shtruar me dërrasa si në tavan e në dysheme, me ato dritare të mëdha e plot dritë. Me ato avllitë e lyera me të bardhë dhe sipër tyre xhama të thyer për të siguruar mbrojtjen nga keqdashësit. Ndonjë me pus, e një tjetër me magjen në fund të oborrit, me kalldrëme që shkëlqenin si pasqyrë… Lagje të tëra, fundosur në themelet e gjigantëve shumëkatësh. Nuk ka më asnjë vend ku unë të tregoj Tironën time, asnjë vend”. Ajo kujton se në vend që të thuash takohemi te Kursali, themi; shihemi te autobusët e Kamzës. Nuk thuhet më; te shpia e Cenit të Lakut (mjekut ortoped të 500 mijë pacientëve), por te paidhaqet e Dajkos… Për ditë, ngulet ndonjë lopatë e re, duke zhdukur si me mllef çdo gjë që ka mbetur nga e shkuara.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.