Intervista

Anxhela Peza: Nuk ka formula të gatshme për ata që i kanë dhënë fund një raporti

15:30 - 29.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Të jesh psikologe do të thotë të luftosh çdo ditë për problematikat sociale të njerëzve, si dhe të gjesh mënyrën më të shpejtë që t’i qetësosh ata. Herë-herë psikologu arrin të gjejë çelësin magjik për të dekodifikuar gjendje emocionale të ndryshme dhe për të risjellë paqen e çdokujt që i drejtohet. Për “Gazeta Shqiptare”, Anxhela Peza rrëfeu problematikat e të rinjve, zgjidhjet e shpeshta që ajo ofron, rastet më të vështira që ka ndjekur, si dhe këshillat që jep për një raport që sapo ka përfunduar. Psikologia punon dhe e do fort atë që bën. Çdokush që tenton të ndihmojë sadopak të tjerët e ka shpirtin plot nga falënderimet për veprën e jashtëzakonshme. Anxhela ka vite që u ka dhënë zgjidhje shumë problemeve të atyre që i janë drejtuar. Peza hedh dritë mbi disa aspekte të jetëve njerëzore, që ndonjëherë vetëm këshillimi me specialistët i jep rrugëzgjidhje.




Problematikat që përballen të rinjtë sot?
Të rinjtë në vendin tonë përballen shumë me një problem madhor, i cili është papunësia. Të mos punësuarit një profesion është faktori i dytë fill pas të parës. Më pas do të rreshtoja problemet sociale në familje dhe shoqëri, përdorimi i lëndëve narkotike, varësia me bixhozin etj. Ndërsa në problemet e natyrës psiko-emocionale janë depresioni, çrregullimet me ankthin, problemet e personalitetit.

Çfarë roli luani ju në zgjidhjen e tyre?
Në profesionin tim jemi të përgatitur dhe të prirur për të lehtësuar gjendjen aktuale, reduktimin e problemit apo simptomave drejt një zgjidhjeje të duhur për të riun. Edhe zgjidhja kërkon kohën e saj, se nuk mund të vijë në një hark kohor të shkurtër.

Rasti që do të cilësonit më të vështirin?
Kam disa të cilat nuk mund t’i ndaj, përdhunimi i një vajze nga babai për 14 vite me radhë, dy vajza të vogla 8 dhe 9 vjeçe, që kërkonin ndihmë në mënyrë të dëshpëruar se i ati i gjëmonte për t’i vrarë. Përdhunimi i një 9-vjeçare nga mësuesi brenda ambienteve të shkollës. Raste të cilave është vështirë t’u ndryshosh realitetin kur drejtësia nuk vihet në vend për to. Sepse nëse shumë çështje nuk zgjidhen nga ana ligjore, kurrsesi nuk mund të ndihmosh në paqen shpirtërore të njeriut.

Sa besim krijojnë njerëzit për t’i ndarë përjetimet me një psikolog?
Është e ditur që vendi ynë e ka pak vështirë për t’i ndarë ndjesitë dhe shqetësimet e brendshme me një psikolog. Psikologjia ka hyrë në studim tek ne përpara 20 vitesh dhe vitet e fundit po lobohet për këtë lloj ndihme, që individi mund t’i drejtohet. Unë mendoj se besimi po rritet dita-ditës, përderisa njerëzit drejtohen tek psikologu dhe punë ka.

Cila është terapia më e mirë për një jetë të lumtur?
Jam angazhuar në profesion duke qenë vullnetare që në moshën 19-vjeçare dhe deri tanimë shikoj përditë se dashuria mund të shërojë gjithçka dhe të sjellë gëzim lumturi te njerëzit. Duke vënë në dukje edhe rastet e vështira.

Çfarë do të thotë ta marrësh jetën si të vjen?
Më pëlqen shumë një shprehje e popullit tek thotë “Çfarë i ra njeriut dhe nuk e hoqi”. Sa më shumë të pranosh atë që të ndodh, aq më shpejt reagon për të bërë përpara e për të gjetur zgjidhje. Natyrisht që trauma dhe problemet e mëdha mbeten të qepura në lëkurën e njeriut ndoshta edhe për gjithë jetën, por ajo që është e vlefshme të jetosh jetën me të gjitha ngjyrat e saj. Të thuash që “po, jetova në furtuna dhe ditët me diell”. Lumturi pafund për gjithë jetën nuk ka për askënd.

Kur përfundon një raport? Këshilla më e mirë për ta kaluar dhimbjen?
Çdo rast është specifik, ka veçantinë e tij në mënyrën e përshkrimit, trajtimit dhe llojit të terapisë që ndjek më të. Nuk ka formula të gatshme.

Cila është mënyra përmes së cilës një mashkull mund të lexojë drejt një femër?
Të mos lodhet shumë për ta lexuar e as kuptuar, por të lodhet për ta dashuruar. Të shikojë bukur mënyrën e saj.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.