DOSSIER

Fadil Spahiu/ Mjeku i diplomuar në Moskë, që vuajti burgjeve të regjimit komunist

10:30 - 03.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi – Fadil Spahiu është një nga ata dhjetëra shqiptarë që gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës patën rastin të studionin në universitetet e vendeve të Europës Lindore, ku falë aftësive të tij u diplomua me rezultate të shkëlqyera dhe për të shkruanin gazetat më të mëdha të Bashkimit Sovjetik të asaj kohe. Pas diplomimit, ai u kthye në Shqipëri dhe vazhdoi punën plot pasion, duke ëndërruar që të bëhej një mjek i aftë dhe t’u shërbente bashkatdhetarëve të tij me të gjitha mundësitë që kishte. Dhe ai fillimisht ia arriti kësaj, duke u bërë një nga mjekët më të njohur në Shqipëri, por ëndrra e tij papritur u këput në mes dhe “një ditë të bukur”, ai e pa veten në pranga, në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, i akuzuar si “agjent i sovjetikëve” etj., akuza të montuara nga Sigurimi i Shtetit. Lidhur me këtë dhe në përgjithësi jetën e Fadil Spahiut, po ju njohim në këtë shkrim nga të dhënat që kemi mundur të mbledhim nga të afërmit e tij, pasi vetë Fadili, tashmë në moshën 92-vjeçare, nuk ka dashur dhe nuk ka pranuar kurrë që të flitet për të, edhe pse ka qenë një nga mjekët më njohur të Shqipërisë.




Kush është Fadil Spahiu?
Fadil Spahiu ka lindur në Kolesjan të qarkut të Kukësit në vitin 1926, në një familje patriotike lumjane. I ati, Rifati, ishte burrë me emër në të gjithë krahinën e Lumës e më tej, një vazhdues i denjë i traditave atdhetare dhe arsimdashëse të fisit të vet. Kishte mbaruar shkollën Normale të Elbasanit dhe për vite me radhë ai punoi si arsimtar në qytete e fshatra të Shqipërisë. Rifati ka qenë kryetar i Këshillit të Qarkut të Kukësit menjëherë pas luftës (nëntor 1944), kur përfshihej nën juridiksion e tij edhe Prizreni.

Gjimnazist në Shkodër, shok me Emin Durakun në konviktin “Malet Tona”
Shkollën fillore Fadili e kreu në vendlindjen e tij dhe në vitin 1937 filloi studimet në gjimnazin e Shkodrës. Këtu ai shumë shpejt aktivizohet me grupet rinore të qytetit dhe merr pjesë në demonstratën e parë kundër pushtimit fashist më 28 nëntor 1939 dhe njihet me një nga organizatorët e saj, Emin Duraku. Aty bie në sy të autoriteteve për guximin dhe vendosmërinë e tij për të zhvilluar aktivitete antifashiste. Forcat qeveritare arrijnë t’i shpërndajnë demonstruesit dhe Fadil Spahiun së bashku me disa shokë të tjerë, midis të cilëve dhe nxënës të konviktit “Malet Tona” i arrestojnë. Ende kur ishte në vit të dytë, rreth 14-15 vjeç, e përjashtojnë nga shkolla dhe e përplasin në birucat e burgut të Shkodrës. Prej këtej, me rreth 16 të arrestuar të tjerë e nisin për në burgun e Tiranës dhe pas pak ditësh e çojnë në burgun e Burrelit. Babai i Fadilit, që në atë vit ishte mësues në fshatin Kastriot të Peshkopisë, kërkon që t’ia sjellin të birin në konviktin e shkollës së fshatit. Fadilin e sjellin pranë të atit me detyrimin për t’u paraqitur çdo ditë në policinë e fshatit.

Përjashtohet nga të gjitha gjimnazet si antifashit dhe del partizan
Në pranverë të vitit 1940 në gjimnazin e Shkodrës fillon një revoltë brenda shkollës, ku nxënësit kërkojnë kthimin e 16 shokëve të tyre, që ishin arrestuar në demonstratë. Kishin kaluar rreth 3-4 muaj dhe Fadilin e kthejnë në bankat e shkollës. Këtu përfundon vitin e dytë. Për të shmangur kontaktet e tij me elementë revolucionarë të qytetit, atë e nisin për në Gjirokastër që të vazhdojë vitin e tretë. Këtu ai shumë shpejt bëhet anëtar i organizatës antifashiste të rinisë gjirokastrite dhe vihet në krye të protestave antifashiste, që u bënë në Gjirokastër më 28 nëntor 1941. Për këtë arsye, në fund të vitit 1941 Fadilin e përjashtojnë nga të gjitha shkollat e Shqipërisë pa e mbaruar vitin e tretë të gjimnazit. Kështu detyrohet të largohet nga Gjirokastra për të shmangur një arrestim të dytë dhe niset për në vendlindje. Me ndërhyrjen e prindërve shkon në Prishtinë tek disa miq të babait që të vazhdojë gjimnazin, por edhe këtu ai fillon sërish aktivitetin revolucionar, duke shtypur dhe shpërndarë trakte të organizatës së Partisë Komuniste të Prishtinës. Kur ky aktivitet bie në sy të organeve shtetërore, ai detyrohet të kthehet në vendlindje, ku sapo është krijuar çeta e Lumës dhe aty regjistrohet si partizan i saj. Më pas, Fadili kaloi si efektiv i batalionit të Lumës dhe luftoi në këtë formacion partizan deri në çlirimin e kryeqytetit, Tiranës më 17 nëntor 1944. Menjëherë mbas çlirimit të Tiranës, ai punoi si anëtar i Komitetit Qarkorë të Rinisë Antifashiste të Kukësit. Në verën e vitit 1945 vjen në Tiranë për të ndjekur kursin veror që organizohet në shkollën “Nëna Mbretëreshë” me nxënës që i kishin humbur vitet e gjimnazit. Këtu mbaron vitin e tretë, ndërsa vitin e katërt e përfundon në Gjirokastër, duke marrë diplomën në maj të vitit 1946. Mbas pjesëmarrjes si vullnetar për ndërtimin e hekurudhës Brçko-Banoviç në Bosnje, në shtator të vitit 1946, ai filloi studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në Sarajevo, në degën e Mjekësisë së Përgjithshme.

Student i Mjekësisë në Jugosllavi dhe në Bashkimin Sovjetik
Në vitin 1948, pasi u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë e Titos, ende pa mbaruar akoma vitin e dytë, Fadilin së bashku me studentët e tjerë shqiptarë që ishin në Jugosllavi, i kthejnë në Shqipëri. Fillimisht i grumbullojnë në plazhin e Durrësit, ku presin të nisen sërish me studime, por këtë herë duke i dërguar në Bashkimin Sovjetik, në qytetin Gorki. Ish- kolegë dhe shokë të tij tregojnë se Fadili ishte student që binte në sy për karakterin e tij, ai ishte tepër i zellshëm dhe aktiv në mësime. Duke parë aftësitë dhe këmbënguljen e tij për të mësuar gjithçka, mjekët pedagogë e aktivizojnë në operacione në Institutin e Kirurgjisë Restauratore që merrej kryesisht me invalidët e luftës dhe traumat e tyre. Fadili si student ishte më i miri. Pedagogët, që ishin shefa klinike, vazhdimisht e marrin secili në klinikën e vet duke i besuar operacione specialiteti, si ortoped, operacione në veshka, stomak dhe mushkëri, etj.

Në vitin 1953, ndërsa frekuentonte rregullisht studimet, profesori i tij, Bllohin, që ishte drejtor i përgjithshëm i institutit, i besoi dhe i propozoi temën shkencore mbi zëvendësimin e kyçeve me proteza metalo-plastike dhe këtë punë ai e ka kryer vullnetarisht, jashtë orareve të mësimeve. Në vitin 1954, kur u diplomua si mjek, kishte arritur të kryente 8 eksperimente në qen duke zëvendësuar kyçin e gjurit të këmbës së pasme me protezë metaloplastike të konstruktuar prej tij dhe të aprovuar nga këshilli shkencor i institutit. Ky institut aprovoi mundësinë e projektimit dhe aplikimit të kësaj proteze te njeriu. Udhëheqësi shkencor, prof. N. N. Bllohin, i dha me shkrim mendimin se realizimi i kësaj proteze te njeriu do të shërbente si një punim i mirëfilltë shkencor për marrjen e gradës “Kandidat i shkencave të mjekësisë”. Në përfundim të studimeve me rezultate shumë të mira në universitetin ‘Gorki’-j, Fadili diplomohet si mjek kirurg dhe në vitin 1953 kthehet në Shqipëri. Në fillim ai punon si mjek i përgjithshëm në pavionin e tretë të spitalit civil Tiranë, ku bie në sy puna e tij si kirurg. Ai kryente operacione të vështira dhe kjo bëri që emri i tij të bëhet i njohur shumë shpejt jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Pas pak kohësh, ai transferohet në spitalin e Durrësit, ku kryen edhe këtu operacionet duke qenë mjek i përgjithshëm.

Profesorët rusë e vlerësojnë si “Kandidat i Shkencave Mjekësore”
Rekomandim i profesorëve rusë influencoi pozitivisht tek udhëheqja e PPSH-së së asaj kohe në Shqipëri dhe kështu Fadilit i jepet e drejta e kryerjes së studimeve të aspiranturës. Për këtë qëllim dërgohet në Moskë në Institutin Shkencor të Luftës kundër Kancerit pranë Akademisë së Shkencave Mjekësore të Moskës, ku punonte udhëheqësi i tij shkencor N.N.Bllohin. Në vitin 1956 ai realizon me sukses për herë të parë në botë, zëvendësimin e kyçit të bërrylit me protezë të brendshme metalo-plastike tek njeriu, që ishte një ngjarje e rrallë për mjekësinë evropiane të kohës. Trupa pedagogjike e pranon dhe e vlerëson me nota maksimale këtë rezultat të ri të kirurgut shqiptar. Kështu, ai fitoi gradën e kandidatit të shkencave mjekësore. Përveç operacioneve ortopedike në këtë institucion, ai operon edhe të sëmurët me kancer. Në përfundim të studimeve 3-vjeçare në Moskë, në vitin 1957 ai kthehet në Shqipëri me titullin “Kandidat i Shkencave Mjekësore”, titull të cilin në atë kohë nuk e kishte asnjë mjek tjetër shqiptar.

Mjek kirurg në Spitalin e Tiranës
Në vitin 1957, Fadili fillon punën si mjek kirurg në spitalin e Tiranës, me një besim dhe përvojë disavjeçare. Ai punoi me një dëshirë të veçantë për të krijuar repartin e ortopedisë dhe falë aftësive të tij e krijoi menjëherë atë dhe emërohet shefi i parë i kësaj klinike. Krahas punës në klinikë, ai shërbeu edhe si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, ku ka dha lëndët e Ortopedisë dhe Onkologjisë. Pas dy vjetësh u krijua edhe Klinika e Onkologjisë dhe të dyja këto klinika ai i ka drejtoi deri në vitin 1965. Këto vite ishin vitet e suksesit më të madh në punën e tij dhe krahas kësaj, ai punoi edhe si kryeredaktor i Buletinit të Mjekësisë, që botonte Fakulteti i Mjekësisë dhe anëtar i këshillit shkencor të universitetit. Në klinikën e Ortopedisë dhe të Onkologjisë që drejtonte Fadili filloi zbatimi i operacioneve në të gjitha nivelet, por kjo gjë nuk vazhdoi gjatë. Për të filluan të thurnin intriga e shpifje, të bënin raportime në organizatën e partisë. Ai po etiketohej si “armik i partisë” dhe të ndiqej nga Sigurimi i Shtetit. Pas kësaj thirret me urgjencë mbledhja e organizatës bazë të partisë të Spitalit nr. 2 dhe në vitin 1964, mbledhja e përgjithshme vendos përjashtimin e tij nga partia duke u akuzuar si “i infektuar nga ideologjia e armikut”. E gjitha kjo ndodhi pasi u përgatit terreni me presione, shtrëngime dhe kërcënime nga dora e Sigurimit të Shtetit. Kur e përjashtuan nga partia, ai largohet nga Tirana dhe çohet mjek në spitalin e Elbasanit. Por as këtu nuk punoi më shumë se dy javë, pasi i hodhën prangat në duar dhe e burgosën. Kur del nga burgu pas dy vjetësh, e dërgojnë si mjek në spitalin e Gramshit. Edhe pas daljes nga burgu, Fadili punoi me përkushtim në spitalin e vogël të qytetit të Gramshit për ta rimëkëmbur atë. Me punën e tij të drejtpërdrejtë, ai e transformojë spitalin e Gramshit, duke e bërë atë një ndër spitalet më të mira rajonale të kohës. Në sajë të përkushtimit dhe meritave profesionale, emri i tij përmendej kudo si një nga mjekët më të mirë të vendit. Nisur nga kjo, aty vinin për operacione nga e gjithë Shqipëria, me lloj-lloj diagnozash dhe ai i kuronte me shumë kujdes. Në rrethin Gramshit Fadili punoi për rreth 10 vjet deri në vitin 1976. Edhe pse rezultatet e punës si kirurg ai i kishte të jashtëzakonshme, papritur një ditë bëhet një mbledhje e komitetit ekzekutiv të qytetit të Gramshit, ku objekti kryesor është doktor Fadili. Atë e cilësojnë si “armik të pakorrigjueshëm, që sillet keq me njerëzit, të aftë për të kompromentuar kuadro të larta të partisë dhe pushtetit në rrethe”. Pas kësaj e heqin nga Gramshi dhe e dërgojnë në fshatin Progonat të Kurveleshit, gjoja në ndihmë të sëmurëve dhe familjarisht i fusin në një stallë lopësh për të banuar. Kjo gjendje nuk vazhdoi gjatë, sepse pas dy javësh atë e arrestojnë. Ndërsa gruan bashkë me djemtë i çojnë në Memaliaj.

Akuzohet si agjent i rusëve dhe dënohet 18 vjet burg
Në hetuesinë e Gramshit, Fadilit i kërkojnë që të pranojë se “është armik i partisë dhe agjent i rusëve, se është armik i popullit, se nuk është dakord me vijën e partisë” e të tjera akuza. Procesi hetimor ndaj tij ishte i egër dhe zgjati katër muaj. Pastaj Fadilin e nxjerrin në gjyq dhe e dënojnë me 18 vjet heqje lirie, me lloj-lloj akuzash të montuara. Në fillim atë e çojnë në burgun në Bulqizës dhe më pas e transferojnë në burgun e Spaçit, ku Fadili ushtroi detyrën e mjekut duke iu gjendur në çdo moment bashkëvuajtësve të tij. (Në këtë kohë bashkëshortja e tij e kishte divorcuar). Në vjeshtën e vitit, 1986 kur ishte 60 vjeç lirohet nga burgu, i rraskapitur por ende kishte një besim se mund ta ndihmonin të riniste punën nga e para si mjek. Nuk donte ta pranonte akoma moshën e pensionit. Besonte tek ata të paktë shokë të dikurshëm që kishin mundur t’i mbijetonin diktaturës. Në të vërtetë askush nuk mundi ta ndihmonte. Që nga ajo kohë, ai jeton me një pension të vogël në apartamentin e tij diku afër Radio Televizionit Shqiptar, ku edhe pse tashmë në moshën 92- vjeçare dhe me një jetë plot vuajtje dhe peripeci, ai nuk i heq nga dora librat dhe leksionet e mjekësisë, të cilës i kushtoi gjithë jetën e tij.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. RESPEKT E JETE TE GJATE Dr FADIL Spahiut;! Dr; SPAHIU E MERITON NJE PENSION TE VECANT SE KA SHERBYER ME DEVOTESHMERI? CILESI E PA INTERES MATERIALnJE SHKENCETAR I NOVELIT BOTERORE MERITON VEMENDJE DHE KUJDES E NJE PENSION TE VECANT E TE MERITUAR PA DISKUTIM .FALEMINDERIT.

    Përgjigju ↓