AKTUALITET

Eksodi i infermierëve, Jaçaj: Situatë alarmante, pritet përgjysmim i stafit

14:00 - 05.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Prej vitesh infermierët nuk po marrin shpërblimin e fundvitit, në një kohë që nuk paguhen për orët shtesë në fundjavë apo në ditë festash. Problematikat ngrihen nga kreu i Shoqatës së Infermierëve të Shqipërisë, njëkohësisht infermier prej 13 vitesh, Elson Jaçaj, i cili në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” thekson se edhe rritja e pagave ka ngelur vetëm një premtim. Ai shton se fondi i parashikuar për shpërblimet e fundvitit nuk dihet se ku shkon, si dhe më tej bën me dije se Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë dënon ashpër rastet e dhunës ndaj bluzave të bardha. Sipas Jaçaj vendi është përballë një situate alarmante ku shifrat e largimit të infermierëve po rriten e deri në fund të 2019 shumica e spitaleve si shtetërore, private, qendra shëndetësore do jenë përgjysmuar.




A paguhen orët shtesë në fundjavë apo ditët e festave për infermierët që iu duhet të jenë në vendin e punës?
Orët shtesë, ditët e fundjavës (e shtune a e djelë), ditët e festave apo të fundvitit edhe pse ligjërisht duhet që të paguhen shtesë ose dyfish në të vërtetë infermierëve ju paguhet si ditë normale, pra jo vetëm janë të privuar nga festimi, por dhe nga shpërblimi.

Keni bërë ndonjë ankesë lidhur me problematikën e sipërpërmendur?
Është bërë shkresë nga ana jonë drejt ministrisë apo dhe institucioneve përkatëse spitalore, por deri më tani heshtje dhe s’ka asnjë shpjegim pse nuk paguhen kur në kontratën e punës janë të cilësuara.

A keni marrë ndonjëherë pagën e 13-të, pra shpërblimin e fundvitit?
Paga e 13 është ironia e çdo viti që luhet me infermierët. Unë kam 13 vite pune dhe mbaj mend që vetëm një herë na është dhënë 10 mijë lekë të reja shpërblim dhe ai tatohej e merrnim nga 9 mijë lekë të vjetra shpërblim. Më pas u harrua çdo gjë, ndërsa tani ka ndryshuar para 2-3 vitesh merrnim nga dy shpërblime: një kartolinë nga ministri i Shëndetësisë dhe një nga Kryeministri ku shprehnin falenderime për punën që ne bëjmë. Vjet ndryshoi, morëm vetëm një shpërblim; kartolinën e kryeministrit me vitin e Skënderbeut. Në fakt, flitet që ky shpërblim jepet për infermierët dhe realisht përveç qëndrave shendetësore që e kanë prej vitesh asnjë institucion tjetër spital univesitar, bashkiak apo spital rajonal nuk u jep asnjë darkë falenderimi stafit e jo më shpërblim. Se ku shkon fondi që jepet për këtë gjë nuk dihet.

Mund të na tregoni nëse ka pasur rritje pagash për infermierët deri më tani?
Të gjithë e dimë që para pak kohësh, kur u paraqit buxheti për 2019, Ministria e Shëndetësisë dhe kryeministri publikisht thanë që do ketë rritje page për infermierët deri në 20%, gjë që s’ka ndodhur ndonjëherë e jo më larg se para disa ditësh ministria del me një deklaratë tjetër ku thotë se do ketë rritje page për infermierët deri në 7%, e cila nëse miratohet e më pas tatohet është një vlerë e papërfillshme shtesë, pra thjesht një premtim, siç bën çdo pushtet para zgjedhjeve e deri në kohën e miratimit apo hyrjes në fuqi ajo shtesë harrohet. Është e çuditshme pse çdo parti politike bën premtime vetëm në prag zgjedhjesh e më pas nuk bën asgjë ndërkohë që mund të miratohet një ligj me një rritje page për çdo kategori çdo vit dhe pavarësisht kush është në pushtet, ky ligj vihet në zbatim deri sa të ketë një rritje stabël. Tashmë të gjithë jemi mësuar me premtimet politike, por asnjë forcë politike deri më sot s’ka menduar realisht për infermierët e vetëm i kanë përdorur për fushata politike pasi përbëjnë numrin më të madh të punonjësve në shëndetësi.

Kohët e fundit janë denoncuar raste të dhunës së ushtruar mbi mjekët dhe infermierët. Si e gjykoni ju reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me këtë?
Kemi denoncuar raste dhune të ndodhura njëra pas tjetrës brenda pak javësh; një rast ndodhi në reanimacionin qëndror të QSUT, një në Elbasan, një në Fier e kush punon di në sa vende të tjera ku nuk deklarohet. Kemi qënë të vetmit që kemi reaguar për këtë gjë e duke i bërë shkresë ministrisë dhe Urdhërit, por fatkeqësisht prej kohësh për të mos thënë prej vitesh ka heshtje nga çdo institucion. Në fakt, deri diku është e kuptueshme heshtja e tyre pasi kanë qënë pikërisht këto institucione që e kanë ushqyer urrejtjen dhe mllefin ndaj personelit shëndetësor e sidomos infermieror. Pra e gjithë kjo jo vetëm prish imazhin e infermierëve, por ushqen dhe një mosbesim dhe urrejtje tek njerëzit. Por theksoj që asnjë nga deklaratat e tyre nuk janë të vërteta pasi ata gjykojnë nga zyrat e sipas interesave të tyre personale duke abuzuar në kurriz të infermierëve, por harrojnë që janë këta infermierë (që këta shajnë e ofendojnë) që po punojnë me pagat më të ulëta, në kushtet më mizore e po shpëtojnë jetë njerëzish çdo ditë.

Cilat janë masat që duhen marrë për të shmangur këtë fenomen?
Ne kemi bërë kërkesë që të ndalohet jo vetëm dhuna ndaj infermierëve, por dhe informimi jo i drejtë i bërë publik në rastet kur deklarohen shkelje të infermierëve apo mjekëve në institucionet ku punojnë. Nuk mund të dilet në një peëfundim të menjëhershëm apo sapo jepet një lajm të thuhet që fajtor janë mjekët apo infermierët, sikur të ishin kriminelë pasi e kemi parë që ka ndodh rëndomtë e kjo ia prish imazhin e tyre e në fund kanë dalë të pafajshëm. Nuk mund të harrojmë rastin e famshëm në spitalin rajonal të Shkodrës ku u hap proces për mjekët dhe infermierët ku u deklaruan kriminelë për diçka që ata s’e kishin bërë, por ishte faji i ministrisë e në fund u shpallën të pafajshëm. Por a ka vlerë kjo? Ata janë familjarë, u prishet imazhi kudo, u krijon shumë probleme, por është vënë re që çdo punonjës shëndetësor shikohet si vegël pune e pushtetit. Ne kemi kërkuar që të miratohet një ligj i posaçëm për mbrojtjen e personelit shëndetësor në vend dhe të rishikohet dhe gabimi mjekësor, të mos konsiderohet vepër penale pasi jemi i vetmi vend ku më tepër ka çështje gjyqësore me mjekët dhe infermierët se me kriminelët. Kërkojmë edhe sigurim mbrojtje gjatë ushtrimit të profesionit.

A po vazhdon eksodi i infermierëve drejt Gjermanisë?
Sigurisht që eksodi i infermierëve jo vetëm vazhdon, por po shtohet, e kjo jo vetëm nga diskrimini që ju bëhet këtu, por dhe nga lehtësimi i procedurave nga vendet e huaja që i kërkojnë e sidomos Gjermania. Kanë lehtësuar dhënien a vizës së punës, madje edhe nivelin e gjuhës e kanë ulur. Në këto kushte çdokush do të donte të largohej diku ku në radhë të parë vlerësohet për punën që bën; paguhet siç duhet për punën që bën; punon pa stres e pa presione politike apo dhe pa frikën se kur ndryshon pushteti fillojnë reforma partiake. Ne jemi një profesion që duhet të vlerësohemi për aftësitë profesionale që kemi e jo për ngjyrimin politik. Pagat është një nga faktorët që ndikon për largimin e infermierëve nga vendi. Ne si shoqatë, pas ca kohësh do dalim në një deklaratë publike me fakte se si është sistemi shëndetësor në vend, sa të vlerësuar e sa të paguar janë infermierët, sa po ikin e sa janë gati për të ikur. Po bëjmë një studim në terren për këtë problem. E kjo për një arsye, pasi ne kemi deklaruar shifra reale të largimeve nga vendi të infermierëve ku UISH i detyruar nga ministria u përpoq t’i përgënjeshtronte ato thjesht për të larguar fokusin nga problematika reale ku është shëndetësia sot e ku janë infermierët sot. Vendi është përballë një situate alarmante ku shifrat që ne kemi deklaruar për largimin e infermierëve jo vetëm që janë të vërteta, por po rriten e deri në fund të 2019 shumica e spitaleve si shtetërore, private, qendra shëndetësore etj do jenë përgjysmuar apo do të kenë më pak se gjysmën e stafit profesionist në punë pasi të gjithë po ikin dhe të rinj ka pak që po punësohen.

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Une qe po ju shkruaj jam nje infermjere.Nuk jane vetem rogat shperblimet dhe mos vleresimi shkak per tu larguar por :
    1Kushtet e punes(po punojme akoma ne kjoska te cilat kane ardhur ne vitin 1995 per emergjencat ne shendetsi’ngrohemi me bombla te pa sigurta gaxi qe nje zot e di cmund te ndodhe me shendetin tone)
    2.Skemi te sigurte shendetin pavarsisht se kemi 25 vite qe i japim shtetit siguracione per te po na ra nje hall duet te kesh lek te shkosh te privati.
    3Nuk dime ne cfar Universitete te studjojme femijet ku ligjet po i nxhjerin per te majmur me xhepat e profesoreve.
    4Ne ate stad qe e fillojme punen ne te njejtin e perfundojme pavarsisht trajnimeve qe bejme madterave gjuheve te huaja qe mbrojme marim 60 mije lek me shume dhe bejme te njenten me ate qe fillan sot.

    5 Te riskuar nga politika
    6 Po nuk u more me politike nuk pozicionohesh simbas aftesive dhe merites.
    Etij etij
    BRAVO ZT JACAJ.per problemet qe ngreh po krahas ngritjes te problemeve organizo dhe ngri infermjeret per te kerkuar te drejtat e tyre.Se 24 ore po u pexullua sherbimi infermjeror behet gjema jemi zemra e sherbimit shendetsor dhe pa zemer organizmi nuk ron ad disa minuta pa tru ron .

    Përgjigju ↓