KULTURË

Shkencë në luftë, austro-hungarezët dhe arkeologjia shqiptare

15:52 - 05.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prof.Luan Përzhita* – Territori i Shqipërisë si pjesë e qytetërimeve antike të Mesdheut që nga koha e Rilindjes Evropiane ishte në fokusin e interesimit të studiuesve të pasionuar për antikitetet. Historia e arkeologjisë shqiptare, përfshin tri faza zhvillimi; a) fillim i shekulli 19-të – 1939, periudhë kjo e dominuar nga udhëtare dhe arkeologe të huaj; b) vitet 1945-1990, që pasqyrojnë një arkeologji të zhvilluar totalisht nga shteti socialist; c) v.1991 deri më sot që është karakterizuar nga transformimi i arkeologjisë kombëtare, ndërthurur me bashkëpunime me misionet e huaja arkeologjike. Në ndryshim nga vendet e tjera të Ballkanit, ku kërkimi sistematik arkeologjik nis nga gjysma e dytë e shek. XIX, në Shqipëri për shkak të formimit më vonë të shtetit të pavarur, ai fillon në periudhën midis dy luftërave botërore. Në epokën e Napolonit interes për arkeologjinë shqiptare treguan britanikët dhe francezët me William Martin Leake, Francois Pouqueville, Leon Heuzey dhe Daumet Honoré. Ata u pasuan nga Theodor Ippen, Paul Traeger Karl Patsch, Camillo Praschnik etj. Interesi i studiuesve austriakë për monumentet arkeologjike në Shqipëri zë fill në fillim të shek. 20, atëherë kur Carl Patsch, boton veprën e tij Sanxhaku i Beratit (1904). Autori ka gjurmuar dhe regjistruar monumentet dhe vendbanimet antike nga Myzeqeja, Berati deri në Vlorë. Dokumentacion shumë i pasur si fotografi, planimetri dhe skica në terren – si dhe përshkrimi i hollësishëm i monumenteve dëshmojnë për një punë shumë serioze.




Patsch ka dhënë kontribut të çmuar dhe në fushën e muzeologjisë, duke ndihmuar drejtpërdrejtë në ngritjen e Muzeut të parë Kombëtar në Shqipëri, në vitin 1922. Të tjerë studiues për t’u përmendur janë Theodor Ippen dhe baroni Franz Nopçe, të cilët vinin nga shërbimi diplomatik austro-hungarez, por kishin interesa të veçantë dhe për trashëgiminë historike të Shqipërisë. Ato u përqendruan kryesisht në Shqipërinë e Veriut dhe prej tyre kemi shumë përshkrime vendbanimesh, kisha dhe monumente, të botuara në periudhën 1900-1908 nga Thedor Ippen. Në radhën e studiuesve që Shqipërinë e patën jo atdhe të lindjes, por vendin e zemrës dhe të punës intelektuale, bën pjesë edhe Theodor Anton Ippen, në atë elitë albanologësh. Theodor Ippen lindi me 29 nëntor 29 nëntor 1861 në Sezemice të Bohemisë, aso kohe pjesë e perandorisë austro-hungareze. Ai emërohet në Shkodër, konsull i përgjithshëm i monarkisë, një njohës i mirë i rrethanave shqiptare, sllave e turke. Ippen ndërmerr udhëtime të shumta në brendësi të luginave të Drinit, drejt Alpeve të Shqipërisë Veriperëndimore e nën Drin, nëpër Mirditë dhe Mat. Interesat e tij janë edhe ato arkeologjike, numizmatike, arkitektonike, historike, religjioze etj.

Botimi i librit “Shqipëria e Vjetër” përkthyer nga studiuesit Gjerak Karaiskaj dhe Ardian Klosi në vitin 2012, sjellin një përmbledhje të katër nga studimet më ta rëndësishme të Theodor Ippen. Kështu libri “Malësia e Shqipërisë Veriperëndimore” është një pasqyrë e hollësishme gjeografiko-etnografike-historike e luginave të degëve kryesore të Drinit, Fanit e Matit. Po ashtu, monografia tjetër “Shkodra dhe ultësira bregdetare e Shqipërisë së Veriut” e shkruar në vitin 1907, që vjen si plotësim i të dhënave më të hollësishme të monografisë së të parë, në të cilën njihemi me panoramën historike të qyteteve ai Shkodra, Kruja e Tirana e asaj kohe. Edhe dy monografitë e tjera ajo mbi kishat dhe mbi monumentet e Shqipërisë së Veriut shquhen për saktësinë e detajit dhe thellësinë e konkluzioneve të këtij personaliteti.

Studiuesi Ardian Klosi ndërmjet të tjerave në hyrje e librit shkruan: “Jemi në sigurt që ky libër edhe pse nuk mund të japë menjëherë tek ne vendin që meriton albanologut të madh, njeriut që vuri, heshturazi, por me forcën e diturive të tij, një pjesë të madhe në themelet e shtetit shqiptar, prapë se prapë është tribute mirënjohjeje për veprën e tij, që rikthehet shqip në vendet, të cilat ai i përshkroi një shekull më parë”. Libri “Shqipëria e Vjetër’ është i pari botim i plotë në shqip dhe është një vepër e domosdoshme për fushën e albanologjisë.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, së bashku me trupat ushtarake vijnë në Shqipëri, Camilo Praschniker (arkeolog) dhe Arnold Schober (epigrafist), të ngarkuar nga Akademia Perandorake e Shkencave, në Vjenë, për të gjurmuar dhe regjistruar vendbanime dhe monumente nga Mali i Zi në Shqipëri. Ato ndërmorën dy ekspedita, rezultatet e të cilave i botuan në C. Praschniker und A. Schober, Archaeologische Forschungen in Albanien und Montenegro (1919) dhe C. Praschniker, Muzakhia und Malakastra,1922. Brenda territorit shqiptar u dokumentuan një seri vendbanimesh dhe monumentesh kryesisht të periudhave helenistike dhe romake në një zonë që shtrihet nga Shkodra deri në Vlorë dhe Berat, si dhe pjesë rrugësh të perandorisë romake. Si arkeolog profesionistë Prashniker dhe Shober na kanë lënë dëshmi shumë të vlefshme, që shërbejnë si pikë referimi akoma edhe sot. Atyre u takon merita e identifikimit dhe dokumentimit të rrënojave të Lisosit duke e diferencuar atë nga Akrolisi.

SHKENCË NË LUFTË
Studimi topografik i disa qyteteve dhe i shtrirjes së tyre siç është rasti i Durrësit, mbetet po ashtu kontribut i vyer i këtyre dijetarëve. Në qytetin antik të Apolonisë ato bënë dhe disa sondazhe duke na dhënë dhe një planimetri të mureve rrethuese të qytetit, mjaft të detajuar. Gjatë gjurmimeve në terren, ata evidentuan dhe përshkruan po ashtu pjesë rrugësh të perandorisë romake, që kalonin në Shqipëri dhe në Malin e Zi. Prashniker dhe Shober janë autorë zbulimesh dhe deshifrimesh të një vargu monumentesh dhe mbishkrimesh mortore të periudhave greke dhe romake. Vepra e tyre shpeshherë shërben si pikë referimi akoma dhe sot për studimet me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar në shumë krahina të Shqipërisë e të Malit te Zi.

Natyrisht, zhvillimi i një aktiviteti të tillë shkencor në kushte lufte nuk ishte i lehtë, ç’ka mund të kuptohet nga përshkrimet e detajuara që Prashniker dhe Shober u bënë udhëtimeve të tyre. Për fat të keq, me gjithë përpjekjet e tyre, ata nuk munden të realizonin udhëtimin në Via Egnatia, nga Kavaja deri në rrjedhën e sipërme të Shkumbinit. Në parathënie të librit këto studiues thonë se një pjesë të madhe të ekspeditës e kanë kryer në kushte shumë të vështira ku “Në vend të automjetit ecte kafsha e ngadalte e ngarkuar”. Ushtria perandorake e asaj kohe na ka lënë dhe disa foto shumë të bukura të disa prej qyteteve dhe vendbanimeve në Shqipëri. Krahas tyre spikasin dukshëm edhe dy emra studiuesish me nacionalitet hungarez. Etnografi i palodhur Franc Baron von Nopsca në vitet 1907, 1912, 1932 dhe arkeologu Árpád Buday. Arkeologu hungarez Arpad Buday me vizitën e tij dy mujore në muajt qershor-korrik 1917, në Shqipërinë Verilindore dhe Kosovën Veriperëndimore, ka lënë pas një vepër me vlera të pazëvendësueshme informative dhe studimore. Në vitin 1917, ai udhëhoqi një ekspeditë kërkimore në Shqipëri. Libri “Kërkime arkeologjike ne Shqipëri”, shkruar nga hungarezi Dr. Budaj Arpad në vitin 1917, gjatë luftës, përmban një informacion me vlerë jo vetëm për fushën e arkeologjisë, por edhe për disiplina të tjera të shkencave albanologjike. Në hyrje Dr. Budaj Arpad shfaq mendimin lidhur me titullin e librit, që duhej të pasqyronte kërkimet arkeologjike në trevën që përfshinte krahinën e Hasit dhe Rrafshin e Dukagjinit deri në Mitrovicë. I ndodhur në dilemë, autori vendos që territorin e kërkimeve të tij ta përfshijë me emrin e Shqipërisë. Për këtë ai shprehet: “Veç kësaj nuk qe e mundur t’i jepnim një titull që në masë të plotë t’i përgjigjet brendësisë dhe as t’i jepnim një titull të shkurtër. Një gjë e tillë është e kuptueshme në qoftë se mbajmë parasysh në përgjithësi dhe veçanërisht sot, se sa e vështirë është të përkufizohet Shqipëria, kur diçka tjetër kuptojmë me këto fjalë në pikëpamje politike dhe prapë tjetër gjë kuptojmë në pikëpamje etnografike dhe historike”. Nisur nga materiali arkeologjik i grumbulluar, autori mendon se deri në vitin 1917, Rrafshi i Dukagjinit përbënte një ‘terra incognita’ të Europës, si nga pikëpamja arkeologjike, ashtu dhe nga pikëpamja historike dhe etnografike.

Fokusi i kërkimeve ishte areali Pejë-Klinë, e më pas Mitrovica. Ai në pjesën më të madhe të këtij territori ndoqi gjurmët e Evansit, duke i pasuruar më tej kërkimet e tij me monumente të reja të panjohura më parë. Kështu, në bregun e Bistricës së Pejës, gjurmët e para u zbuluan më 2 qershor 1917. Ishte zbulim i një përmendoreje shumë të rëndësishme, që pasqyronte varret e dy familjarëve romakë. Konstatimet e tij arritën kulmin një muaj më vonë, në korrik 1917, kur në shtratin e mbetur pothuajse pa ujë të Bistricës së Pejës u zbuluan dhe tri mbishkrime latine, në të cilat figurojnë familjet Aelius dhe Ulpius. Studiuesi hungarez Budaj Arpad na ka lënë shënime mjaft interesante (një skicë planimetrike dhe disa fotografi me mjaft vlerë), lidhur me një fortifikim të vëzhguar asokohe në qytetin e Pejës. Këto të dhëna kanë sot një rëndësi të veçantë, pasi ndërtimet e gjysmës së dytë të shek.. XX tashmë i kanë mbuluar dhe zhdukur plotësisht gjurmët e fortifikimit në fjalë. Gërmadhat e Pejës së dikurshme, shkruan Budaj Arpad më dt.17 qershor 1917, “…gjenden mbi një sipërfaqe të rrethuar mirë, në formë katërkëndëshi të çrregullt, me kulla të rrumbullakëta në qoshet, sikurse tregohet në skicë. Gërmadhat janë në afërsi të drejtpërdrejt të qytetit, në anën veriore të tij, midis rrugës që të çon drejt Mitrovicës dhe lumit të Bistricës në veri të saj”. Autori shënon në këtë botim indikacione që lidhen me zbulimin e Municipium DD të Soqaninës, gjurmë të shumta të rrugëve antike në këtë territor, si dhe për një mori qendrash mesjetare të Rrafshit të Dukagjinit. Kështu për kalanë e Sveçanit – thotë Budaj Arpad, – gjoja e ka ndërtuar mbreti Milutin, i cili ka studiuar nga viti 1275-1321. Ai arriti të dallojë mjaft qartë disa faza të ndryshme që përmbante ndërtimi dhe arkitektura e këtij fortifikimi. Duke iu referuar Evansit, ku sipas tij kjo kala ka pasur emrin bizantin, e quajtur Spentza, ai mendon se një gjë e tillë vërtetohet mjaft qartë, si nga strukturat ndërtimore të kësaj kalaje, ashtu dhe nga ekzistenca e një sërë elementesh të tjera, që janë të kohës më të hershme se periudha e sundimit të mbretit Milutin.

KISHAT
Duke analizuar më pas dy statuja të gjetura në Banjska të Mitrovicës, që përmbajnë figura luanësh, të zbuluara njëra në oborrin e kazermës së xhandarmërisë, ndërsa tjetra në hyrjen e kishës ortodokse, e cila më pas ishte kthyer në xhami, Budaj mendon se kisha e Banjskës dhe ajo e Deçanit janë afërsisht të së njëjtës kohë. Pas Luftës së II Botërore gërmimet arkeologjike në Shqipëri u ndërmorën kryesisht vetëm nga studiues shqiptar. Sidoqoftë, diçka kishte ngelur nga “e kaluara”. Hasan Ceka, i vetmi arkeolog shqiptar që kishte studiuar për arkeologji, para Luftës së Dytë Botërore, në universitetin e Gracit dhe të Vjenës, mund të konsiderohet si përfaqësues i shkollës austriake në gërmimet shqiptare të kësaj kohe. Por këtu duhet theksuar edhe kontributi i gjuhëtareve vjenez si Anton Mayer dhe Hajnc Kronaser, të cilët në vitet ’60-të të shek. XX kanë botuar mjaft studime të rëndësishme mbi ilirishten dhe rrënjët e saj të hershme.
Sidoqoftë, interesi austriak për arkeologjinë shqiptare ridimensionohet pas ndryshimeve politike që ndodhën në Shqipëri, në vitet ’90 të shek. 20. Në këtë rast interesi ishte dypalësh. Kështu u arrit që të organizohet në vitin 2004 për herë parë, në Austri, një ekspozitë arkeologjike, të emërtuar “Ilirët”, e pasur me mbi 300 eksponate origjinale, nga prehistoria deri në periudhën romake, u prezantua në ambientet e muzeut të prehistorisë në Asparn an der Zaya, në Austrinë e Poshtme. Ajo u shoqërua me një katalog të ilustruar me rreth 130 faqe dhe pati interes të gjerë nga mediat. Një nga vlerësimet e shtypit të kohës rreth saj ishte: “Shumëllojshmëria e gjetjeve dhe kualiteti i lartë i tyre dëshmojnë për kulturën e një populli, që jetonte mes grekëve dhe keltëve (velser virtshafts magazine); që kreativiteti nuk është arritje e kohëve moderne, që arti nuk njeh kufij në kohë dhe në hapësirë, këtë na dëshmon ekspozita e mrekullueshme (Pasauer noje prese)”. Në vitin 2004-2005 me Prof. Gëzim Hoxhën organizuam një ekspeditë të përbashkët gërmimesh arkeologjike, me Prof. Pohmarskin nga universiteti i Gracit, në qytetin antik – Lisos. Në kuadrin e bashkëpunimeve tona duhet të kujtoj punën e bërë në fushën e përkthimeve. Në vitin 2002 Ardian Klosi dhe Gjerak Karaiskaj përkthyen në shqip “Teodor Ipen, Shqipëria e Vjetër”, Tiranë 2002, ndërsa në vitin 2003, Bashkim Lahi solli në shqip veprën e Kamilo Prashniker dhe Arnold Shober, “Kërkime Arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi”. Besojmë se tani ka ardhur koha për të kaluar në projekte gërmimesh arkeologjike afatgjatë.

*Drejtor i Institutit
të Arkeologjisë


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.