AKTUALITET

Buxheti afatmesëm, taksa e ndërtesës 4 herë më e lartë

13:17 - 06.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Bashkia e Tiranës ka hartuar programin buxhetor afatmesëm për periudhën 2019-2021. Sipas relacionit, që pritet të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak, të ardhurat që pritet të mbledhë vetë Bashkia pritet të arrijnë në 13.4 miliardë lekë (ose rreth 105 milionë euro). Me një rritje prej 3% në raport me pritshmërinë e 2018-s. Së bashku me fondet e pakushtëzuara që merr nga qeveria qendrore, buxheti në dispozicion i bashkisë pritet të arrijë në 18.3 miliardë lekë, ose 145 milionë euro, duke arritur në një nivel historik rekord. Edhe për periudhën 2020-2021, të ardhurat e veta të Bashkisë pritet të qëndrojnë në të njëjtat nivele (rreth 13.4 miliardë lekë), ndërsa fondet nga qeveria priten në rënie, çka bën që buxheti total në 2020-n të zbresë në 16.4 miliardë lekë, ose 10% më pak sesa në 2019-n. Tre taksat e tarifat që pritet sjellin më shumë të ardhura në buxhetin e Bashkisë janë taksa e ndikimit në infrastrukturë (30%), e ndërtesës (17%) dhe tarifat e pastrimit (15%).




Taksa e ndërtesës
Taksa e re e ndërtesës, për të familjet do paguajnë katër herë më shumë deri në 2021. Për kategorinë e ndërtesave që shfrytëzohen për banim, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, aplikimi i taksës sipas sistemit mbi bazë vlere, do të fillojë në janar 2019. Sipas relacionit, për Bashkinë e Tiranës do të vijojë të jetë Drejtoria e Taksave Vendore, struktura që do të arkëtojë detyrimin e kësaj takse nga subjektet që realizojnë aktivitet ekonomik në territorin e Bashkisë së Tiranës, ndërsa për detyrimet e kategorisë familjare do të përzgjidhet Agjenti Tatimor brenda muajit dhjetor 2018, nëpërmjet vendimit të posaçëm për këtë qëllim. Në vitin 2019, të ardhurat nga taksa e ndërtesës janë parashikuar në vlerën 2.4 miliardë lekë, nga 1.78 miliardë lekë që është pritshmëria për 2018-n, me një rritje prej 34%. Pas taksës së infrastrukturës, ky është zëri i dytë që sjell më shumë të ardhura në buxhet, me rreth 18% të totalit. Rritja më e ndjeshme parashikohet për familjarët, nga 220 milionë lekë, që pritet të mblidhen në 2018-n, në 510 milionë lekë në 2019-n. edhe në vitet e ardhshme, fatura do të jetë gjithnjë e më e shtrenjtë, pasi të ardhurat nga kjo taksë nga familjarët pritet të arrijnë në 900 milionë lekë në 2021, me një rritje më shumë se 4 herë, në raport me atë që pritet të paguajnë deri në fund të këtij viti.

Ndërtimet
Vrulli i ndërtimeve pritet të vijojë edhe në 2019-n. Bashkia Tiranë parashikon që të mbledhë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga lejet e ndërtimit rreth 4 miliardë lekë, me një rritje prej 8% në raport me atë që pritet të mblidhet në 2018-n. Kjo taksë, e cila u rrit me një vendim të vitit 2015, nga 4% e kostos në 8% të çmimit të shitjes për apartamentet e banimit, i siguron bashkisë rreth 30% të të ardhurave të veta. Bashkia thekson në relacion se në bazë vjetore, volumi i ndërtimit nuk ka ndryshime të theksuara nga viti 2017. Madje është i krahasueshëm me arkëtimin faktik të kësaj takse në vitin 2014. Pra, këto të ardhura janë gjeneruar nga ndryshimi i bazës së taksueshme. Po sipas relacionit, kjo taksë nuk ka ndikuar as në shtrenjtimin e apartamenteve, “por ka ulur deri diku fitimin e zhvilluesve, por jo aq sa të disincentivojë apo ulë interesin e tyre për zhvillim”. Bashkia thotë se do të ketë ndërtime të reja në zonën e Bulevardit të Ri. “Suksesi i mbledhjes së kësaj takse edhe në vitin 2018 duke patur parasysh se çmimet në qytetin e Tiranës nuk janë rritur, por kanë mbijetuar krahasueshmërisht të njëjta, tregon se kjo taksë nuk ka patur asnjë impakt te qytetari, por ka ulur deri diku fitimin e zhvilluesve, por jo aq sa të disincentivojë apo ulë interesin e tyre për zhvillim. Pra është arritur një balancë midis “vullnetit për të paguar” të biznesit të ndërtimit dhe volumit të ndërtimit që krijon hapësirë rezidenciale për rreth dhjetëra-mijëra rezidentët e rinj që i shtohen çdo vit Tiranës. Kjo taksë do të vazhdojë të ruajë këtë nivel arkëtimi në vitet e ardhshme, aq më tepër duke parashikuar zhvillimet e reja që pritet t’i shtohen Tiranës në zonën e mirëplanifikuar të Bulevardit të Ri, ku këtë vit u miratua edhe Plani i Detajuar Vendor nga Këshilli Kombëtar i Territorit – plan ky që i hap rrugë zhvillimit”,-thuhet në relacion.

Parkimi
Teksa parkimi në kryeqytet bëhet gjithnjë e më shumë një mision i vështirë, ai është dhe më i shtrenjtë. Në 2018-n, përdoruesit e automjeteve kanë paguar 440 milionë lekë (3.5 milionë euro) për të parkuar. Krahasuar me vitet e kaluara, arkëtimi i tarifës së parkimit për vitin 2018 ka një rritje të ndjeshme kryesisht nga pagesat e parkimit (të ardhurat) me SMS, si rrjedhojë e riorganizimit të strukturave, mënyrës së arkëtimit dhe evidentimit në kohë të përdoruesve të parkimit në rrugët me pagesë, por dhe në sheshet e miratuara për parkim, thuhet në relacionin e bashkisë. Në 2019-n, bashkia pret të arkëtojë 420 milionë lekë nga parkimi, me një rënie të lehtë të raport me pritshmërinë e këtij viti.

Taksat e tjera kryesore

Nga taksa e tabelës pritet të arkëtohen 400 milionë lekë në 2019-n, me rritje 15% me bazë vjetore;
Taksa e arsimit do t’i sjellë bashkisë 860 milionë lekë në 2019-n, 36% e së cilës do të paguhet nga familjarët dhe pjesa tjetër nga biznesi.
Nga taksa mbi kalimin të drejtës pronësisë për pasuritë e paluajtshme pritet të arkëtohen rreth 300 milionë lekë, pa ndryshime nga një vit më parë.
Nga tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave pritet të mblidhen rreth 2.1 miliardë lekë, duke qenë zëri i tretë më i rëndësishëm pas taksës së infrastrukturës, që i siguron më shumë të ardhura Bashkisë. Në raport me 2018-n, bizneset dhe familjarët do të paguajnë 7% më shumë.
Si tarifa për zënien e hapësirave publike, bizneset do të paguajnë 420 milionë lekë, 19% më shumë se ky vit që po mbyllet.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.