AKTUALITET

Kërkesat e studentëve, zbardhen tarifat që duhet të paguajnë për shkollimin

09:00 - 07.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Mijëra studentë në mbarë vendin kanë bojkotuar mësimin dy ditët e fundit në shenjë revolte kundër tarifave të larta. Por sa janë tarifat e shkollimit nëpër universitetet publike? “Gazeta Shqiptare” zbardh sot masën e parave që duhet të paguajnë studentët në 12 institucione të arsimit të lartë publik, si në nivelin Bachelor, dhe në atë Master.




Niveli Bachelor
Tarifat për një vit studimi në universitetin e Tiranës variojnë nga 25-40 mijë lekë të rinj; në universitetin e Mjekësisë 35-45 mijë lekë të rinj; në universitetin Politeknik të Tiranës 25-40 mijë lekë të rinj dhe në Universitetin Bujqësor variojnë nga 27-90 mijë lekë të rinj. Universiteti i Arteve ka një tarifë fikse prej 400 mijë lekësh të vjetër, ndërsa ai i Sporteve nga 23 deri në 45 mijë lekë të rinj për një vit akademik. Tarifat në universitetet e rretheve variojnë nga 20-30 mijë lekë të reja.

Niveli master
Sipas të dhënave nga organizata Qëndresa Qytetare, tarifa më e lartë në nivelin master është në Universitetin e Arteve ku studentët duhet të paguajnë deri në 3 milionë e 200 mijë lekë të vjetra. Ndërkohë në universitetin e Tiranës tarifa e masterit varion nga 1 milionë e 200 deri në 1 milionë e 680 mijë lekë të vjetra; në universitetin e Mjekësisë nga 720 mijë-1 milionë lekë të vjetra; në Universitetin Politeknik studentët duhet të paguajnë 810 mijë deri në 1 milionë e 820 mijë lekë të vjetra për dy vite. Një student që këtë tarifë nuk e paguan brenda afatit të përcaktuar, ai automatikisht penalizohet duke mos u futur në provim. Që të përfitosh nga ulja ose mospagesa e saj, duhet të jesh ose me aftësi të kufizuara (dhe kjo e vërtetuar me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë), ose të jesh i/e verbër/ tetraplegjik/ paraplegjik, njërin nga prindërit ta kesh patur të përndjekur politik, ose të kesh statusin e jetimit etj. “Me një nivel ekonomie të ulët, ku rroga mesatare nuk i kalon 250 mijë lekë të vjetra në muaj, sigurisht që këto tarifa janë shumë të larta. Tarifat janë absurde, pavarësisht standardeve e kualitetit të fakultetit ku bëjmë pjesë. Në vende të tilla si Greqia, Franca, Sllovenia, Finlanda etj., përveçse gjejmë universitete me tarifë 0, ato ndjekin dhe politika të posaçme për t’u lehtësuar jetesën studentëve.
Të qenit student është kosto më vete, nëse vendos të vazhdosh studimet e larta, duhet të bësh disa llogari më vete si: nëse do kesh mundësi të përballosh tarifën ulëritëse, nëse do mundesh të paguash qiranë, të ushqehesh, të vishesh etj. Një student në Shqipëri nuk mund ta gëzojë plotësisht statusin e studentit. Ai si fillim ka statusin e të punësuarit, ku gjysmën e ditës i duhet të shërbejë për llogari të dikujt tjetër, e gjysmën tjetër i duhet të frekuentojë leksionet e seminaret. Praktikisht atij nuk i ngelet as kohë të lexojë, studiojë e as të punojë për ndonjë detyrë a projekt që mund t’i jepet”,-thotë studentja Klaudina Kuçi për “Gazeta Shqiptare”.

Statistikat
Të dhënat e fundit të INSTAT, për matjen e nivelit të jetesës treguan se pesha e shpenzimeve për arsim ishte 3.9% e totalit të shpenzimeve të familjeve shqiptare, një peshë gati katër herë më e lartë se e familjeve Europiane. Mesatarja e Bashkimit Europian është 1.1%, ndërsa një familjeje në rajon i kushton shumë më pak (në termin relativ ndaj shpenzimeve totale) që të shkollojë fëmijën. Serbia, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina e kanë këtë raport midis 0.6-0.7%, ndërsa në Kroaci arrin në 1.1%. Për familjet kuksiane shpenzimet për arsim kanë një peshë të konsiderueshme në totalin e shpenzimeve që ato bëjnë, me rreth 9.1% të totalit, duke u renditur pas shpenzimeve për ushqim, sipas INSTAT.

Pas Kukësit, qarku që shpenzon më shumë për arsim është Fieri, me 6.8% ndaj totalit. Më pas renditet kryeqyteti, Tirana me 5.2% të totalit të shpenzimeve për arsim dhe Lezha me të njëjtën peshë të shpenzimeve.
Me një diferencë të ngushtë nga mesatarja kombëtare renditet Korça me rreth 3.1% të totalit të shpenzimeve për arsim. Durrsakët dhe gjirokastritët shpenzuan për arsim përkatësisht 2.4 dhe 2.3% të totalit të shpenzimeve të tyre.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.