OPINION

Përthyerje për të qëmtuar: Teatri i Metropolit ndërmjet zgjedhjeve dhe zgjidhjeve

07:40 - 07.12.18 Valbona Nathanaili
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Më datë 5 dhjetor 2018, Teatri i Metropolit organizoi një tryezë të rrumbullakët, me synimin për të marrë mendime nga një grup ekspertësh për ndikimin në komunitet të dy edicioneve të “MetroFest”, “MetroFest 1” (2017) dhe “MetroFest 2” (2018). Është hera e parë që një institucion merr një nismë të tillë dhe duhen përshëndetur, në veçanti, drejtorja Jonida Beqo dhe përgjegjësja për sektorin e edukimit Sonila Kapidani, sikundër t’i falënderoj për të qenë pjesë e panelit. Duke qenë se e kam ndjekur me vëmendje aktivitetin e Teatrit të Metropolit, duhet theksuar se përgjatë këtyre dy vjetëve, ku përveç shfaqjeve, një vend të rëndësishëm kanë zënë edhe Klubi i leximit, apo shkolla e kurse organizuar me grupmosha të ndryshme, kam të gjitha arsyet të vendos në sfond të analizës teatrin si agjenci, pra si institucion që funksionon me të gjitha opsionet: ka kapital njerëzor të kualifikuar, ka strategji, ka objektiva për të vepruar në mënyrë të orientuar ndaj botës sociale, një Teatër i Metropolit që lufton Monopolin në mënyrën e të menduarit dhe guxon të përziejë shijet e grupeve të ndryshëm.




***

Në periudhën 1939-1941, që korrespondon me kohën kur Shqipëria ka qenë nën pushtimin italian, ministër Arsimi ka qenë Ernest Koliqi, një nga mendjet më të shquara të këtij vendi në fushën e kulturës dhe krijimtarisë, njëherazi shumë i diskutuar për arsyet që e kanë shtyrë të pranojë bashkëpunimin me pushtuesit e vendit. Por, synimi ynë është të ndalemi në atë dimension të veprimtarisë së tij që e bën me nder dhe për të cilën e respektojmë, – krijimtarinë dhe pasionin për kulturën – dhe që nuk i kanë munguar edhe kur ka qenë në postin e ministrit. Në kulmin e veprimtarisë si ministër i Arsimit, u dërgon të gjitha shkollave një qarkore, nëpërmjet së cilës u kërkon mësuesve të përfshihen në mbledhjen e folklorit në zonat ku japin mësim. Nga 22 pyetje që përmbante qarkorja, mësuesit duhet të zgjidhnin 2-3 “për t’i studiuar e shtjelluar me kujdesin më të madh, peshuem dhe matur mirë, pa shtuar ndonji gja nga fantazija dhe pa lënë të metë gjëkafshë për çdo arsye qoftë”, – porosiste Koliqi. Disa nga pyetjet për të cilat mund të mblidhnin të dhëna janë:

  • Dëfteni një për një zakonet e lindjes, pagëzimit, synetit, fejesës e vlesës, martesës e vdekjes (të tretat, të shtatat, të nëntat, të dyzetat). Tregoni çfarë urimesh e çfarë thuhet me rastin e këtyre ngjarjeve!
  • Si e parashikojnë bujqit ardhjen e kohës së mirë ose të keqe, si shiun, breshrin, borën, dimrin e rreptë ose të butë, vapën e madhe etj.? Për shembull, kur këndon gjeli në një çast të caktuar, kur piqet ndonjë pemë etj.?
  • Çfarë zakonesh e çfarë besimesh mund të ketë në katund (a në qytet), që bien fort në sy? Për shembull, dita e djegies së rrogozave në Berat, dita e flakadanit, dita e rusicave (kur dikush vishet me gjethe e gjelbërime dhe i derdhin ujë) etj.

 

Pyetjet e qarkores së Koliqit kërkojnë të evidentojnë atë pjesë të kulturës që njihet si “Kultura e përfaqësimit”, kultura që përbëhet nga besime, norma e vlera kolektive, legjenda e simbole popullore, piktura dhe ikona, ligje e kode kanunore, pra është kultura që përfaqësohet nga një bashkësi faktesh sociale, materiale ose jomateriale, që përbëjnë një detyrim moral, një marrëveshje sociale, unike për një vend dhe kohë të caktuar. Lajmi i keq është që kjo pjesë e kulturës jo vetëm nuk përfaqëson individin, por del edhe jashtë sferës së ndërveprimit individ-individ, ndërsa lajmi i mirë është që mund të studiohet dhe analizohet dhe, në terma afatgjatë, edhe të ndryshojë, por kërkon shumë mekanizma. Grupet që merren me studime të kësaj natyre janë nga fusha të ndryshme të dijes dhe, ndonëse secili ka këndin e vet të gjykimit dhe vështrimit, të gjithë bashkohen në një pikë: teatri luan një rol të rëndësishëm dhe është një nga mekanizmat që përshpejton ndryshimin. Thënë ndryshe, teatri është mjedisi në të cilin kultura e përfaqësimit, në rrjedhojë të misionit e funksionit të tij, përthyhet, njësoj me atë që ndodh me dritën gjatë kalimit nga një mjedis në një mjedis tjetër me koeficient të ndryshëm përthyerje. Pra, Teatri përthyen, sepse mjedisi i tij ka koeficient tjetër nga ai i realitetit. Teatri përthyen kur vepron si agjenci, rol të cilin, nga arsyetimet e mësipërme, Teatri i Metropolit e luan plotësisht.

Por çfarë ndodh dhe si mund ta shpjegojmë?

Dukuria e përthyerjes së Teatrit është e lidhur me dy faktorë: mënyrën si funksionojmë ne, si qenie sociale, dhe teatrin si agjenci.

Ne si qenie sociale, në të gjitha shoqëritë dhe në të gjitha kohërat kemi jetuar të ndarë në grupe sociale, ku gjithmonë grupe të caktuara janë lënë mënjanë, janë stigmatizuar dhe kanë qenë në pozita inferiore me të tjerët, për shembull gratë ndaj burrave, vajzat ndaj djemve, romët ndaj gaxhive, të varfrit ndaj të pasurve, të zinjtë ndaj të bardhëve etj. Pra, sfondi social ose paragjykimet që kemi, me ose pa dashje, ndikojnë mënyrën tonë të të arsyetuarit rreth përkatësisë në grup, pavarësisht nëse jetojmë në qytet a në fshat, jemi të rinj a të vjetër. Gjykimi ynë për një grup të caktuar influencohet shumë nga faktorët e mësipërm. Ajo që perceptojmë varet nga pozicioni ku jemi dhe nga ajo që shpresojmë ose jemi të bindur se do të shohim. Thënë këto, ne përbëjmë realitetin dhe materializohemi në pjesën teatrore.

Pra, pjesa teatrore, pavarësisht faktit se është vënë në skenë në gjallje të autorit a pas vdekjes së tij, ose pavarësisht kohës që autori vendos në sfond të zhvillimit të ngjarjeve, na informon për kohën në të cilën është krijuar vepra, për kulturën e asaj kohe. Mënyra e ndërtimit dhe e rrjedhës së ngjarjeve, gjuha e përdorur, veshja, simbolikat, arkitektura e skenës janë të gjitha bashkë, një lloj prerje e këtij realiteti social e kulturor!

Ndërkohë, misioni i teatrit është të tregojë, ndërsa thelbi i agjencisë së tij është paraqitja e një konflikti, konkretisht konfliktit ndërmjet individëve dhe rrethanave ku gjenden.

Sepse Teatri kërkon gjithnjë më shumë se çfarë ofron mjedisi, sepse teatri mban qëndrim, reflekton, hap perspektiva të reja, bind. Teatri gjeneron kënaqësi, i bën spektatorët të përjetojnë akte subversioni ose kritika kulturore pa frikë dhe pa masa vetëmbrojtëse, edhe kur dialogët që zhvillohen janë të mbushur me paragjykime të së shkuarës, thotë Martha Nussbaum.

Teatri na ndihmon të dëgjojmë me vëmendje dhe inteligjencë historinë e tjetrit, të kuptojmë emocionet e dëshirat që ka ose që ëndërron, ta shohim me simpati, të bëhemi tjetri vetë. Teatri, nëpërmjet agjencisë së tij vë në lëvizje të menduarin ndryshe, nga këndvështrime të tjera, na ndihmon të kuptojmë sa e vështirë dhe diskriminuese është jeta e personave që u përkasin këtyre grupeve. Dhe të reflektojmë!

Në këtë kuadër, teatri luan rol që kultura e përfaqësimit, sado komplekse, statike dhe e rëndë që të duket, t’u nënshtrohet filtrave e gjykimeve të reja, besimet të rimerren në analizë, ndërsa stereotipat të vihen në pikëpyetje.

Teatri shndërrohet në laboratorin e analizës së kulturës së përfaqësimit: çfarë na duhet dhe çfarë jo! Teatri shndërrohet në hapësirën për eksplorimin e çështjeve të vështira pa u zhytur në ankth!

Kujtoni komedinë “Diktatori” (2012) dhe batutën e Sacha Baron Cohen (njëri nga skenaristët dhe aktori kryesor), kur e dashura i thotë jam shtatzënë, ai përgjigjet: Çfarë do të lindësh, djalë apo do të abortosh?

“MetroFest 1” (2017) dhe 2 (2018) organizuar nga Teatri i Metropolit kanë pasur pikërisht një synim të tillë: “Drama shqipe si laborator njohjeje dhe kërkimi”. Për më tepër, një nga dramat e zgjedhura është pikërisht nga Koliqi, me titull “Rrajët lëvizin”. Dramat e tjera të “MetroFest 2” janë “Kryet e Hudhrës” nga Krist Berisha, “E mbesa e krahinarit” nga Kristo Floqi (edhe z. Floqi ka qenë ministër i Arsimit, më nëntor 1920, në qeverinë e udhëhequr nga Iliaz Vrioni), “Makaronat e shejtanit” nga Lazër Lumezi dhe “Prangat’ nga Halil Laze.

“MetroFest 1” ka pasur këtë repertor: “Loja e mbasdrekës” nga Martin Camaj, “Rrno për me tregue” nga At Zef Pllumi, “Armiq” nga Shpëtim Gina dhe “I biri i Begut” nga Milo Duçi.

Autorët janë shqiptarë nga troje të ndryshme të Ballkanit, ndërsa veprat janë krijime që shtrihen në një periudhë jo më shumë se 50-vjeçare, përpara dhe mbas vitit 1944 (por jo mbas viteve 1990).

Le të analizojmë shkurtimisht se si e përthyen “Rrajët lëvizin” të Koliqit realitetin tonë sot. Në një vështrim makro, kultura në historinë e Shqipërisë moderne deri më 1990, mund të ndahet në dy periudha, që korrespondojnë edhe me sistemet ideologjike që kemi pasur: para 1944 dhe 1944-1990. Kultura 1944-1990 i takon regjimit komunist. Sistemi komunist, falë periudhës së gjatë që qëndroi në pushtet, si dhe rëndësisë së madhe që i dha kulturës, me njerëzit, fondet dhe instrumentet e shumtë që angazhoi, arriti të ndikojë e ndryshojë pjesë të veçanta të kulturës së përfaqësimit. Le të ndalemi te simbolika e pronës private, që ka lidhje me veprën. Në regjimin e mëparshëm prona u bë baras me stigmë. Prona u tjetërsua. Kujtoni luftën e klasave, kulakët, shtetëzimet dhe kolektivizimin.

Vepra e Koliqit ka në sfond një nga rastet e tjetërsimit të pronës: me rënien e regjimit komunist, një familje duhet të shpërngulet nga shtëpia ku i ka strehuar regjimi i mëparshëm, sepse janë kthyer pronarët e vërtetë. Pronari i vërtetë është vajza e Ernest Koliqit – në shtëpinë e Ernest Koliqit, regjimi i kohës kishte futur për të banuar një familje tjetër, një fenomen që ndeshej nga veriu në jug të Shqipërisë, dhe jo vetëm me ata që kishin ikur me mbarimin e luftës, por edhe me shumë të tjerë që qëndruan në Shqipëri dhe dhanë kontribute për çlirimin e ndërtimin e vendit. Gjithsesi, më duhet të ndalem për të bërë një ndërhyrje të shkurtër: kjo karakteristikë që kam evidentuar në përmbajtjen e Koliqit është nga pikëpamja sociologjike dhe nuk është letrare, pra mësuesit e studiuesit e letërsisë kanë vlera të tjera për të evidentuar në atë vepër! Por, kjo fabul që ka gjetur flet edhe më shumë për gjeninë e Koliqit. Përthyerja e veprës së Koliqit, zgjedhur nga Teatri i Metropolit është edhe më e madhe po t’i shtojmë rastet e realitetit të sotëm, që shumë njerëz, në vijim edhe të asaj kulture, – pa marrë në analizë faktorë të tjerë të njohur nga të gjithë – morën pronat e tjetrit dhe guxuan t’i tjetërsojnë e të bëhen tjetri “Pronar”.

  1. Koliqi nuk arriti të shohë katrahurën që u bë me pronat pas rënies së regjimit komunist, se me siguri do kishte shkruar edhe një vëllim të dytë e të tretë. Koliqi ndërron jetë më 15 janar 1975, por vepra përthyhet në mënyrë perfekte edhe në ditët tona dhe na shtyn të reflektojmë, të rimarrin në analizë, ta vendosim veten në vendin e tjetrit, pra t’u nënshtrohemi gjithë atyre proceseve që renditëm më lart.

Secila nga veprat e shfaqura në kuadër të “MetroFest” është qëmtuar nga një grup i madh dramash të autorëve shqiptarë dhe me mjeshtëri është vënë në skenë, për të treguar një histori, për të rrëfyer një konflikt individ-realitet, me synimin për ta na bërë të mendojmë nga një këndvështrim tjetër, nga një perspektivë tjetër, këtë radhë jo më si individë, por në grup. Dhe këto janë arsye më shumë për t’i duartrokitur organizatorët dhe ideatorët edhe jashtë skenës.

Dhe për t’u thënë përsëri faleminderit!

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.