OPINION

Akoma ka shpresë!

09:58 - 10.12.18 Ajshe Isha
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Po shoh një të kaluar të perënduar mes rrënojash dhe një të ardhme që po mbin, dikë e tremb, dikujt i jep shpresë, gjithçka është e turbulluar… Zoti Kryeministër! Kisha dashur ta nisja rrëfimin tim duke sjellë një pasqyrim të të gjithë shqetësimeve që kam hasur gjatë shkollimit universitar, fatkeqësisht të njëjta e të njohura për të gjithë, duke nisur që nga kushtet skandaloze të godinave të konvikteve, arrogancën e pedagogëve, moskorrektësinë e administratës së institucioneve të arsimit, tarifave të papërballueshme, buxhetit të ulet për arsimin e lartë, mungesën e një karte studenti që ofron lehtësira, çmimeve të larta të librave të cilët herë pas here janë thjesht përkthime të dobëta të literaturës së huaj, përqindje e ulët e vendimmarrjes së studentëve në përzgjedhjen reale të drejtuesve akademike, gradave shkencore të dhëna pa respektuar kriteret, korrupsionit, nepotizmit, zhvatjes e shumë e shumë problematikave të tjera, por besoj e keni të qartë që kjo lëvizje nuk gënjehet me as me batuta e as me strategji politike për të na përçarë e sunduar.




Kemi mësuar duke u sulmuar ama s’kemi harruar që pushteti i politikaneve nuk i mposht dot studentët. Historia na ka dëftuar haptazi që ne jemi më të fortë se çdo individ që drejton sepse kemi shpirtin e revoltës dhe kur kërkojmë atë që na takon ( fatkeqësisht jemi pak vonë) nuk tërhiqemi pa e realizuar.

Nuk po pretendojmë për luksin në të cilin deheni çdo ditë nga zyra në zyrë, nga Business class në S class e lloj lloj markash, por thjesht kërkojmë të realizohen të drejtat tona bazike kushtetuese që të mos vdesim nga padija dhe injoranca e një politike që e ka degraduar arsimimin më poshtë se kurrë më parë. S’kemi nevojë as për dialog të rremë që më tepër i ngjan një monologu propagandues se propagande kemi dëgjuar çdo dite, nuk pajtohemi as me ofendime dhe nëpërkëmbje, duam të na realizohen kërkesat që kemi parashtruar dhe të merremi seriozisht sepse forca jonë është reale.

Ne s’kemi përfaqësi sepse ne s’kemi drejtues, nuk intimidohemi e as nuk ndikohemi nga parti dhe organizata të ndryshme, pavarësisht se gjithsecili voton dhe ka bindjen e tij politike. Kjo protestë është iniciuar dhe organizuar nga të gjithë studentët dhe bindja jonë e vetme është realizimi i kërkesave studentore për një arsimim dinjitoz dhe të përballueshëm për të gjithë. Nuk i trembemi pushtetit të asgjëje dhe të askujt sepse kemi pushtetin e rinisë që s’pranon kompromise dhe realisht ju e dini që forca e një rinie që udhëhiqet nga dëshira për t’ia dalë mbanë, është e pakrahasueshme as me etiketimin e pabazuar si ngelësh e as me tentativën për të na lënë në errësirën e shtypjes dhe monotoninë e mos reagimit.

Unë si studente do te tërhiqem nga kjo protestë, në momentin kur Ministrja e Arsimit të dalë me një vendim zyrtar që realizon çfarë kemi kërkuar, s’ka dialog me askënd, s’ka kompromis, s’ka opozitë dhe qeveri, s’ka politike, s’na intereson asgjë tjetër përveç të drejtave tona. Ka ardhur koha e një gjenerate të re qe ka vetëvlerësim dhe e do dijen me shumë sesa zinxhirët e politikës dhe me këtë protestë ju kemi treguar të majtëve e të djathtëve që çdo lidhje me politiken e kemi shumëzuar me zero, për t’i dhënë frymë të drejtave tona. Përgjigja jonë është e qartë, ne nuk tërhiqemi!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.