OPINION

Si kurohet universiteti gjobëvënës?

07:20 - 14.12.18 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Arsimi ynë i lartë publik sot është i sëmurë rëndë. Në kllapi të plotë gjobëvënieje. Ka infektuar me duhmën e tij të rëndë brezin më premtues të shoqërisë. Studentët u ngritën se abuzimi nuk durohej dot më. Sfiduan të ftohtit për të përmbysur trajtimin e tyre si lopë për t’u mjelë nga një administratë universitare e korruptuar dhe e paaftë. Nga tarifa të rritura me 240 për qind në pesë vitet e fundit. Nga 370 euro pagesë tarife vjetore për studentë, që shndërrohet edhe mbi 1 mijë euro në vit, nga pagesat e detyruara nën dorë arsimtarëve të korruptuar.




Nëse të 16 universitetet publike u marrin tarifa zyrtare të 128 mijë studentëve rreth 18 milionë euro në vit, dyfishin e “vjelin” pedagogët abuzues me zarfat-gjoba. Këta janë pedagogë çakenj, tregtarë dijesh e të zvetënuar, që përgatisin provime enkas me pyetje gati të pamundura për t’iu përgjigjur, që sekserët të kenë më shumë sukses në shitjen e tyre tek studentët e dëshpëruar. Sistemi ynë i arsimit të lartë publik ka me qindra arsimtarë dinosaurë që nuk shpenzojnë në internet qoftë edhe një minutë në ditë për t’u riaftësuar me dijet e reja të lëndës së tyre, që ndihen bejlerë të patrazuar në fushën e dijes ku e konsiderojnë veten ekspertë absolutë, pse askush nuk i teston sa u vlen lëkura dhe spaletat “doktor/profesor/profesor i asociuar”, etj. Kjo që po jetojmë këto ditë është kryengritje për përmbysje dhe na fton të gjithëve në rrugë, aty ku në të ftohtë po konsumojnë sakrificën e tyre studentët. Qeveria nuk duhet ta cilësojë “mos-arësye” refuzimin e studentëve për të biseduar me të. Ai është guri i çmuar, zafiri i rezistencës së tyre.

Pse studentët kanë të drejtë të jenë mosbesues me qeverinë. Është e njëjta qeveri që miratoi katër vite më parë një ligj të arsimit të lartë, fort të mirë në dukje, efektiv për universitetet publike gjermane ose franceze, por që prodhoi gjëmën financiare për të 128 mijë studentët e arsimit të lartë publik të vendit tonë. Pse, pa prekur mediokritetin e përgatitjes dhe cilësinë e ulët të mësimdhënies në auditorët tanë, gjeneroi në këto 1288 ditë(nga 22 korriku 2015 kur u miratua) sistemin më monstruoz të gjobvënies për studentët e arsimit të lartë publik, kryesisht të ardhur nga familje me të ardhura të mesme dhe të pakta të shoqërisë sonë, pra nga shumica e familjeve shqiptare. Janë rreth 90 milionë euro gjoba provimesh që ky sistem u ka zhvatur familjeve shqiptare në këto tre vite universitare. Pa përmendur 48 milionë eurot e tarifave zyrtare të paguara deri tani, që bëhen aq lehtësisht 5 milionë euro në vit(vetëm Universiteti Shtetëror i Tiranës) pagesa për roje sigurie, apo makina të blera 76 mijë euro për dekanët tanë.

Kryeministri që bëri publike dje këto shifra skandaloze duhet të kuptojë se arsimi ynë i lartë shtetëror dhe të 16 universitetet e tij nuk shpëtojnë dot nga paraliza pa një kujdestari të fortë e të përkohshme. Dhe kujdestar shtetëror duhet të jetë pikërisht ai dikaster që në emër të autonomisë universitare i la drejtuesit e këtij sistemi të rrjepin studentët, të zerojnë kërkimin shkencor dhe të tallen me shërbimet studentore. Stafet e sotme universitare fatkeqësisht nuk mund të bëhen pjesë e zgjidhjes, pse janë shkaktare të sëmundjes, kllapisë vrastare. Ligji i vitit 2015 për arsimin e lartë e tregoi katërcipërisht se ishte i parakohshëm. Duhet ngrirë! Duhet amenduar urgjentisht, që sistemi të punojë nën një kujdestari të fortë të përkohshme. Me kontroll shembullor mbi financat e universiteteve publike, si nga inspektorët e Ministrisë së Arsimit, edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Me inspektorë cilësie që kontrollojnë nivelin mjeran të sotëm të shumicës së stafit akademik, verifikojnë doktoraturat kallpe e në 80 përqind plagjiatura(kopje) dhe kalojnë në veting të gjithë pedagogët. Qeveria jonë duhet të fillojë nga këto masa, pavarësisht nga zgjatja e protestës studentore. Ia ka borxh këtyre studentëve-prometej kaq gjë. Madje gjithë shoqërisë sonë. Nëse do që ta votojmë në qershor 2021, duhet të kurojë urgjentisht kllapinë-gjobëvënie të arsimit të lartë publik sot.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.