OPINION

Frika ime nga ushtria

07:40 - 15.12.18 Berat Buzhala
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rrëfimet e burrave më të vjetër të fisit për ushtrinë e Jugosllavisë, shërbim ky i detyrueshëm, i dëgjoja me një kureshtje të maces, por edhe më frikësonin tej mase. Ruajtja e kufijve të Jugosllavisë me Austrinë, Italinë, Hungarinë, Bullgarinë, Greqinë ose edhe me Shqipërinë, diku në Slloveni, Kroaci, Serbi a Maqedoni nuk më pëlqente aspak.




“Natën t’lojnë vetë, në pikë të territ…, duhesh me kanë i vëmendshëm…, nëse vjen dikush, ti duhesh me thanë dy herë ‘stoj, stoj’ (ndal), nëse nuk ndalet, atëherë herën e tretë duhesh me e vra…”.

Veç ideja që unë të përballesha në një mal të huaj, shumë larg shtëpisë, me një person që nuk ndalet kur unë i them “stoj”, e pastaj ta vras atë (ani kush se, unë?!), më trishtonte. Unë që nuk kisha guxim të flija vetëm në dhomë as në shtëpinë time, thosha vetë me vete: ta nisja një luftë diku në ndonjë bjeshkë në kufi me Austrinë! Më dukej që po llogaritej më tepër sesa duhet në trimërinë dhe burrërinë time.

“Serbët janë të poshtër, nuk na dojnë…., nuk na dojshin as kroatët qaq shumë, ama bojshin kishe na dojnë për inati të serbëve…, boshnjakët janë kanë ma të mirë…, sllovenët rrishin vetëm….”, vazhdonin tregimet e kushërinjve që gjatë gjithë jetës së tyre nga Kosova ishin larguar vetëm kur kishin qenë ushtar në Bihaç, në Nish, në Novi Sad, a në Lubjanë. Prandaj, kjo gjë ndikonte që ata ta kujtonin çdo detaj të asaj aventure të tyre, edhe pas 30 vjetësh, sepse në ndërkohë nuk kishte ndodhur pothuajse asgjë e rëndësishme në jetën e tyre.

“Kur t’çojnë me bo roje, nuk bon kurrqysh me të marrë gjumi…”. Kjo ishte këshilla më e rëndësishme. Le të themi kryekëshilla.

Dy herë thua “stoj”, të tretën herë gjuan dhe e vret.

Për ta bërë gjithë rrëfimin edhe më të frikshëm, kohë pas kohe, kur flitej për ushtrinë, tregohej për ngjarjen e dhimbshme të një ushtari shqiptar të Kosovës, i quajtur Miftar Hasani, ngjarje kjo që kishte ndodhur në kohën e Jugosllavisë së Parë, atë në mes të dy luftërave botërore.

Miftarin, një djalë të ri, e kishin mashtruar ushtarët serbë, duke ia hequr shulin e pushkës, kur kishte shkuar për të bërë roje natën në mal, në kufi me Hungarinë, në mënyrë që pastaj të shkonin ta provokonin, të bindur që pushka e Miftarit nuk mund të punojë. Miftari e kishte vërejtur lojën që po ia gatuanin ushtarët serbë dhe e kishte huazuar një shul tjetër, nga një shqiptar tjetër, që po bënte roje pak më tutje, në të njëjtin mal dhe në të njëjtin kufi. Për këtë rast është edhe një këngë e gjatë folklorike, e cila tregon që në fund Miftari – PASIQË KISHTE THËNË DY HERË “STOJ” – i kishte vrarë personat që nuk po ndaleshin, e që ishin të sigurt që pushka e Miftari nuk do të bëjë bam. Në fund Miftari i vret provokuesit dhe arratiset në Hungari. Kjo histori është shumë më e gjatë sesa kaq, por për ta përshkruar deri në fund duhet një libër e jo një kolumne.

Përveç anëve negative, kuptohet, shqiptarët tregonin edhe sekuenca pozitive për ushtrinë. Ushqimi ishte njëra prej tyre. “Ka pas me hangër mirë”, pajtoheshin të gjithë.

Mirëpo, unë, pra si fëmijë, në mes të një ushqimi të bollshëm, pasul me mish dhe të bërit roje natën, diku në male të largëta jugosllave, e zgjidhja me më shumë dëshirë që të hiqja për bukë. Edhe nëna pajtohej me mua. Baba, i cili e kishte kaluar me sukses këtë sfidë, qeshte.

Raporti i shqiptarëve dhe ushtrisë jugosllave, që njihej si Armata Popullore Jugosllave, në pjesën e dytë të viteve të ‘80-ta sa vinte e bëhej më i rrezikshëm. Kishte filluar të mos kishte vlerë as rregulla e artë “dy herë stoj e pastaj vrite”. Tash po kryheshin vrasje pa paralajmërim.

Situata u tensionua posaçërisht kur ndodhi një krim i rëndë në një kazermë në qytetin e Paracinit, në Serbi, ku u tha që Aziz Kelmendi, një shqiptar i Kosovës, i vrau në dhomën e tyre të gjumit katër ushtarë dhe plagosi shumë të tjerë. Kjo masakër, që kurrë nuk është zbardhur si duhet, e përshkallëzoi gjithë situatën politike në Jugosllavi, edhe ashtu në degradim e sipër. Imazhi i ushtarëve shqiptarë në ushtri u rrënua. Propaganda serbe ishte e pamëshirshme. Djemtë e Kosovës që po shërbenin në ushtrinë e Jugosllavisë po kalonin në një situatë mjaft të rëndë. Në rrethana të errëta, disa ushtarë shqiptarë, po u ktheheshin familjeve në arkivole. Një prej tyre ishte edhe Jetullah Desku, nga fshati Siqevë, një fshat i afërt me Çabiqin. Si nxënës i shkollës fillore, mora pjesë në ceremoninë e atij varrimi, që ishte njëra prej më masiveve që e kam parë ndonjëherë. Jetullahu, për të cilin ushtria jugosllave thoshte që ishte vetëvrarë, ishte mbyllur në një arkivol hermetik, që nuk mund dhe nuk duhej të hapej. Ngjashëm si ky u vranë edhe disa djem të tjerë.

Pra, kjo ishte ushtria për mua si fëmijë. Ishte çdo gjë tjetër, përveçse një institucion që mund ta doje. Ajo ishte një e keqe nëpër të cilën do të duhej të kaloje. Në fillimin e viteve të ‘90-ta, tashmë askush nuk e kishte as iluzionin më të vogël që ushtria e Jugosllavisë ishte një ide e mirë. Për të ikur prej saj, qindra-mijëra djem, të moshës prej 18 vjeç e sipër, i mbushën autobusët, trenat dhe ikën për në Perëndim, për t’u kthyer në vendlindjen e tyre pas 10 vjetësh, kur Kosova u çlirua përfundimisht nga trashëgimtarja e asaj ushtrie, ushtria serbe.

Unë mbeta. As nuk shkova ushtar e as nuk arrita të ikja. Prej atëherë e deri më sot, rregullisht, në muhabete normale, ata që janë më të moshuar, kur fillojnë tregimet e tyre për ushtrinë, më pyesin “ti a e ki ushtrinë të kryme?”. Kjo në fakt ka qenë njëra prej pyetjeve më të shpeshta që u bëhej djemve. Thuhej që “pa e kry ushtrinë nuk bëhesh burrë” e së këndejmi nuk ka as nuse e as martesë. Zakonisht ata që nuk ishin kualifikuar për të shkuar ushtar, konsideroheshin si persona të paaftë mentalisht. Për t’u kualifikuar për të qenë i paaftë nevojiteshin të kaloheshin disa teste te psikiatri. Secili i ka pasur në familjet tona disa djem që kishin bërë gjithçka që ishte në mundësitë e tyre për ta bindur psikiatrin që janë “nesposoban” (të paaftë për ushtri). Edhe këto kanë qenë tregime të lezetshme dhe plot humor. Tregohej se si filan personi, kur është ishte paraqitur te mjeku, e kishe ndezur cigaren kah bishti, ose ishte ulur në dysheme në vend të ulëses, ose kishte bërë grimasa të ndryshme. Disa prej tyre kishin pasur sukses në aktrimin e tyre – nëse kishte qenë aktrim – e disa prej tyre kishin dështuar. Mirëpo, në përgjithësi nuk ka qenë ide e mirë që të shmangesh nga përfundimi i shërbimit ushtarak, pa marrë parasysh peripecitë. Ushtarët përcilleshin për në ushtri me shumë fanfare, e njësoj edhe priteshin prej atje kur ktheheshin. Krejt çka mbetej pastaj për të ishte edhe faza finale e burrërimit të tij: martesa.

Testin e parë të aftësisë së tyre mashkullore për t’u martuar, këta djem, si duket e kalonin gjatë kohës kur ishin në ushtri. Në kazermat jugosllave, këta djem, kështu së paku na tregonin, i krahasonin organet e tyre mashkullore me pjesëtarët e kombeve të tjera të Jugosllavisë. Me plot mburrje tregonin, kur ktheheshin, se askush nuk mund të matej me shqiptarët në këtë drejtim. Unë jam frikësuar që edhe këtu do ta ul mesataren e kombit tim. (Po shpresoj që nuk keni arritur deri këtu me lexim.)

Unë jam i bindur që djemtë, tash edhe vajzat, që Kosova prej sot do t’i quajë ushtarë të saj, nuk do t’i kenë këto trauma. Së paku shpresoj që do t’u ofrohet pak më shumë privatësi kur bëjnë dush.

Urime!

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.