AKTUALITET

Grabitja e 7.5 mln lekëve, dëshmojnë 2 policët privatë: Ata ishin të armatosur…

16:30 - 16.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Klodiana Haxhija – Dy policë privatë që shoqëronin makinën që u grabit mbrëmjen e së premtes në Shkozet kanë përfunduar në prangat e policisë së Durrësit. Bëhet fjalë për shtetasit Fejzi Saka dhe Astrit Gjata, të dy me banim në qytetin bregdetar. Ata u arrestuan, pasi dyshohet se nuk kanë vepruar në momentin që makina që transportonte shumën prej 7.5 milionë lekësh të reja të Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor në një bankë të nivelit të dytë, e cila ndodhej vetëm 500 m larg.




“Specialistët për krimet në Komisariatin e Policisë Durrës kanë arrestuar në flagrancë shtetasit: F.S. 46 vjeç, punonjës në shoqëri sigurimi private dhe A.Gj. 55 vjeç, banues në Durrës, punonjës në shoqëri sigurimi private.

Shtetasit e mësipërm janë arrestuar pasi dyshohet të kenë konsumuar veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” ku ditën e djeshme, në lagjen nr.14 Shkozet dyshohet se 3 persona me një mjet, nën kërcënimin e armës dhe të maskuar i kanë dalë përpara një mjetit (shoqëri private sigurimi) që po transportonte lekët e Ndërmarrjes së Drejtorisë Rajonale të Transportit Durrës në një bankë të nivelit të dytë dhe i kanë marrë një shumë parash.

Vijon puna për kapjen e autorëve të dyshuar”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë së Durrësit. Ndërkaq, dy policët privatë kanë deklaruar se nuk kanë abuzuar me detyrën dhe se e kishin të pamundur të reagonin, pasi tre grabitësit u kishin vënë armët në kokë.

DËSHMIA E POLICËVE PRIVATË
“Jemi të pafajshëm për ngjarjen e ndodhur në Shkozet, pasi tre persona na sulmuan dhe na vunë armët në kokë. Nuk kishim mundësi të bënim asnjë veprim. Nuk kishim mundësi të ndërhynim, pasi çdo gjë ndodhi shumë shpejt e në mënyrë të befasishme”, janë shprehur gjatë marrjes në pyetje policët e kompanisë private të sigurimit. Ndërkaq, ata kanë deklaruar se tre personat u zunë pritë në rrugë. “Të tre personat që na zunë pritë në rrugë ishin të armatosur dhe të maskuar. Ata mbanin kapuça në kokë dhe nuk mundëm t’i njihnim”. Nga ana tjetër, blutë e Durrësit bëjnë përgjegjës dy policët privatë për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së premtes në Shkozet. Sipas policisë së Durrësit, ngjarja ka qenë e mirëorganizuar.

GRABITJA
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Shkozetit, 100 m para mbikalimit të Unazës së plazhit. Tre personat e maskuar kanë shfrytëzuar kohën e keqe me shi dhe në një moment kur nuk ka pasur qarkullim rrugor të dendur dhe i kanë zënë pritë makinës së blinduar së një firme private sigurimi që po transportonte paratë e Drejtorisë Rajonale të Transportit Durrës në një bankë të nivelit të dytë. Burime pranë grupit hetimor pohuan për “GSH” se autorët e krimit kanë qenë në dije të transportit të parave si dhe shumës që po transportohej në një gjatësi rruge prej 500 m. Po të njëjtat burime sqaruan, se grabitësit fillimisht kanë neutralizuar policët privatë dhe nën kërcënimin e armëve i kanë urdhëruar të hapnin derën e blindit. Ata kanë marrë kasafortën dhe janë larguar me një automjet tip “Benz” me ngjyrë të zezë në drejtim të Shijakut. Maskat kanë përfituar dhe nga shiu i dendur dhe errësira, për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë. Sipas hetuesve të çështjes, gjithçka ka ndodhur shumë shpejt dhe ka qenë e mirëorganizuar. Pas sinjalizimit për ngjarjen, policia ka ushtruar kontrolle të shumta në të gjithë zonën dhe përgjatë brigjeve të lumit Erzen deri në orët e vona të mbrëmjes.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.