AKTUALITET

Nga Erla Mëhilli tek Anila Godo, rrudhet lista e kandidatëve për Këshillin Kombëtar

11:08 - 16.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Demokratët votuan dje për anëtarësinë e re të Këshillit Kombëtar, i cili ka një pjesë të anëtarëve të garantuar automatikisht për shkak të funksioneve brenda partisë, ndërsa pjesë e listës së kandidatëve janë bërë edhe një pjesë e ish-deputetëve, me përjashtim të zërave më të fortë kundër Lulzim Bashës, si Majlinda Bregu, Astrit Patozi, Ridvan Bode dhe Genc Ruli. E vetmja ndër kritikët e Bashës, Jozefina Topalli, për shkak të funksionit si ish-kryetare e Kuvendit nuk mund të përjashtohej nga lista. Por ende pa nisur mirë punimet e Kuvendit Kombëtar të PD, gjatë të cilit do të zgjidhen drejtuesit e rinj në Këshillin Kombëtar të partisë, lista me 350 kandidatë e shpallur një dy ditë më parë ka pësuar largimet e para. Janë Erla Mëhilli, Edith Harxhi, Mimoza Hajdarmataj, Anila Godo, Arben Skenderi, Fabjan Topollaj dhe Valbona Mezinit.




Arsyet
Ish-zëdhënësja e PD-së Erla Mëhilli njoftoi dje se tërheqja nuk është aktuale, por një vendim që ishte marrë më herët për të mos rikandiduar më, pas dy mandateve radhazi. “Për këtë vendim timin njoftova edhe strukturat drejtuese të PD. Por, sot (dje) e pashë emrin tim në listë dhe ndihem e detyruar që të sqaroj: “Për arsyet e mia personale kisha vendosur të mos kandidoja më për në KK të PD-së, pas dy mandateve radhazi e zgjedhur në këtë forum”. Pas ish-zëdhënëses së Berishës, një tjetër demokrate u tërheq nga gara. Edhe Edith Harxhi, ish-zëvendës ministrja e Punëve të Jashtme, njoftoi dorëheqjen. Sipas saj PD sot duhet të ishte në protestë dhe jo e mbyllur në salla e marrë peng. “Unë tërhiqem nga gara për Këshillin Kombëtar të PD pasi si ish- studente dhjetori mbështes fuqimisht dhjetorin e dytë shqiptar dhe se PD duhet të ishte sot në protestë dhe jo e mbyllur në salla dhe e marrë peng. Jam kundër grevëthyerjes!” shkruan Harxhi.

Akuzat
Edhe më i ashpër ka qenë në njoftimin e tij për t’u tërhequr Edvin Kulluri. “Duke u nisur nga situata e rëndë në të cilën ndodhet PD, për shkak të ‘leadership’-it të saj që vepron në kundërshtim të hapur me çdo parim demokratik, deklaroj tërhe-qjen nga gara ‘farse’ për anëtar i Këshillit Kombëtar”, shkruan ai në ‘Facebook’. Ndërkohë që më i ashpër në qëndrimin e tij, është pedagogu Fabian Topollaj, i cili shprehet se z.Basha duhet të ndryshojë edhe emrin e partisë. Arben Skënderi mohoi se është pjesë e garës për Këshillin Kombëtar të PD-së. “Tërhiqem nga kjo pseudogarë! Kjo nuk është PD që duan demokratët, por një hibrid i quajtur “Republika e Re” e krijuar për qëllime personale dhe financiare të një grupi të vogël familjar. Opozita e vërtetë është sot në shesh”-shkruan Skënderi.

Ish-ministrja
Ish-ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, emri i së cilës ka qenë në listën e kandidatëve për Këshillin Kombëtar të PD, sqaroi se ajo nuk ka aderuar asnjë herë për këtë post. Në një komunikim të shkurtër për mediat Godo shkruan se emri i saj në listën e gjatë me siguri është një keqkuptim. Edhe pse e konsideron një vlerësim të madh, përfshirjen në listat e Këshillit Kombëtar të PD, ish-ministrja Anila Godo shprehet se emri i saj në të është një keqkuptim. “Unë kam qenë dhe jam njeri me bindje të djathta, anëtare e PR që prej fillimit të demokracisë. Prej 10 vjetësh, për shkak të angazhimeve të shumta në jetën akademike e spitalore, nuk jam një person aktiv në politikë. Nuk kam kandiduar për anëtare të KK të PD. Ndaj emri im në listë, është me siguri një keqkuptim, edhe pse e konsideroj si vlerësim të madh.”-shprehet zj.Anila Godo.

Ish-deputetja
Ish-deputetja Mimoza Hajdarmataj, shprehet se mbështet PD, por angazhimi në shoqërinë civile e pengon të jetë pjesë e KK. “Prej pothuajse një viti po drejtoj qendrën “Gratë në Shërbim Publik”, me mision kryesor fuqizimin e grave dhe vajzave për t’u bërë pjesë e shërbimit publik në të gjitha hallkat e tij. Për shkak të këtij angazhimi të ri në shoqërinë civile, një mision sa i rëndësishëm aq edhe i dobishëm, i kam paraqitur kërkesën, z.Lulzim Basha për të mos kandiduar më për forumin më të lartë të PD-së, siç është Këshilli Kombëtar”, tha z.Hajdarmataj. Ndërsa Valbona Mezini shprehet: “Për të gjithë ata që më kërkojnë llogari për funksionet që mbaj si propozim i Lulzim Bashës, do të komunikoj në ditët në vijim vendimin tim për lënien e këtyre funksioneve dhe arsyet se përse këto funksione nuk mund të ushtrohen si përfaqësues i një opozite që masivisht ka humbur besimin publik dhe perceptohet fasadë e maxhorancës së Ramës që po shkatërron vendin”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.