OPINION

Për një arsim universitar publik cilësor dhe falas

07:20 - 17.12.18 Valbona Nathanaili
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Mbas dhjetë ditësh, mbushur me protesta të studentëve të universiteteve publike në Rrugën e Durrësit, përballë Ministrisë së Arsimit, si dhe në bulevard, përballë Kryeministrisë dhe të mijëra studentëve të tjerë nga të gjitha universitetet publike të Shqipërisë, për shkak të tarifave të papërballueshme, ndërkohë që nuk justifikohen me cilësinë e mësimeve, diplomës e të infrastrukturës, me nivelin e aftësive të shumë pedagogëve, me mungesën totale të laboratorëve e mundësive për të qenë pjesë e kërkimit shkencor, në rrjedhojë të:




  • Një ligji, për të gjitha llojet e institucioneve të arsimit të lartë, por që penalizon universitetet publike.
  • Një vendimi, për t’u regjistruar në arsimin e lartë sipas meritës e preferencës, por promovon amulli, kaotizëm dhe i hap luftë çdo lloj politike sociale.
  • Një udhëheqje nga një grup njerëzish të interesuar të ruajnë këtë gjendje degradimi dhe që synim të vetëm kanë shpartallimin me sukses, ditë pas dite, të interesave të publikut.
  • Zhdukjes nga synimet prioritare të qeverisë, të zhvillimit të arsimit publik.
  • Hartimit të politikave të edukimit nga një grup njerëzish, që e kanë edukimin një biznes më shumë dhe interesat e shoqërisë një llogore tjetër që duhet shpartalluar.

 

Kërkohet:

  • Të bëhet një ndryshim rrënjësor e cilësor në arsim, sepse arsimi nuk pret!
  • Që ndërmjet shpenzimeve të luksit që propozohen për rrugë e vepra që do i kishin zili edhe vendet më të përparuara të Evropës, dhe shpenzimeve më shumë nga buxheti i shtetit për arsim të lartë publik e cilësor, të zgjidhet alternativa e dytë, sepse të gjithëve duhet t’u jepet mundësia të mësojnë e ndjekin një shkollë të lartë cilësore.

 

Kërkesat e të rinjve që prej dhjetë ditësh qëndrojnë në protestë, në bulevard, ndërkohë që duhej të ishin në auditorë e laboratorët e kërkimit shkencor, janë kërkesat e të gjithë shoqërisë!

Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë vendi i pabarazive dhe shpërndarjes josimetrike të mundësive. Në këto tri dekada postkomunizëm, biseda për arsimin e lartë është mbizotëruar vetëm nga zërat që e kanë parë këtë sektor si treg, si mundësi për të bërë biznes, për të fituar dhe abuzuar, dhe asnjëherë si interes publik. Sistemi arsimor ka detyruar më shumë të rinj të largohen, ka prodhuar më shumë të papunë, ka nxitur gjithnjë e më shumë pakënaqësi.

Si shoqëri duhet t’u japim mundësi të gjithëve të mësojnë e të ndjekin një shkollë të lartë e të marrin një arsim cilësor sa më bashkëkohor – askush nuk duhet të ndihet i përjashtuar, ose i lënë mënjanë për mungesë fondesh a të ardhurash. Fëmijët e atyre që nuk kanë, duhet të edukohen po aq mirë sa fëmijët e atyre që kanë.

Shërbimi që një edukim cilësor i bën shoqërisë, materializuar në një universitet publik e të arritshëm për të gjithë është i madh. Për këtë arsye, sa më i madh të jetë shërbimi, aq më e vogël duhet të jetë pagesa e konsumatorëve të tij.

Pas plotësimit të menjëhershëm të të gjitha kushteve të vendosura nga studentët, artikuluar qartë dhe pa ekuivok, rruga e mëtejshme duhet të jetë:

  1. Rritja e buxhetit të shtetit për arsimin e lartë publik, në nivelin e mesatares së vendeve evropiane. Një e ardhur që mund të krijohet është krijimi i një takse emergjente për arsimin, për një periudhë 5- vjeçare, nga të gjitha kompanitë e korporatat me një buxhet përtej një vlere të caktuar.
  2. Ndryshimi i mënyrës së regjistrimit në institucionet e arsimit të lartë publik: si hap të parë, duke hequr listimin e universiteteve private nga formulari që plotësojnë maturantët-kandidatët për studentë.
  3. Ndryshimi i Ligjit Nr. 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë (i ndryshuar me Ligjin Nr. 9832, datë 12.11.2007) sepse:
  • Cenon autonominë e universiteteve publike, në shumë pika, veçuar: Neni 14, pika c, “Senati akademik vendos me shumicën e votave të anëtarëve të tij projektbuxhetin e institucionit, pasi merr miratimin nga këshilli i administrimit”; Neni 15, pika ë, “Rektorati zbaton të gjitha vendimet e miratuara nga senati akademik dhe këshilli i administrimit”; Neni 16 Këshilli i administrimit, pika 1: “Këshilli i administrimit është organ kolegjial vendimmarrës, që mbikëqyr e kontrollon veprimtaritë e institucionit të arsimit të lartë, që lidhen me menaxhimin administrativ, financiar, ekonomik dhe të pronave të tij; pika 4: Këshilli i administrimit përbëhet nga: a) anëtarë të personelit akademik, së paku me gradë shkencore, të zgjedhur drejtpërdrejt nga personeli akademik i çdo njësie kryesore të institucionit; b) anëtarë të caktuar nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, përfaqësues nga fushat e shkencës, ekonomisë, kulturës, autoritete të pushtetit qendror dhe vendor; c) një anëtar, përfaqësues i zgjedhur nga këshilli i studentëve të institucionit; pika 5: Anëtarët, sipas shkronjës “b” të pikës 4 të këtij neni caktohen dhe shkarkohen nga ministri i Arsimit dhe Shkencës. Numri i anëtarëve të caktuar është një më pak se gjysma e numrit të anëtarëve të këshillit të administrimit. Këshilli i administrimit zgjedh kryetarin prej anëtarëve të brendshëm të tij, me dy të tretat e votave të të gjithë anëtarëve.

 

  1. Krijimi i një Asambleje Kombëtare për Arsimin, me këto detyra e përgjegjësi:
  • Funksionon për një periudhë 2-vjeçare, me përbërje jo më shumë se 100 veta nga të gjitha universitetet publike, pedagogë e studentë, si dhe grupe të ndryshme interesi, që do të mblidhet në Kuvendin e Shqipërisë, një herë në muaj.
  • Ka detyrë draftimin e një strategjie për përmirësimin e zhvillimin e arsimit të lartë në veçanti dhe arsimin në përgjithësi.

Arsimi nuk pret!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.