OPINION

Protesta e të rinjve studentorë, një energji pozitive për vendin

07:20 - 18.12.18 Miron Çako
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rinia është një energji pozitive e shoqërisë, që gjithmonë duhet të merret në konsideratë me vëmendje maksimale nga më të rriturit. Të jesh i ri nuk do të thotë të kesh vetëm një trup vital plot energj jetike, por të kesh një ndërgjegje të pastër, plot energji intelektuale, me guxim vizionar për ndërtimin e shoqërisë dhe në të mirë të vendit, ashtu si thekson Benjamin Disraeli (1804 – 1881): “Të rinjtë e një kombi janë kujdestarët e brezave të ardhshëm”.




Protesta e të rinjve studentorë, e mbështetur edhe nga gjimnazistët jo vetëm në kryeqytet, por edhe në qytetet e tjera, duhet parë me optimizëm si një energji pozitive, si antikorp i shfaqur natyralisht në trupin e shoqërisë sonë, për të shëndoshur pjesën e saj të sëmurë nga infeksioni, i amoralitetit, papërgjeshmërisë, abuzimit dhe padrejtësisë, që bëjnë të rriturit, të cilët për shkak të shtresës së gabimeve të tyre, e kanë trashur ndërgjegjen edhe nuk kuptojnë se po gabojnë jo vetëm ndaj vetes, por edhe ndaj të ardhmes së fëmijëve të tyre.

Protesta e të rinjve, e cila po përshkallëzohet çdo ditë e më shumë ,duke kërkuar nga qeveria zbatimin e kërkesave të tyre për ulje tarifash, kushte më të mira në shkollë, konvikte dhe pjesëmarrje në vendimmarrje për problemet e arsimit në universitete, pavarësisht tensionit që ajo shfaq, ajo është një treguese shumë pozitive dhe optimiste, që rinia shqiptare pavarësisht kushteve të vështira ekonomike, sociale, që po përballon me gjithë pjesën tjetër të shoqërisë, është një rini me një aspiratë të lartë intelektuale, për një arsimim më cilësor dhe meritokraci.

Kjo protestë tregon se nesër këta të rinj duan të jenë shtetas sa më të përgatitur dhe të përgjegjshëm për të mirën e Shqipërisë, vendit tonë, që gjeografikisht është në kërthizë të Europës.

Protesta e të rijnve duhet të na japë gëzim dhe shpresë të madhe të gjithë si popull, sepse me këtë rini, me të tilla aspirata arsimdashëse, ky vend me një tranzicion të stërgjatur mund të bëhet një ditë të shpejtë si gjithë Europa.
Vetëm në qoftë se të rinjtë do të ishin pasivë në situatën ku ndodhet arsimi dhe mësimdhënia sot, atëherë duhet të shqetësoheshim dhe të trembeshim, sepse një rini që nuk interesohet për arsimin e saj është një qelizë e vdekur e shoqërisë dhe pa shpresë për të ardhmen, ashtu si thekson dhe tragjediani grek, Euripidi, (480 – 406 pr.K): “Kush neglizhon të mësuarit në rininë e tij, humbet të kaluarën dhe është i vdekur për të ardhmen”.

Prandaj mendoj se protesta e të rinjve studentorë duhet mbështetur nga i gjithë populli, pedagogët, partitë politike dhe aktorët vendimmarrës, jo për t’i marrë me të mira që të ulin vrullin e protestës, ose më keq për t’i përdorur si mish për top që të rriturit të shkarkojnë mllefet kundër kundërshtarit, apo për të përfituar kredibilitet politik dhe rotacion pushteti, por që të gjithë të rriturit e përgjegjshëm të këtij vendi të mblidhen sa më shpejt, që të zgjidhet me më mirën e mundshme kjo situatë kolapsi e arsimit të lartë, për të mirën e arsimimit të të rinjve studentë, një çështje me rëndësi të madhe kombëtare, jo vetëm për të ardhmen, por edhe për të tashmen e vendit, ashtu si thotë edhe kryepiskopi i K.O.A.SH- it imzot Anastasi, se: “Rinia nuk është vetëm e ardhmja, por edhe tashmja”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.