MILOSAO

Poezi nga Alfred Mehmeti

16:45 - 06.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një përsiatje për kohën ku jetojmë dhe udhëkryqet që has individi shqiptar në këto realitete. Sugjerojmë se autori mund të shkonte më mirë afër prozës në këtë valë mendimesh…




Nga Alfred Mehmeti

PARA FILLIMIT TË FILLIMIT
Shumë gjëra ndodhën
para fillimit të fillimit.

Shumë gjëra që u harruan
dhe ky ishte fundi,
fundi që shtrihej para fillimit të fillimit.

Pak a shumë si të duash
që të zbulosh e të çelësh një portë,
por t’i qasesh asaj nga ana e gabuar
dhe ndërkohë që ti mendon se e ke hapur,
atë e ke mbyllur përgjithmonë.

Kështu që jo më kot,
para se ne të hynim…
dilnim,
më parë se të fillonte nisja…
fillonte kthimi.

PEIZAZH DIMËROR
NGA ATDHEU
Ndalova mu atje në mes të rrugës
për të ndezur një cigare
mes fushëtirës pa rrugë mbuluar krejt nga bora.
(fushëborë e pamatë e atdheut tim diellvogël)

Një muzikë ere frynte nga të gjitha anët,
e përvajshme me tinguj brisku e që të priste si brisk;
pemët e zhveshura tundnin degët, si ca shkopinj dirigjenti
e një kope dhish si një kortezh shkonte mes pemëve
udhëhequr nga tingujt si prej kambane të ziles së një cjapi…
në mungesë të bariut.

Muzikë ere, tinguj kambane, një tufë dhish,
si një kortezh i përzishëm nisur drejt varrezës
për të varrosur kë… a thua vetë bariun,
për të varrosur ku, në ç’varrezë…
mes bardhësisë së varreztë të këtij peizazhi,
plot brigje e dallgë e duna dëbore
ku si ca hije të mugëta përtej presin ujqërit.

Ndalova mu atje në mes të rrugës
për të ndezur një cigare
mes fushave pa rrugë mbuluar nga bora krejt
dhe m’u duk se aty kisha një përjetësi, një jetë:
qenie e ngrirë harruar mes dëborës
aty kisha lindur … aty kisha vdekur.

MAKTH
Ai zgjohet në mëngjes
dhe ëndrrën e shikuar në gjumë gjatë natës
fillon ta pronësojë në telajo.
(ai ka lekë…pashtershmërisht ka lekë)

Si fillim nga gjeografia e botës,
ja ku merr vetëm disa male,
që i vendos në sfond të telajos…
(eh, bota ka male me shumicë
dhe s’dëmtohet nga kaq pak gjë)

Më pas merr disa përrenj e lumenj,
që i vendos të rrëshqasin tatëpjetë maleve:
silueta të kaltra që bëjnë ski…
(dhe bota fillon të vuajë nga etja,
disa dete dhe liqene fillojnë të shteren,
fillojnë të mpaken si qenie shëndetliga)

Më pas merr fushnaja të pafundta me kallëza,
grunaja të arta , të cilat i vendos
në qendër të telajos…
(dhe diku nëpër fusha të shkreta të planetit
drapri i urisë kosit e kosit
kallëza fëmijësh të pangrënë e të brishtë)

Para se të mbushë çekun për të paguar
së fundmi merr diellin në perëndim
dhe e vendos në sfond të telajos…
(ai ka lekë…pashtershmërisht ka lekë…
dhe e gjithë bota zhytet në terr)

Dhe ndërsa i kapitur prej ditë-artit,
në natën që pllakos, ndërsa bie e fle…
atje lart, universi, me mornica yjesh
rrënqjethet e mban frymën, se ku i dihet
në gjumë atij çasti çfarë ëndrre ai sheh…

Bu-u-u…SA I TMERRSHËM NJERIU
Zbresin nga Qielli
e mbi fronat e horizonteve
pasi ulen perënditë,
në amfiteatrin e Tokës shohin
sesi luhen tragjeditë,
sesi linden mijëra vdekje të reja
çdo ditë… çdo ditë.

“Bu-u-u…sa i tmerrshëm njeriu!”

E ndërsa sërish netëve
perënditë ngjiten lart në Qiell,
plot rrënqethje e tmerr,
duke ndezur qirinjtë e yjeve,
nuk dihet se cilës perëndie
perënditë i luten për fatin e tyre.

“Bu-u-u…sa i tmerrshëm njeriu!”

GJOBA NGA E ARDHMJA
Sot ma gjeti adresën
një tjetër dëng me gjoba
të faturuara nga e ardhmja.

Sikur të mos mjaftonin
kaq e kaq fatura gjobash nga e shkuara:
– Gjobë…për syrin tënd të keq
se me shikimet e tua ke vyshkur
lulet e kopshtit të zonjës Jozefinë…
(e të mendosh që unë sytë s’i kam as të bardhë…!)
– Gjobë…se me këpucët e tua të përbaltura
ke shkelur hijen e qenushes së zotit Koço…

Sikur të mos mjaftonin këto,
ja pra, ku sot ma gjen adresën
një tjetër dëng me gjoba,
të faturuara tashmë nga e ardhmja.

E para vjen nga viti 2031,
edhe pse tani jemi në vitin 2014:
– Gjobë se me makinën tënde rrangallë
ke shtypur macen e deputetit filan…
– Por unë s’kam as patentë! – protestoj.
Dhe as që kam ndërmend, as ëndërroj
që në të ardhmen të blej makinë ndonjëherë.
– E di ti – më thonë – apo e dimë ne?!

E dyta…nga viti 2055:
– Gjobë…për nxitje dhe pjesëmarrje
në një protestë të paligjshme kundër gjobave!

E treta…nga viti 2069:
– Gjobë…për parashikimin ogurzi
dhe fatkeqësisht jo të rremë
ndaj kryeministrit të vendit,
i cili do bjerë nga kolltuku
e do të thyejë kërbishten.

Tjetra…nga viti 2098:
– Gjobë për…
– Nga viti 2098?! – shqyej sytë.
Por unë atëherë i takon
që të jem njëqind e njëzetë e pesë vjeç
ose më saktë…të mos jem fare në jetë!
– E di ti apo e dimë ne?! – më thonë.
Pale, po e mban veten dhe për profet!

Plasin mbi tavolinë dëngun e gjobave
dhe largohen.

U ENDËN SHPIRTRAT E SHIRAVE TË VDEKURA
U endën shpirtrat e shirave të vdekura,
në kërkim të një strehëze,
qiell pas qielli…si beduinë,
gjersa gjetën për t’u strehuar
gjoksin e popullit tim.

Dhe që atëherë, nga sytë e tij
shi rigon përherë,
prej shekujsh, prej motesh,
si në një përmbytje botësh,
o popull lotësh,
që nga sytë rigon përherë
shira lotësh…lot shirash
mbi një tokë të shkretë e djerrë.

Ç’ËSHTË KY POPULL?!
Ç’është ky popull që kapërcen shekujt…
ecën e ecën e në vend mbetet?!

Njëra këmbë para…pas shkon këmba tjetër,
ç’është ky popull që ecën e ecën?!

Përreth borë e akull…në krahë mban veten,
ç’është ky popull që ecën e ecën?!

Njëra dorë që lyp…i zgjatet dorës tjetër,
ç’është ky popull që ecën e ecën

qarkuar përreth nga horizontet e vdekjes?!

NDERI KA FILLUAR TË MBILLET TASHMË
Nderi ka filluar të mbillet tashmë
në tokën e turpit…prej gjithsecilit:
prej të gjallëve e të vdekurve, prej baballarëve e bijve,
prej stërgjyshërve e të palindurve akoma.

Farat prej kohësh janë varrosur poshtëdheut,
filizat prej kohësh kanë dalë në dritë,
trungjet prej kohësh janë burrëruar në drurë.
Gjithsecili i mburret gjithsecilit me pemën e vet,
me kurorën, me hijen, me rekordin e saj qiellor,
paçka se secila pemë nderi është një fotokopje,
motër siameze e çdonjëre peme tjetër.

E njëjta pemë nderi, që gjithsecili e shpall të shenjtë,
kurbane duke i bërë…duke e ujitur me gjak,
të njëjtat gjethe hithrash…degëve të saj,
që të përvëlojnë e të bëjnë të skuqesh,
të njëjtët fruta qeporë në ajër,
që të bëjnë të lotosh, kur i zhvoshk.
Pemë nderi: degë e trungje, shkopinj e kryqe,
për të rrahur publikisht këdo që rron me nder,
por nuk ka se ku ta mbjellë një pemë nderi…
për të kryqëzuar këdo që nuk e ka një atdhe,
se ka turp të ketë atdhe…një tokë turpi.

JETOJ NË NJË VEND
Jetoj në një vend,
që ekziston ende në hartat e hapësirës,
por është zhdukur nga hartat e kohës,
zhdukur është nga hartat e kujtesës.

Jetoj në një vend,
që mban mend gjithçka:
emrat e objekteve, të sendeve,
të maleve, të fushave, të lumenjve,
të yjeve e të galaktikave,
por harroi emrin e vet
dhe kur e pyesin,
ai s’di të të thotë sesi quhet,
kështu që edhe atë vetë
tashmë e kanë harruar.

Jetoj në një vend,
të përjashtuar nga ligjësitë e universit,
ku asgjëja dhe hiçi
kanë peshën më të rëndë të gravitetit,
asgjëja dhe hiçi
kanë perimetrin dhe sipërfaqen më të madhe,
asgjëja dhe hiçi
mund të shiten e të blihen shtrenjtë
dhe diçkaja…gjithçkaja
kanë peshën dhe sipërfaqen zero
dhe nuk kushtojnë as edhe një cent.

Jetoj në një vend,
ku për asgjënë
s’mjafton as përjetësia që të flasësh,
kurse gjithçkaja lind e vdes brenda çastit,
ku gëzimet kanë emra trishtimesh,
e trishtimet kanë emra gëzimesh.
Jetoj në një vend,
tek i cili jetojnë miliona zemra,
por ai vetë nuk jeton në zemrën e askujt.

PËRRALLË PËRGJUMJEJE
Një këngë somnambujsh ç’i dremiti udhët
me mjegull ninulle, me tinguj opium.
Shshsht!
Qyteti është një foshnjëz e vogël,
që me nina-nana po e vënë në gjumë.

Qan, sa gati meket, si t’i dhembë diçka.
Po çfarë mund t’i dhembë një qyteti vallë?!
Shshsht!
Qyteti është një foshnjëz e vogël,
që për ta përgjumur i tregojnë përrallë.

Përrallë e rrëfyer prej bishave vetë,
me ujqër të zbutur, me engjëj çakaj.
Shshsht!
Kaprollët të shqyejnë, sepse kanë kthetra
dhe dhëmbë të tmerrshëm… të tmerrshëm…çataj.
Kur të gjitha këto ia afrojnë si lodra,
luan sa kapitet, pastaj fle, s’bën gëk.
Shshsht!
Kaprojtë përdhe… flakur copëra-copëra,
ujqërit përqafuar…gushur mbi jastëk.

ME VONESË VJEN KOHA NË VENDIN TIM
Me vonesë vjen koha në vendin tim:
me muaj…me vite…me shekuj.

Me vonesë linden edhe heronjtë në vendin tim,
kur në të gjitha vendet e tjera kanë vdekur.

Me vonesë lidhen edhe frutat në vendin tim,
kur në vendet e tjera janë pjekur,
ngrënë…kalbur…e tretur.

Me vonesë vjen koha në vendin tim
dhe në të tashmen tonë ne jetojmë
jo të tashmen e saj,
por të shkuarën e saj të largët e të vdekur,
duke e jetuar si të jetë e gjallë…
në gjallimin tonë të vdekur.

QIELL I PREMTUAR
Moisiut iu shpall misioni hyjnor:
të udhëhiqte popullin e tij
nga Egjipti…drejt Tokës së premtuar,
nga Toka…në Tokë.

Tani që misioni u përmbush,
mbetet të kryhet udhëtimi
nga Toka…në Qiell.

Por udhëheqësi s’është zgjedhur ende
dhe ende s’është zgjedhur ylli
drejt të cilit duhet të shtegtojmë.

Për më tepër, paçka se flitet për dietat,
njeriu ka filluar të shtojë tepër në peshë
dhe pusin e kujtesës së vet
e ka të mbushur me gurë të rëndë mëkati
e shpirtrave ende s’u janë rritur krahët,
që t’i mbartin trupat e tyre drejt Qiellit.

E humbëm edhe këtë jetë
për të nisur shtegtimin drejt botës tjetër.

Më kot zgjaten duart e trishta drejt Qiellit
kopsat e yjeve për të zbërthyer në këmishën e natës
e të shohin se ç’ka përtej territ.

E PASHË HORIZONTIN E SË ARDHMES
E pashë horizontin e së ardhmes
përskuqur nga gulshe resh të përgjakura
të kokave…pa prerë akoma.
Muzgu i manushaqtë…i meteorizuar
nga blice aparatesh fotografike
të turmave, që nga e tashmja e vet,
të mrekulluara i bënin foto
trallepsësit…horizont të së ardhmes.

I njëjti qiell…i fjollëzuar
në përflakje resh të tymnaja
të një zjarri, që edhe pse s’ishte ndezur ende,
të turrave të druve, që edhe pse s’ishin stivosur akoma,
turmat në ekzaltim ishin mbledhur në pragshfaqje
dhe veç gishti shënjestrues mungonte mbi krye
çdonjërin për ta përzgjedhur si heretikun e radhës.

PRITJE
Ka ca gjëra, që vdesin, më parë se të linden,
në varrin e zemrës, në paqe të qetë.
I ndeza qirinj ca nga ditët e mia
për miqtë, që kurrë s’i pata në jetë.

Se ka ca vende, të egër… të egër,
që dot një lule s’e çelin kurrë,
se ka ca vende, të shterpër… të shterpër,
që pjellin veç gurë… pjellin veç gurë.

Ka ca gjëra që vdiqën dhe prapë pres të linden,
paçka se dimri mbi flokë nis zbardhjen.
Statujë në rrugë, që pres, edhe pres,
pres fillikat… duke pritur mosardhjen.

SHUMË GJËRA NDODHËN…
Shumë gjëra ndodhën
që nuk ndodhën kurrë…

Ndodhën histori
dashurie, urrejtjeje,
lindjesh, vrasjesh, vdekjesh,
që nuk ndodhën kurrë.

Pati spektatorë,
pati sy që qanë,
pati veshë që dëgjuan,
pati viktima,
që i varrosi toka,
pati vrasës,
që i varrosi koha
në kaq e kaq ndodhi,
që nuk ndodhën kurrë.

Shumë gjëra ndodhën…

Dhe lulëzon kujtesa
nga e pandodhura,
ndërsa vetë e ndodhura
harresën lulëzon.

FUNEBRE
Janë funeralet e të tjerëve, që na e kujtojnë
gjithçka që brenda nesh, prej kohësh ka vdekur
dhe atëherë kuptojmë se s’jemi asgjë tjetër
veçse një varr stinësh … i varrosur nga stinët,
tragjikisht … komikisht,
dimër në verë … verë në dimër,
shi në diell … diell në shi
dhe atëherë na kap fort e qeshura
dhe atëherë na ngërthen fort e qara,
e qara brenda të qeshurës … e qeshura brenda të qarës,
e qara deri në kufijtë e të mekurit:
“O Zot … brenda nesh po vdesin prapë të vdekurit!”

Pastaj harrojmë … harrohemi … na harrojnë
deri në tjetrin funeral të radhës,
që na kujton përsëri, se kurrgjë tjetër s’jemi
veçse një varr stinësh … i varrosur nga stinët,
tragjikisht … komikisht,
dimër në verë … verë në dimër,
shi në diell … diell në shi
dhe atëherë na kap prapë e qeshura
dhe atëherë na ngërthen prapë e qara,
e qara brenda të qeshurës … e qeshura brenda të qarës:
“O Zot … të vdekurit po linden brenda nesh!
O Zot … brenda nesh po vdesin të gjallët!”

SHPËTONI ASGJËNË
Së paku, vetëm kaq po ju le amanet:
jo shumëçkanë, jo diçkanë, jo pakçkanë,
por së paku të shpëtoni asgjënë,
asgjënë që ende frymon e s’ka dhënë shpirt,
kufijtë e asgjëshëm të lirisë së asgjësë,
hiçin e saj të pastër, boshin e saj steril,
duke mos e mbushur ende më tej
me diçkanë e përhershme tuajën,
të ndyrë e malinje…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.