AKTUALITET

Si do të ndryshojë mosha e daljes në pension nga janari i 2019-ës

13:10 - 06.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Prej janarit të vitit 2019, do të ketë ndryshime të moshës së daljes në pension për të gjithë individët që kanë minimumi 15 vite pune me kontribute. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot moshën e daljes në pension për 2019-ën si dhe 2020-ën. Aktualisht për vitin 2018-të, mosha e daljes në pension sipas nenit 43, për gratë është 60 vite e 8 muaj (rritet për çdo vit me 2 muaj deri në vitin 2056 që arrin në 67 vjeç). Ndërkohë sipas kësaj llogaritjeje, mosha e daljes në pension për gratë në 2019-ën do të jetë 60 vjeç e 10 muaj, ndërsa në 2020 do të jetë 61 vjeç. Ndërkohë, burrat duhet të kenë mbushur moshën 65 vjeç në mënyrë që të përfitojnë pagesën e pensionit të pleqërisë (mosha fillon rritet që nga viti 2033 me nga 1 muaj në vit për të arritur në 67 vjeç në vitin 2056). Në bazë të reformës së vitit 2014-të, masa e përllogaritjes së pensionit varet nga vitet e punës dhe paga, pra pensioni është produkt i viteve të sigurimit dhe pagës mbi të cilin janë paguar kontributet.




Sa më shumë vite të ketë aplikanti dhe sa më e lartë të ketë qenë paga e tij, aq më e lartë do të jetë masa e përfitimit. Instituti i Sigurimeve Shoqërore thekson se vjetërsia e plotë kontributive për të dy gjinitë është 35 vite e 8 muaj, e cila rritet me 4 muaj në vit, për të arritur me 40 vite në vitin 2029. “Personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar në nenin 92 të këtij ligji”,-theksohet në ligjin “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, për sa i përket pensionit të pleqërisë në vendin tonë. Ndërkohë personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension të përcaktuar në nenin 92 kur kanë plotësuar vitet e sigurimit sipas nenit 92; apo nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar. Ndërkaq, nënat që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë te rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim. “Për të lindur e drejta për pension pleqërie, kërkohen dy kushte, që janë vjetërsia kontributive jo me pak se 15 vite kontributive dhe mosha, që përcaktohet sipas tabelës së paraqitur në nenin 43 të ligjit (që ndryshon nenin 92).

Formula e llogaritjes
Për llogaritjen e pensionit të pleqërisë sipas ligjit 104/2014, neni 18, i cili ndryshon nenin 32 të ligjit 7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” përcaktohet si më poshtë: Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Ndërkohë shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar sipas nenit 92, shumëzuar me pensionin social. Ndërsa shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, e llogaritur sipas nenit 31 të ligjit 104/2014 ( i cili ndryshon nenin 59 të ligjit 7703 datë 11.05.1993 ). Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social. Kjo e fundit bën me dije për të gjithë të interesuarit se për ta patur sa më të qartë këtë përllogaritje, është e nevojshme të dihet se çfarë përfaqëson pensioni social. Ndërkohë, sipas ligjit 104/2014, pensioni social është një përfitim që i jepet çdo shtetasi shqiptar, i cili ka mbushur moshën 70 vjeç, është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit, nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe nuk ka të ardhura, ose të ardhurat që përfiton nga çdo burim tjetër, janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social. Masa e këtij pensioni social është e barabartë me të ardhurat minimale që sigurohen nga pensioni i pjesshëm i pleqërisë me 15 vite të siguruara me pagë minimale, i llogaritur në datën 31.12.2014. Ndërsa masa e pensionit social për personat që kanë të ardhura nga burime të tjera, do të jetë sa diferenca e pensionit social me të ardhurat e tjera që ka përfituesi. Kriteret, procedurat dhe dokumentacioni për pensionin social përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Për llogaritjen e pensionit përdoret formula: PP (Pensioni i pleqërisë) =PS (Pension Social) *(shumëzuar) vjetërsi kontributive të realizuara/vjetërsi kontributive që kërkohet +1/100* (shumëzuar) vite sigurimi* (shumëzuar)BV ( baza e vlerësuar)

Baza e vlerësuar
Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit. Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Për periudhën e sigurimit në ish-kooperativat bujqësore, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese të caktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave. Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994 si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 01.01.1994. Për efekt të llogaritjes së pensioneve me datë fillimi pas 1.1.2016 e në vazhdim, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese sipas llojit të punës ose funksionit përpara datës 01.01.1994 si edhe mbi pagat individuale mbi të cilat janë paguar kontributet sipas viteve, nga 01.01.1994 deri në 31.12.2015, të indeksuara me indeksin që del nga pjesëtimi i pagës minimale në shkallë vendi të vitit 2015 me pagën minimale të vitit 1994 ose me pagën minimale të vitit përkatës. Koeficientet e indeksimit sipas viteve përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Koeficienti i indeksimit para vitit 1994, aktualisht është 8,59.

Shembuj konkretë
Për ta konkretizuar këtë problem po të marrim një pagë referuese për një specialist të lartë në ndërmarrje ekonomike, që aktualisht është e miratuar në masën 4.192 lekë, duke e shumëzuar me koeficientin 8,59, e indeksuar deri në periudhën aktuale jep një pagë prej 36.009 lekë. Ndërsa mbas vitit 1994, merren pagat respektive sipas viteve, të cilat duke u shumëzuar me koeficientët përkatës, japin pagën për efekt të llogaritjes së pensionit. Po të marrim një rast konkret; në vitin 2008, paga minimale ka qenë 14 830 lekë, duke u shumëzuar me koeficientin e indeksimit (i cili miratohet çdo vit me VKM), që është 1,48 jep pagën minimale prej 22.000 lekë. Po kështu dhe paga maksimale e cila ka qenë 74.150, kur shumëzohet me po këtë koeficient indeksimi jep pagën maksimale aktuale 97.030. Sigurisht pagat e ndërmjetme, me indeksimin sipas koeficientëve përkatës, do të na japin paga aktuale ndërmjet minimales e maksimales. Në rast se marrim në mënyrë hipotetike që një punonjës para vitit 1994 ka një vjetërsi kontributive prej 15 vitesh dhe paga mesatare e indeksuar rezulton në një shumë prej 25 000 lekë dhe mbas vitit 1994 ka një vjetërsi kontributive prej 22 vite me një pagë mesatare të indeksuar prej 30 000 lekësh, atëherë baza e vlerësuar do të llogaritet:
Baza e vlerësuar = (15*25.000 lekë + 22 * 30.000 lekë) : 37 (vite gjithsej ) = 28.000 lekë. Pensioni mujor = ( 6.750 *37/35,7 )+ (1/100 *37*28.000) = 6.996 + 10.360 = 17.356 lekë. Sipas nenit 33 të ligjit 104/2014, i siguruari, i cili ka plotësuar kushtet për pension pleqërie sipas nenit 43 të këtij ligji, merr shtesë në masën 0,5 përqind të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute. Përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerjeje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes. Në rastin e mësipërm, në qoftë se, ky person ka punuar mbi moshë për një periudhë prej 1 viti e 6 muaj, shtesa mbi pension do të llogaritet, 18 muaj * 0,5 = 9% * 17.356 = 1.562 lekë. Në këto kushte pensioni që do të përfitonte aplikuesi do të ishte i barabartë me shumën: 17.356 + 1.562 = 18.918 lekë.

Koeficientët e indeksimit
Koeficientet e indeksimit janë ata koeficentë që kërkojnë që pagën mbi të cilën janë paguar kontributet, ta aktualizojnë e ta sjellin në nivelin e vlerës së pagës sot, pra ti heqin efektin “gërryes” të inflacionit. Paga e një mësuesi që ka filluar punën me kontribute në 1975-ën, deri në janar në 94-ën, me gjithë indekset e ndryshimet që kanë ndodhur, është e tillë që shkon 4110 lekë. Kjo pagë, indeksohet sot me një koeficient 8.59. Pra ajo pagë mësuesi që ka qenë 7 mijë lekë të vjetra, po ta aktualizojmë sot del 360 mijë lekë të vjetra. Edhe ky indeks sot është i përshkallëzuar, e fillojnë nga 94′ deri në momentin që del në pension. Viti 2018 nuk ka indeks, kurse viti 2014, 2015 kanë koeficientet respektive. Ndërkohë pasi bëhet indeksimi, formula sesi llogaritet baza e vlerësuar mesatare është formula e bazës mesatare të vlerësuar të ponderuar, pra merren pagat për periudhën deri në vitin 1994, llogaritet një pagë e kjo ponderohet me vitet e punës. Individi edhe mund të ketë ndryshuar pozicion pune që ka pasur rrogë më të lartë, por edhe kjo indeksohet e del vlerë më e lartë. Në këto kushte gjithë periudha ponderohet, e individit i del një pagë mesatare bazë e vlerësueshme, e cila shumëzohet me 40%, në rastet kur ka punuar 40 vite (1% për çdo vit pune). Pas kësaj del një vlerë së cilës i shtojmë edhe pensionin social dhe marrim vlerën përfundimtare të pensionit të pleqërisë. Nëse baza mesatare e vlerësuar del në vlerë më të madhe, po ashtu do të rezultojë edhe pensioni.


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Kam dal ne pension para vititi. 2018 perfitova pension 23.000 lek bazuar te parimi i tavanit.I njejti person me te njejtin zanat e me te njejtin page dal ne vitin 2016 ka perfituar shumen e pensionit 32.000 lek. Ok…ne kete ceshtje ligji nuk eshte i drejt;mendoje se edhe dosjet qe jane plotesuar me pare vitit 2015 duhet te aplikohet formula e ligjit te ri….

    Përgjigju ↓
  2. Kam dal ne pension para vititi. 2015 perfitova pension 23.000 lek bazuar te parimi i tavanit.I njejti person me te njejtin zanat e me te njejtin page dal ne vitin 2016 ka perfituar shumen e pensionit 32.000 lek. Ok…ne kete ceshtje ligji nuk eshte i drejt;mendoje se edhe dosjet qe jane plotesuar me pare vitit 2015 duhet te aplikohet formula e ligjit te ri….

    Përgjigju ↓