KULTURË

Naser Hasa/ Vizatimi, themeli i gjithçkaje

18:00 - 08.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Luan Rama  – Në një nga letrat që Van Gogh i dërgonte vëllait të tij Theo, ai i shkruante se “Ditën që njerëzit do të fillojnë të thonë se unë di të vizatoj, pra jo të pikturoj, atëherë ndoshta unë do të bëj një pikturë, në një çast të papritur për ta”. Van Gogh theksonte, gjithashtu, se “në praktikë, metoda është të ushtrosh në fillim vizatimin, pasi mund të kalosh shumë më lehtë nga vizatimi në pikturë, sesa anasjelltas”.




Këto fjalë të Van Gogh-ut, djaloshi i ri i pasionuar pas vizatimit, Hasa ndoshta nuk i ka lexuar në atëkohë në Kosovë, por ishte vizatimi që e çoi atë drejt një pikture të mirëfilltë dhe vizatimi duket se mbetet për të kyçi i artit të tij. Ka piktorë që edhe pse vizatues mjaft të mirë e braktisin vizatimin në mesin e krijimtarisë së tyre, por ky piktor i Ballkanit, ardhur nga Ulqini për të ekspozuar disa nga veprat e tij në Paris, duket se nuk do ta braktisë, madje rikthimi i vazhdueshëm drejt vizatimit i jep atij impulse të reja dhe ajo që është më me interes, është se vizatimi e çon akoma më thellë drejt portretit psikologjik. Pra, piktori Hasa ka përshkuar e vazhdon të përshkojë atë trajektore për të cilën shkruante para më shumë se një shekulli Van Gogh, trajektore që nisi në shkollën e pikturës në Prishtinë, me pikëtakime në Beograd dhe Zagreb, duke formuar gradualisht një profil spikatës mes piktorëve të kësaj pjese të Ballkanit. Sigurisht, baza e kulturës së tij figurative ishte laboratori krijues pranë atelierit të profesorit të tij Muslim Mulliqi, një nga piktorët kosovarë më me influencë të gjeneratës së viteve ’50 – ’70 të shekullit XX, krahas Rexhep Ferrit apo Tahir Emra. Ishin këto koncepte të reja të mjeshtërisë së vizatimit që e frymëzuan atë për të krijuar personalitetin e tij piktural dhe një vepër origjinale si në telajo ashtu dhe në fletën e vizatimit.

E megjithatë, e përsëris se veprat e tij më të mira duket se mbeten portretet në vizatim, krijime këto me një ekspresivitet jo të zakontë. Por edhe krijimet në ngjyra, kanë dhe ato një origjinalitet të veçantë: edhe pse pa diçitura ato të ofrojnë impresione të shumta, herë një det në flakë apo një natyrë që vibron në stuhi (1998, 2003) e herë një tablo e ndarë në dy nivele, ku trupat e tri femrave përvijojnë poshtë në një kërleshje trupash, duke i dhënë tablosë një ndarje kohore. Shpesh ai na paraqet një botë të habitshme kromatike, një shpërbërje ngjyrash që vetëm një fëmijë duket se i ka parë në një kaleidoskop marramendës dhe me një ngazëllim të hatashëm. Skena të gëzuara, gra me një dinamikë lëvizjesh, asnjëherë statike, skena të jetës së përditshme e ndonjëherë një dehje nudosh për të kundruar bukurinë femërore. Por le t’i rikthehem përsëri disa portreteve në vizatim çka përbëjnë një zbulim të kësaj ekspozite.

Një portret femre mbi të cilën janë hedhur njolla dhe lapsi ka shtuar një mori vijash që në pamje të parë krijojnë një lloj kaosi të organizuar, shpërqendrimi, por duke qëndruar fare pak para tablosë, portreti të ofrohet me një psikologji ku të lejohet të imagjinosh nëse ajo kokë është e trishtë, mediton, apo është pas një çasti ekstaze… Një tjetër vizatim, një portret ku dora piktorit ka vizatuar gjithë dhembjet e tij dhe një klithje që ne e dëgjojmë, apo një tjetër vizatim, ku një trup njerëzor me këmbë të hapura ngrihet si një lloj demoni duke humbur kryet në një qiell me re dhe në një botë të trazuar… Sidoqoftë, ajo që mbizotëron në krijimtarinë e tij është portreti. Ai nuk vizaton një portret akademik, por kërkon gjithnjë të kapet pas karakterit të dhënë në pak linja, që në gjetjen e parë, intuitive, shprehëse e personale, herë-herë njolla e vija që në të tërën krijojnë atë çka portretizohet në atë hapësirë ku, është piktori dhe përfytyrimi i tij. Kështu, arti i këtij piktori na rrëmben drejt botrash të tjera…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.