Dossier

U vra apo u vetëvra Mehmet Shehu? Ç’thonë i biri dhe personat e afërt

16:15 - 10.01.19 Gazeta Shqiptare

Gazetari Blendi Fevziu ka bërë një emision kushtuar jetës dhe karrierës së ish-kryeministrit Mehmet Shehu, ku mes të tjerash trajtohet nata mes 17 dhe 18 dhjetorit të vitit 1981 dhe dëshmitë e personazheve që u gjendën pranë tij mëngjesin e 18 dhjetorit. Përmes emisionit të realizuar më 15.12.2005, Fevziu vë përballë dëshmi të disa personave, të cilët mendojnë se ishte vrasje dhe disa të tjerëve, të cilët mendojnë se ishte vetëvrasje. “Mëngje-sin e 18 dhjetorit, si zakonisht do të vazhdonte mbledhja e Byrosë Politike. Unë nxora makinën dhe po prisja të shoqëroja Mehmetin. Isha poshtë shtëpisë… kur dëgjoj një ulërimë. Na njoftojnë që bashkë me doktorin të ngjiteshim lart. Gjej në korridor Ladin, i cili më thotë të shikoja Mehmetin. Futem në dhomë dhe e shikoj të zverdhur, me sytë mbyllur, gojën të mbyllur dhe mendova se i kishte rënë të fikët. Ngrita batanijen që t’i matja pulsin dhe dora e tij ishte gjysmë e ngrirë. Tek xhepi i këmishës shikoj një njollë të zezë dhe mbi batanije, tek këmbët e tij ishte pistoleta. “Mos – thamë – paska vrarë veten”. Në dhomë shikoj hijen e një dore, ishte Ladi, i cili kishte marrë në dorë letrën. Shkoj tek telefoni dhe marr Ramizin, i them se Mehmeti kishte vrarë veten dhe ai më përgjigjet: “Jooo, ore”. I thashë që ai ka lënë edhe një letër. Kur dëgjoi këtë, ai u tërbua fare dhe më tha: “Të mos e lexojë njeri letrën, do ta hajë e zeza, do t’i bëjë këtë e atë”. Ka ardhur Ramizi me Kadriun te shtëpia e Mehmetit për të marrë letrën. Ramizi qëndroi poshtë dhe Kadriu u ngjit në katin e dytë. Kadriu pa Mehmetin dhe u drodh e mbushi sytë me lot. Aq e rëndësishme ka qenë ajo letër, sa kushdo që e preku me dorë, gjeti vdekjen”, tha Ali Çenaj.



Në të vërtetë letra u bë publike në vitin 2002, 21 vjet pas vdekjes së Mehmet Shehut. Në faqen e parë shkruhej: “Ta hapë personalisht shoku Enver e askush tjetër”.
Nuk dihet se sa autentike ishte letra, pasi mënyra se si është shkruar nuk të krijon bindjen që ai po shkon drejt vdekjes, pasi në të thuhet: Rroftë komunizmi dhe poshtë reaksioni!
Por sipas presidentit Ramiz Alia, Mehmet Shehu kishte vrarë veten dhe historia komplikohej kot. “Mehmeti ishte njeri me një karakter tepër të vështirë dhe nuk duronte dot të kritikohej dhe të jetonte me një barrë në kurriz pas asaj që i ndodhi. Ne të tërë u habitëm që ai vrau veten”, tha Alia.
Vetëm rreth 3 orë pasi u gjet i vdekur në shtratin e tij, Mehmet Shehu nisi të etiketohej si armik i partisë, ndërkohë që Byroja nuk kishte pasur kohë të nxirrte një konkluzion.

Mëngjesin e 18 dhjetorit, Istref Myftari, i cili ishte edhe shefi i Laboratorit të Kriminalistikës në Ministrinë e Rendit, merr një njoftim të rëndësishëm.
“Sa hyra në zyrë, më merr në telefon drejtori i Hetuesisë dhe më thotë që ka ndodhur një ngjarje e rëndë. Në ngjarjet e rënda unë shkoja gjithmonë dhe merrja me vete edhe një ekspert, por atë ditë më thanë të shkoja vetëm. Më bëri përshtypje se në shtëpinë e Mehmetit na priste zv.ministri i Brendshëm, i cili na tha se Mehmet Shehu kishte vdekur. Ishte lajm i papritur dhe i rëndë. Mehmet Shehu ishte kryeministër i vendit, por detyra është detyrë dhe duhet bërë. Shkuam në dhomë dhe nisëm këqyrjen e vendit të ngjarjes. Përveç grupit hetimor, kanë qenë edhe dy persona të tjerë, një prej tyre ishte edhe mjeku i Mehmetit, Ali Çenën nuk e mbaj mend. Skena e ngjarjes ishte normale. Në vetëvrasje ka një parapërgatitje dhe personi do që ta lerë në rregull vendin. Në përfundim të të gjithë këqyrjes, unë kam arritur në përfundim se ishte vetëvrasje”, tha Myftari. Sipas procesverbalit të mbajtur nga hetuesi i çështjes, Koço Josifi, një nga dëshmitarët ka qenë Ali Çena, i cili në intervistën e tij për “Opinion” në vitin 2005, ngre dyshime lidhur me procesin hetimor dhe “zhdukjen” e provave. “Grupi i ekspertëve ka ardhur pas gati 2 orësh dhe filluan të bëjnë kontrollin e dhomës. Te komodina ishte një gotë me një lëng të verdhë, sepse ai zakonisht pinte kamomil ose lule bliri, por mënyra se si u zhduk ajo gotë, mua më lë të dyshoj shumë. Ne shkuam te zyra e Mehmetit dhe kur u kthyem, gota ishte zhdukur. Më pas e gjetëm të larë dhe të kthyer përmbys në lavaman. Kjo më lë të dyshoj se aty mund t’i kenë futur ilaç gjumi dhe mund ta kenë asgjësuar”, shton Çenaj. Televizioni i vetëm në Shqipëri në atë kohë jep lajmin për vdekjen e ish-kryeministrit në mënyrë shumë të vakët. Mediat botërore transmetojnë lajmin, duke futur në thonjëza vetëvrasjen, ndërkohë që një pjesë e tyre shkruanin se Mehmet Shehu ishte eliminuar. Bashkim Shehu, djali i ish-kryeministrit ishte një nga personat që ndodhej në shtëpi natën që ndodhi ngjarja. Në intervistën e tij, ai deklaronte se dikur ka pasur dyshime, por në vitet ’90 është bindur se babai i tij ka vrarë veten.

“Në një farë periudhe kam pasur dyshime, por tashmë jam i bindur që ka vrarë veten dhe e kam thënë edhe publikisht. Dhe që në atë kohë nuk ka dalë asnjë fakt për ta kundërshtuar, përkundrazi, kanë dalë fakte që e kanë konfirmuar”, deklaron Bashkim Shehu. Ndërkohë, një tjetër dëshmi që kundërshton atë të Bashkim Shehut është edhe ajo e nuses së djalit të Enver Hoxhës, Liljana Hoxha. “Unë mbështes linjën jo thjesht nga dyshimet që janë hedhur gjithë këto kohë, që kemi të bëjmë me një vrasje. Përveçse gjykoj që kemi të bëjmë me një krim politik, qoftë edhe vetëvrasje nën presion, apo vrasje e mirëfilltë, çdo moment që ka kaluar kam analizuar dhe lexuar dhe them që kemi të bëjmë me një vrasje të tipit sa më urgjent, për vetë faktin se atë natë, mbledhja e Byrosë ishte shumë e ashpër”, thotë në intervistë Liljana Hoxha.

Ismail Kadare po ashtu ka hedhur një version të tijin të ngjarjes në romanin “Pasardhësi”. Një roman që ka në thelb atë që ndodhi në shtëpinë e ish-kryeministrit shqiptar, në dhjetorin e vitit 1981. “Normalisht, sipas logjikës së tiranisë, ai duhej të eliminohej për arsye që nuk janë kurrë në radhë të parë politike, por njerëzore. Mehmet Shehu kishte disa dobësi të mëdha në jetën e tij, që acaronin çdo diktator që mund të ishte mbi të. Ai kishte disa gjëra që një tiran nuk i fal kurrë, kishte aureolë. Kishte një aureolë me autoritet botëror, aureolën e Spanjës, kishte aureolën e luftës më shumë se gjithë të tjerët. Komandanti i Brigadës së Parë, që ishte bërë thuajse legjendare dhe aureolën e çliruesit të Tiranës. Kurse Enver Hoxha kishte një aureolë më të madhe, por nuk mbahej mend, nuk ishte spektakolare. Aureolat e Hoxhës nuk ishin nga ato që kujtesa popullore i kujton. Ishte themelues i partisë dhe kjo dilte në mëdyshje nëse ishte apo nuk ishte. Ishte udhëheqës i luftës, por nuk mbahej mend si luftëtar, ishte organizues i gjithçkaje, por fjala organizim nuk i thoshte asgjë. Me një fjalë, Mehmet Shehu kishte ato që nuk duhej të kishte dhe këto përbënin objektivitetin e rënies së tij. Pika e ujit që kapërceu gotën ishte shtëpia e tij, e cila për fatin e tij të keq doli që ishte më e bukur se ajo e Enver Hoxhës, ose mesa duket, ishte me të vërtetë. Historia tregon se edhe këto gjëra kaq banale, ndonjëherë mbushin kupën dhe fillon derdhet gjaku pastaj”, tha Kadare.

Kujtim Shehu, nipi i Mehmet Shehut kujton varrimin e xhaxhait të tij, si një nga varrimet më të trishtuara. Një njeri që ndoshta duhet të kishte pritur një ceremoni zyrtare, befas gjendet i shoqëruar për në banesën e tij të fundit nga 6 persona dhe nga një makinë e vjetër funeralesh. “Në varrimin e Mehmetit kemi qenë 6 persona. Ka qenë Bashkimi me të shoqen dhe vjehrri i tij. Vladimiri, xhaxhai i vogël Nexhipi dhe unë. Kur kemi shkuar në varreza ka qenë një grup, ndoshta zyrtarësh, të cilët qëndruan në distancë. Vladimiri mbajti një fjalë të shkurtër dhe kështu Mehmeti u varros me 6 veta”, tha Kujtim Shehu. Në fakt, në një mënyrë ose në një tjetër, Mehmet Shehu ishte viktimë e një sistemi që ai ngriti vetë. Dhe ai vetë kishte qenë më parë kontribuues i eliminimit të shumë prej miqve, shokëve apo bashkëpunëtorëve të tij. Mbyllja e historisë së Mehmet Shehut është akoma më e dhunshme, ndryshe nga para-ardhësit e tij. Eshtrat e tij që ishin varrosur në Sharrë, u hoqën në heshtje pak ditë pas varrimit nga oficerët e Sigurimit, për t’u varrosur në një vend tjetër në periferi të Tiranës, në një nga zonat pranë Ndroqit. Por rreth vitit ’87-’88 u rihoqën nga varri i dytë dhe u futën buzë një lumi, ku rastësisht një bari arriti t’i shihte dhe që dëshmoi tek familja e Mehmet Shehut. Ai u rivarros edhe një herë në maj të vitit 2001. Historia e tij do të vijojë të mbetet mister dhe të nxisë fantazinë e mediave dhe njerëzve.

4 KRYEMINISTRAT E VRARË

Esat Toptani, i cili qeverisi nga shtatori i 1914 deri në janar 1916 dhe u vra në Paris nga Avni Rustemi.
Qazim Koculi, i cili ka drejtuar vendin për 24 orë, nga mëngjesi deri në mbrëmje të datës 6 dhjetor 1921 dhe që u vra gjatë luftës nga gjermanët.
Hasan Prishtina, i cili ka qenë kryeministër për 7 ditë, nga 7 dhjetori i 1921 deri më 12 dhjetor 1921.
Xhaferr Ypi qeverisi nga dhjetori i vitit 1921 deri në dhjetor të vitit 1922 dhe është vrarë gjatë luftës italo-greke.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *