OPINION

Presidenti i përbashkët dhe ministri i Jashtëm!

07:50 - 11.01.19 Arian Galdini
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

E gjitha ka nisur me dronin.Po po. Kthehuni pas e kujtoni patriotizmin tallava që lindi pas atij droni në stadiumin e Beogradit.
Ajo ishte karamelja e parë e planit që po niste të zhvillohej.
Vijoi me konferencën për shtyp të Ramës me Vuçiçin në Beograd.
Lufta laboratorike e shpallur mediatikisht dhe e nisur me top futbolli mes Ramës dhe Vuçiçit ia doli të prekte mendjet dhe zemrat e çdo tifozi kuqezi e çdo shqiptari pa mendim.
Kjo ishte karamelja e dytë.
Treni rus ishte po ashtu pjesë e “traileri” i përsosur që paralajmëroi ardhjen në skenë të filmit thriller “Shkëmbimi i Kufijve” me autorë të njohur e me aktorë kryesorë Presidentin Vuçic, Kryeministrin Rama dhe Presidentin Thaçi.




Kur Kryeministri Edi Rama mbajti fjalimin e tij përshëndetës për 10-vjetorin e Pavarësisë në Kuvendin e Kosovës, hodhi një tjetër karamele për patriotët tallava.
Ai foli për Presidentin e Përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Disa e quajtën lajthitje, disa përdorim, disa folklorizëm, etj., etj…

Sot kuptohet se nuk paska qenë rastësi aspak, por paskërka qenë pjesë e skenarit.
Ndërkohë Rama i kishte bërë edhe disa akte që e ushqenin fort intrigën dhe spekulimin e një paradigme kinse patriotike, sepse kishte emëruar diss zv/ministra nga Kosova në Qeverinë e tij të Rilindjes.
E ja ku erdhi më pas dita kur Presidenti shpalli idenë e tij për një marrëveshje historike Kosovë – Serbi që kërkon sakrificën madhore të shkëmbimit të kufijve.
Guximi i Thaçit shkoi drejt të paimagjinueshmes, ngase ai jo vetëm bëri publike një ide a mundësi, por ia nisi një fushate që vijon edhe sotdita për t’i bindur liderët e Perëndimit se e vetmja marrëveshje e mundshme dhe realiste që mund të arrihet mes Kosovës dhe Shqipërisë është ajo që pranon domosdoshmërisht shkëmbimin e kufijve.
Rast i rrallë në botë që një President bën fushatë për të bindur të mëdhenjtë e botës se cenimi i integritetit territorial të vendit të tij është ide e mirë.
Asokohe Ditmir Bushati papritmas foli për idenë e shkëmbit të territoreve si një hapje të kutisë së Pandorës.
Ndërhyrja e Ditmir Bushatit me shumë gjasa ka qenë jashtë dijenive të Thaçit dhe Ramës e i ka zënë të dy këta gafil, por edhe autorët e skenarit të filmit të tyre thriller për të cilin kishin investuar aq shumë luftë e përpjekje laboratorike.
Prej kutisë së Pandorës së Bushatit, Edi Rama u dënua me heshtje të gjatë dhe u paralizua e gjithë kavalieria e tij mbështetëse propagandistike e parashikuar sipas planit në krah të Thaçit.
Gjithsesi u desh rrëmbimi i duarve të Ramushit dhe ajo foto mbi flamurin kuq e zi, që Edi Rama, i fshehur pas shpatullave të Kryeministrit të Kosovë, me hile si gjithmonë të rikthehej në rolin e tij të detyruar si pjesë e planit për shkëmbimin e kufijve.
Prej asaj dite mori udhë edhe hapi i radhës që do të sillte shkarkimin e Ditmir Bushatit dhe emërimin e një ministri të ri që vjen si pjesë e kastit të përzgjedhur për filmin thriller “Shkëmbimi i Kufijve”.
Karamelja për patriotizmin tallava ishte ardhja e ministrit të ri nga Kosova.
Qëllimi i vërtetë ishte sjellja e një ministri që është partizan i planit për shkëmbimin e kufijve.
Nuk kam fare asnjë mendim e asnjë konsideratë personale për Genti Cakaj, sepse as e njoh e as di kurrgjë për të.
Por vetë fakti që ai vjen si pjesë e një kasti të një filmi tepër të rrezikshëm për Shqipërinë, Kosovën, shqiptarët, shqiptarinë, mua më mjafton për ta përshëndetur mosdekretimin e tij nga Presidenti Ilir Meta.

Gent Cakaj mund të jetë djali më i mirë dhe më i talentuar në botë, e madje edhe më i lexuari ndër gjithë shqiptarët.
Ama, kjo nuk e kualifikon atë për t’u bërë ministër i Jashtëm i Shqipërisë që pranon shkëmbimin e kufijve të Kosovës me Serbinë, thjesht dhe vetëm pse ai ka shtangur Edi Ramën me dijet e tij dhe numrin e librave që mund të ketë lexuar.
Edi Rama mund ta mbajë këshilltar e të mahnitet çdo ditë me Gentin, e deri këtu nuk ka kush t’i kërkojë llogari.
Sa për të drejtën e tij si Kryeministër, që të emërojë kë të dojë si Ministër të qeverisë së tij, i duhet më parë ta besojë edhe vetë se dekretet nuk i firmos Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, por Presidenti i Përbashkët Imagjinar i Thaçit dhe Ramës që quhet Baton Haxhiu.
Nëse Ilir Meta si President i Republikës nuk paskërka të drejtë të fusë hundët në kompetencat e Kryeministrit për të zgjedhur Ministrat e do, atëherë çfarë të drejte kushtetuese ka Presidenti i Përbashkët Baton Haxhiu që emëron ministra në qeverinë e Edi Ramës?


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.