BLUETOOTH

“Bel Mondo” e Xhani Shqerrës, jeta përtej ekranit e moderatorit më të ri të familjes ‘Klan’

17:50 - 12.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela Aliaj – Po të hapim profilin e tij, e shohim që ka eksperimentuar shumë në jetë dhe në moshë tepër të re është bërë i njohur falë muzikës së tij. Më vonë, si model në pasarelat e ikonave të modës e së fundmi si moderator. Duket se ekrani është një nga dashuritë e tij më të mëdha dhe këtë e tregon qartazi me pasionin e tij ndaj punës që ai bën. Jo më larg se 15 dhjetori i vitit të shkuar, Xhani Shqerra nisi një rrugëtim të ri në media me një emision krejt të tijin të quajtur “Bel Mondo”, emision i cili u mirëprit shumë nga publiku i gjerë. Por, për të njohur më tepër lidhur me pasionet e tij, risitë që sjell në këtë emision si dhe pak elementë pikantë të pashprehur më parë lidhur me largimin e tij, Xhani vjen në një rrëfim ekskluziv për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare”.




Pothuajse gjithnjë pas Vitit të Ri, njerëzit kërkojnë sërish pushime e qetësi. Si e ka pritur 2019-ën Xhani? Cila ishte e veçanta e këtij viti të ri?
Në fakt, pjesën e pushimeve e kam shijuar shumë, sepse është i vetmi moment kur mund të qëndroj pranë familjes, duke pasur një vit shumë të ngjeshur me punë dhe impenjime. Do doja që edhe në 2019-ën të kisha më shumë kohë për familjen për të qëndruar pranë të dashurve të mi.

Çfarë i keni premtuar vetes për këtë Vit të Ri? Çfarë do të bëjë ndryshe Xhani?
Do doja që këtë vit të kisha pak më shumë kohë për veten, të merresha më tepër me sferën personale, intime dhe jo vetëm punë. Edhe pse pjesa e punës sime është shumë e bukur, e veçantë e më kompleton në gjithçka që unë jam dhe bëj. Por gjithsesi, është momenti për t’iu dedikuar pak më shumë pjesës më personale.

Nga çfarë “vesi” do të hiqni dorë?
Do të më pëlqente që më tepër se ves, të filloja palestrën e të më shndërrohej në një “ves”. Duke qenë se nuk kam marrëdhënie të mira me aktivitetet fizike, do të më pëlqente që ky të ishte viti i duhur për t’i thërritur pak mendjes për të bërë pak kulturizëm, e të shndërrohet në një ‘ves’, pse jo.

Vetëm 1 muaj më parë nisët emisionin tuaj më të ri. Si lindi ideja e emrit dhe formatit?
Formati vjen si një rezultat i një pune shumëvjeçare. Unë e kisha të nevojshme të shprehesha në raport me median në një mënyrë më të madhe, më të fortë e më prezente për gjërat që bëj. Titulli ka ardhur shumë natyrshëm. Duke qenë se unë rrethohem gjithmonë nga e bukura, kam dashur që nëpërmjet medias dhe ekranit të përçoj vlerat për një botë të bukur, për një botë pozitive, me njerëz që e zbukurojnë jetën e tyre dhe që kanë një qasjeje pozitive. Të gjitha këto vlera jam munduar që t’i sjell me anë të rubrikës dhe me takimin që tashmë është javor në “Klan Plus”.

Sa i lidhur është Xhani me median?
Median dhe ekranin e shoh si një mundësi shumë të mirë për të shprehur vizionin tim dhe për të përmbledhur pasionet, duke pasur një qasje me publikun shumë reale, optimiste dhe të vërtetë. Do doja që misioni i medias të ishte kultura, informimi, zbavitja, por me anë të vlerave të vërteta. Kështu që nuk do të bëja kompromise për asnjë arsye për të rrëzuar apo modifikuar këto vlera, por do më pëlqente që t’i pasuroja nëpërmjet impenjimeve që do të kem jo vetëm me këtë format, por me gjithçka kam bërë dhe do të bëj në raport me median.

Cila do të ishte shuma që do t’ju joshte më tepër për t’u larguar nga ekrani?
Nuk ka të bëjë me shumat, por ka të bëjë me qasjen që unë kam ndaj të punuarit, të vepruarit. Kam përshtypjen se është çështje fazash. Ndonëse unë e kam nisur shumë i vogël me median dhe jam rithyer më pas dhe si i rritur, mendoj që të komunikuarit me anë të ekranit është një mënyrë shumë e mirë për të komunikuar vlera që janë në dobi të shoqërisë. Por duke thënë këtë, jam edhe i bindur që nuk do të jem në ekran në plan të parë gjatë gjithë kohës. Më pëlqen edhe pjesa e organizimit, e të qenurit në “backstage”, me “Bel Mondo-n” e bëj gjithashtu. Jam i impenjuar jo vetëm me pjesën e autorësisë, por edhe regjisë. Sigurisht që është çështje fazash dhe dua të bëj atë që më jep më shumë pasion, dëshirë dhe dashuri dhe dua që realisht gjithçka që të bëj të jetë e bindshme e të jetë fryti i një pasioni dhe dashurie për atë që po bëj.

Këngëtar, model, moderator, drejtor arti, ku e gjen veten më mirë Xhani?
Modelit i ka humbur boja, ka shumë vite (qesh), dhe këngëtarit gjithashtu, ndonëse këndoj në rrethe shoqërore për kënaqësinë e gjësë. Por pjesën e ekranit, të moderimit dhe të drejtimit të realiteteve artistike sigurisht që është më prezente tek unë, sepse janë pjekur edhe shumë përvoja, më pëlqen ta shoh veten në këtë këndvështrim. Uroj që në të ardhmen unë të jem një model i mirë për këto dy të fundit: moderimit dhe realizimit të situatave artistike.

Keni ndonjë plan që t’i riktheheni muzikës me ndonjë këngë të re?
I vetmi plan lidhur me muzikën do të ishte ndonjë pjesëmarrje në spektakle ku ka edhe një qasje kënge, por jo më shumë. Me klipe apo me ndonjë këngë të re, nuk besoj, jam i fokusuar tek moderimi.

Ka qenë vërtetë rroga, arsyeja e largimit nga “Tring”, apo ndonjë mosmarrëveshje e pashprehur?
Në fakt, arsyeja e largimit nuk ka qenë asnjëra prej këtyre të dyjave. Ka ardhur si rezultat i një pjekurie të përvojave. Besoj se është mëse normale kur aspiron të kesh diçka më të madhe, diçka ndryshe dhe ta gjesh në një vend tjetër, që s’është më ajo shtëpi. Është mëse normale që ti pas disa viteve që ke jetuar në një shtëpi, të kërkosh sipërfaqe më të madhe dhe nga dy dhoma e një kuzhinë, mbase të marrësh edhe një apartament tjetër që të ketë dhe verandën mundësisht apo një kuzhinë pak më të madhe për t’u shprehur, për të qëndruar mirë. Bëra këtë paralelizëm sepse unë “Tring”-un e kam konsideruar dhe vazhdoj ta konsideroj shtëpinë time të parë. Do ta kujtoj me shumë respekt dhe kam një marrëdhënie shumë të mirë ende sot me ish-kolegët e mi, por siç e bëra me dije në fund të sezonit të gjashtë të “My Living”, pritej që unë të bëja një hap tjetër, që më pas edhe e ndërmora sepse e ndjeja të nevojshme. “Tring” më ka dhënë gjithçka, por ishte gjithçka që mund të më jepte. Ndërkohë unë jam rritur pak edhe nga përvoja dhe në kontakt me publikun do të doja që të kisha një qasje në vetë të parë si autor dhe prezantues. Këto gjëra i bëja edhe në “Living”, por kisha nevojë të shprehesha më shumë dhe kjo ishte arsyeja.

Ç’mendim keni që vendin tuaj në “Tring” e zuri Arjoni? Ju kë do të zgjidhnit?
Vendet nuk janë të përjetshme. Sigurisht që jo vetëm unë, por kushdo tjetër nuk është i pazëvendësueshëm, por në të njëjtën kohë nuk mund të zëvendësosh një emër. Secili sjell nga vetja diçka dhe pikërisht me qasjen e Arjonit në “Tring”, unë kam qenë një nga promotorët më të mëdhenj, në mos i pari, pikërisht për ardhjen e tij në formate të ndryshme. Një ka qenë dhe “Shopping Night”, ku unë doja që ai të ishte prezantues sepse në atë format unë isha autori dhe kisha mundësi përzgjedhjeje për sa i përket moderimit. Kështu që mund të themi që unë kam qenë një partner shumë i mirë i tij për ardhjen në Tring. Jo për “My Living”, nuk ishte ideja ime, por mendoj që është një prezantues shumë i mirë dhe ka vendin e vet në çdo gjë që bën. Unë i uroj një rrugëtim të mbarë në “My Living” dhe kam përshtypjen që me kalimin e kohës ai do të gjejë veten në një format shumë të bukur dhe në “Tring”.

Lidhur me jetën private jeni treguar shumë diskret. Mund ta përmblidhni me disa fjalë tipin e personit që ju ka rrëmbyer zemrën?
Nuk kam çfarë të them për jetën private në fakt. U bë shumë kohë që unë fokusohem tek profesioni im dhe tek hapësira që më duhet që të zë gjatë gjithë kohës dhe fatkeqësisht nuk e kam një njeri të zemrës, por uroj që në këtë vit të ri, siç thash, të kem pak më shumë fokus ndaj vetes. Sigurisht, dashuria dhe një vajzë me ato kriteret që çdo mashkull mund të ëndërrojë për veten, mund t’i bashkohet dhe pse jo të rrugëtojmë së bashku, ku secili në pjesën e vet të japë më të mirën e të ndjehet i realizuar, i dashuruar kur pranë ka një mbështetëse apo mbështetës të mirë. Është e vetmja gjë që uroj këtë vit, është e vetmja gjë që më mungon. Janë të hapura seleksionimet. (qesh)

Cili është thashethemi më absurd që ka ndikuar negativish tek ju? Si keni reaguar?
Për njerëzit publikë thashethemet janë nga më të ndryshmet. Unë jam mësuar që i vogël të mos kem veshë jo vetëm ndaj gjërave që mund të jenë të papjekura apo banale. Realisht nuk kanë influencuar tek unë asnjëherë, as për të mirë e as për të keq, jo vetëm thashetheme me karakter negativ, por as thashetheme me gjëra që mund të jenë më pozitive, apo që mund të të bëjnë të buzëqeshësh, nuk kanë ndikuar asnjëherë. Është pjesë e paketës. Do ketë njerëz që të shohin në një mënyrë, disa në një mënyrë tjetër, por kjo s’do të thotë që të kesh një konsideratë të vetes me sytë e të tjerëve. Do më pëlqente që njerëzit të më shihnin me sytë e mi, por kjo është e pamundur, sepse edhe unë veten e shoh ndryshe nga dita në ditë, kështu që mbetet diçka utopike. Por më vjen mirë që pjesa më e madhe kanë një vlerësim për gjërat që unë bëj me vërtetësi. Kështu që për një artist, apo njeri të medias kjo është shumë e rëndësishme, kështu që unë e ndjej veten shumë me fat!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.