AKTUALITET

Unaza/ Dyshime mbi tenderin e ri, kriteret kanë paracaktuar fituesin

15:00 - 12.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pas dështimit të kontratës mes bashkimit të kompanive ‘Biba X’ dhe ‘DH Albania’ për shkak të skandalit të falsifikimit të dokumenteve nga ana e firmës mëmë të ‘DH Albania’ ‘Dunwell Haberman’ Autoriteti Rrugor Shqiptar ka rihapur në 13 dhjetor garën për të njëjtin segment të Unazës së Madhe. Në shpalljen e parë njësia e prokurimit publik kishte vendosur kritere ligjore që ishin haptazi në shkelje të ligjit.
Por ajo që bie ne sy edhe në rihapjen e garës së dytë, kriteret e vendosura nga prokurimet duket se përcaktojnë që në fillim operatorin fitues dhe lënë hapësirë sërish për afera korruptive.




“Gazeta Shqiptare” ka zbuluar dokumentin ku shihet se një nga këto kritere është kërkesa për kapacitete e mjeteve dhe makinerive që operatorët duhet të disponojnë për të marr pjesë në këtë procedurë. Lidhur me këtë kërkesë rezulton se makineritë e kërkuara nuk janë në raport me zërat e punimeve që parashikohen të kryhen.

Në piken 13 për mjetet e punës kërkohet një autovinç me kapacitet mbi 450 tonë. Por sipas subjekteve që kërkojnë të marrin pjesë në garë në preventivin e punimeve tek zëri i punës thuhet se nga ana teknike për të tërhequr trarë me gjatësi 34 metra linear që do të pendoren për projektin do të mjaftonte një autovinç me një kapacitet deri në 210 tonë. Këtu lindin edhe dyshimet e operatorëve për një garë sipas tyre jo transparente. Burime nga drejtoria e përgjithshme e transportit rrugor thonë për News24 se në vendin tonë një mjet i tonazhit me kapacitet 450 tonë nuk gjendet.
Sipas po të njëjtave burime mjeti më i rëndë që ka hyrë në doganat shqiptare është vetëm 10 tonë, por që nuk dihet kapaciteti mbajtës i tij pasi dogana regjistron vetëm peshën e mjetit dhe jo kapacitetin. Ky kriter thonë operatorët jo vetëm vështirëson pjesëmarrjen në garë, por duket që në fillim se përcakton dhe fituesin e garës.

Kërkesa e prokurimeve për një mjet me kapacitet 450 tonë duket absurde pasi sipas ekspertëve tërheqja e trarëve prej 34 metra linearësh që do të përdoren për lotin e parë të unazës së madhe mund të realizohet edhe me një vinç me një kapacitet maksimumi deri në 210 tonë. Atëherë lindin pyetjet se cila është arsyeja e kërkesës për vinça të tonazhit më të rëndë sesa nevoja për realizimin e veprave të artit në lotin e parë të Unazës së Madhe nga pallati me shigjeta deri tek rrethrrotullimi i sheshit ‘Shqiponja’? Pse njësia e prokurimit vendos kritere diskriminuese, të cilat dëmtojnë konkurrencën dhe pengojnë operatorët ekonomikë të interesuar të marrin pjesë në garë?


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.