EKONOMI

Vendimi i qeverisë, kompensimi për të ardhurat mujore minimale

17:40 - 14.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Të gjithë përfituesit e pensioneve me datë të fillimit të pensionit deri më 31.12.2014, përfshirë edhe këtë datë, përveç pensionit, do të përfitojnë edhe kompensimet për të ardhura mujore minimale, në masën dhe kriteret e përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave. Por, kjo me kusht që shuma e pensionit mujor plus kompensimin e të ardhurave, pas indeksimit të pensioneve të jetë deri në 15 028 lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, përfshirë edhe përfituesit e pensioneve. Ndërsa për pensionet e invaliditetit dhe pensionet familjare, kjo shumë e pensionit mujor plus kompensimin e të ardhurave, pas indeksimit 2.8% nuk duhet të jetë më shumë se 14 528 lekë në muaj.




Vendimi
Sipas vendimit të qeverisë është parashikuar që kompensimi do të prekë edhe pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe pensionet familjare të caktuara sipas paragrafit të katërt të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, por me kusht që shuma e pensionit mujor plus kompensimin e të ardhurave, të arrijë deri në 9 851 lekë në muaj. “Kompensimet për të ardhura mujore minimale, në masën dhe kriteret e përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.401, datë 21.6.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”; nr.763, datë 27.12.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”; nr.415, datë 27.4.2009, “Për rritjen e pensioneve”; dhe nr.477, datë 30.6.2010, “Për rritjen e pensioneve”, do t’i marrin edhe ata persona që do të përfitojnë pensione të parakohshme sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, me datë fillimi nga 1.7.2018 e në vazhdim, me kusht që shuma e pensionit mujor të parakohshëm plus kompensimin e të ardhurave të jetë deri në 15 028 (pesëmbëdhjetë mijë e njëzet e tetë) lekë në muaj”, – thuhet në vendimin e qeverisë. Në këtë të fundit theksohet se pas datës 1.7.2018, të ardhurat minimale nga pensionet e plota të qytetit me datë fillimi deri në 31.12.2014, shtuar me kompensimet nuk mund të jenë me të vogla se 15 528 lekë në muaj, të ardhurat maksimale arrijnë 27 257 lekë në muaj, të ardhurat minimale nga pensionet e plota të fshatit nuk mund të jenë me të vogla se 10 051 lekë në muaj ndërsa të ardhurat minimale nga pensionet e parakohshme, shtuar me kompensimet, nuk mund të jenë më të vogla se 15 528 lekë në muaj.

Personat në ngarkim të pensionistëve
Instituti i Sigurimeve Shoqërore thekson se kompensimi për personat në ngarkim të pensionistëve jepet për personat në ngarkim, që ka përfituesi i pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe familjar. Këtë kompensim e përfitojnë: të gjithë pensionistët që marrin pension, që kanë anëtarë të familjes në ngarkim dhe që janë me banim të përhershëm në qytet, kur kanë në ngarkim fëmijë nën moshën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç, kur vazhdojnë shkollën e lartë si dhe kur kanë persona të tjerë në ngarkim dhe nuk janë më në marrëdhënie pune”, – citon ISSH.

Ndërkaq, masa prej 414 lekësh në muaj jepet për çdo person të familjes në ngarkim në rastet kur fëmijët janë nën moshën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç, kur vazhdojnë shkollën; si dhe kur nipat, mbesat kur nuk i kanë prindërit, bashkëjetojnë me pensionistin dhe janë nën moshën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç kur vazhdojnë shkollën. Ndërkohë, pagesa në masën 207 lekë në muaj jepet kur një nga prindërit është në marrëdhënie pune, ose në pension. ISSH thekson se ky kompensim nuk përfitohet nga pensionistët që realizojnë të ardhura nga veprimtaria ekonomike si të punësuar, punëdhënës, të vetëpunësuar, ose kanë tokë në pronësi. Për të përfituar nga kjo masë pagese, të interesuarit duhet të dorëzojnë dokumentacionin e përcaktuar si fotokopje e letërnjoftimit elektronik, certifikatë familjare, vërtetim nga shkolla, vërtetim nga zyra e tatimeve, taksave dhe nga bashkitë e komunat për mospasje të aktivitetit; vërtetim nga zyra e punës, si punëkërkues për personat që janë në ngarkim dhe nuk janë në marrëdhënie pune dhe një deklaratë personale.

Kompensimi prej 648 lekësh
Nga kompensimi 648 lekë në muaj për mbrojtjen e shtresave në nevojë për efekt të heqjes së fashës së konsumit të energjisë elektrike deri në 300 kwh në muaj mund të përfitojnë 2 kategori. Respektivisht mund të marrin këtë kompensim kryefamiljarët që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar, ose të vetëpunësuar në sektorin privat si dhe kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie shtetëror ose pension pleqërie fshati, por që janë me banim në qytet dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar. Dokumentacioni që nevojitet për të fituar të drejtën e përfitimit përfshin: deklaratën personale, fotokopjen e letërnjoftimit, fotokopjen e kontratës të energjisë elektrike të lidhur midis OSSH-së dhe personit, fotokopjen e librezës së energjisë, që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara si dhe një certifikatë familjare.

Kompensimet mujore

Përfituesit e pensioneve do të përfitojnë edhe kompensimet për të ardhura mujore minimale, me kusht që shuma e pensionit mujor plus kompensimin e të ardhurave të jetë:
Deri në 15 028 (pesëmbëdhjetë mijë e njëzet e tetë) lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, përfshirë edhe përfituesit e pensioneve sipas ligjit nr.150/2014.
Deri në 14 528 (katërmbëdhjetë mijë e pesëqind e njëzet e tetë) lekë në muaj, për pensionet e invaliditetit dhe pensionet familjare.
deri në 9 851 (nëntë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e një) lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe pensionet familjare të caktuara sipas paragrafit të katërt të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Kompensimet për të ardhura mujore minimale, në masën dhe kriteret e përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave do t’i marrin edhe ata persona që do të përfitojnë pensionet me datë fillimi nga 1.7.2018 e në vazhdim, me kusht që shuma e pensionit mujor të parakohshëm plus kompensimin e të ardhurave të jetë deri në 15 028 (pesëmbëdhjetë mijë e njëzet e tetë) lekë në muaj.
nPërfituesit e pensioneve, do të marrin edhe kompensimet “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”, “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm”.

Pensionet e posaçme shtetërore dhe invalidët e luftës

Pensioni i posaçëm shtetëror është një shtesë që jepet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave. Ky lloj pensioni mund të përfitohet nga të gjithë ata që kanë marrë pjesë në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, në lëvizjet popullore, në luftën kundër pushtuesve nazifashistë brenda dhe jashtë Shqipërisë, në mbrojtjen e kufirit e ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë, në lëvizjen demokratike dhe që kanë merita të veçanta. Por, edhe individët që kanë arritur rezultate të dallueshme në fushën e shkencës, kulturës, arteve, ekonomisë dhe politikës si dhe ata që kanë vuajtur nga persekutimi politik nën regjimin komunist mund të përfitojnë nga ky pension. Të interesuarit duhet të dorëzojnë kërkesën, e cila duhet të përmbajë gjeneralitetet, emrin, atësinë, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen etj., dhe duhet të jetë e shoqëruar me dokumentet përkatës si fotokopjen e letërnjoftimit elektronik ose certifikatën e gjendjes civile e vërtetimin nga Sigurimet Shoqërore, nëse merr pension dhe masën e pensionit. Më tej, personat e paaftë për punë duhet të dorëzojnë edhe një vërtetim nga KMCAP-i. Ndërsa, personat me merita të veçanta duhet të kenë bashkangjitur edhe kopjet e noterizuara të dokumenteve që vërtetojnë këto merita si titujt, medaljet, urdhrat etj., ndërsa të përndjekurit politikë duhet të dorëzojnë kopjen e noterizuar të statusit të të përndjekurit politik. Por, pensioni i posaçëm shtetëror nuk mund të jetë më i ulët se dyfishi i pensionit social dhe as më i lartë se katërfishi i tij. Ndërkohë, bëhet me dije se pensioni për merita të veçanta është pensioni që do të vazhdojë të paguhet nga organet e sigurimeve shoqërore deri sa përfituesi të vdesë. Por, sot ky lloj pensioni nuk llogaritet e po vjen drejt mbylljes së tij.

Pensioni për invalid lufte
Pensioni për invalidët e luftës është një pension, që u jepet invalidëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar. “Të drejtën e përfitimit nga statusi i invalidit të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar e kanë: a) Të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, që janë plagosur dhe gjymtuar duke luftuar kundër pushtuesve nazifashistë nga 7 prilli i vitit 1939, deri në çlirimin e Shqipërisë. b) Luftëtarët e inkuadruar në ato njësi të ushtrisë që janë plagosur dhe gjymtuar duke luftuar jashtë kufijve të atdheut deri më 09.05.1945. c) Të gjithë personat, që janë plagosur dhe gjymtuar, duke zhvilluar veprimtari të organizuar në ilegalitet, në prapavijë të armikut ose në zonat e çliruara. d) Të burgosurit dhe të internuarit, që janë plagosur dhe gjymtuar në burgjet dhe kampet nazifashiste, brenda dhe jashtë vendit”, – bën me dije Instituti i Sigurimeve Shoqërore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.