Intervista

Avni Kurti: Në jetë çdokush merr “gjoba”, ja pse u pëlqye “Jam nana”

05:40 - 15.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Një nga fenomenet më të spikatura të vitit ka qenë padyshim taksixhiu “Nana”. Avni Kurti me origjinë nga Burreli dhe banues në Tiranë, për shumë kohë u bë kryefjalë e takimeve të personazheve publikë dhe jo publikë. Realiteti i kohës, humori, natyra e çiltër dhe pasioni për makinat bënë që me anë të disa videove të shkurtra, taksisti Avni të rrëmbente vëmendjen e të gjithëve. Shumë polemika u ngjallën, por që e shndërruan atë në personazhin më të dashur për publikun duke i dhënë benefite si personale ashtu edhe profesionale.




Pasi videot bënë xhiron e rrjetit u sqarua që protagonisti do ishte pjesë e një filmi shumë të diskutuar të momentin ndaj iu dha dhe kjo vëmendje e madhe. Edhe pse videot janë realizuar në mënyrë spontane vëmendja e personazhit i ishte dhënë nga regjisori Drilon Hoxha duke e bërë pjesë të projekteve të tij për tipin dhe çiltërsinë si karakter. Kurti vjen në një rrëfim për “Gazeta shqiptare” për të hedhur dritë mbi pikëpyetjet e njerëzve. Ai ndan me ne përjetimet në filmin “Dashuria s’mjafton”, ardhjen e menjëhershme të famës, për suksesin e Nanës. Avniu pohon se në çdo ambient është timonieri më i mirë dhe se çdokush në jetë merr gjoba. Më tej, ai zbulon nëse do jetë pjesë e projekteve të tjera.

 

Për shumë kohë keni qenë në qendër të vëmendjes së mediave rozë. Si erdhi fama te ju?
Fama, në fakt, erdhi kur nuk u mendua. Ndodhi në mënyre shumë spontane dhe mori një bujë të madhe emri im bashkë me shprehjet specifike në video. Gjëja më e mirë dhe që më ka gëzuar pa masë ka qenë reagimi i fansave kundrejt meje me komente pozitive.

U bëtë i njohur me lançimin e një videoje dhe u identifikuat si personazhi “Jam nana”. Çfarë e bën të veçantë këtë personazh?
E veçanta e këtij personazhi është se nuk u krijua për ndonjë përfitim personal nga vete unë, njerëzit e krijuan dhe e bën pjesë të tavolinave të tyre. Pra, aq si personazh “Nana” është shumë popullor, spontan dhe pozitiv.

Si erdhi oferta për t’u bërë pjesë e filmit “Dashuria s’mjafton”?
Unë Drilonin e njoh kohë më parë, dhe kam qenë në dijeni të filmit “Dashuria s’mjafton”. Pasi “testuam” videot, të cilat pushtuan rrjetet sociale, e menduam që në mbështetje të tyre të vazhdoj të kem dhe një rol në film për të ardhur në një rol tjetër për ata që më ndjekin.

Sa e vështirë ka qenë të realizoje skena filmi?
Është hera e parë që unë marr pjesë në një film, dhe ka qenë një eksperiencë shumë e bukur për mua. Me ndihmën e stafit dhe të Drilonit ja arrita më së miri pa vështirësi.


Dubla që e keni përsëritur disa herë?
Vetëm një herë e kam përsëritur dublën.

Cila është pjesa më e sikletshme me taksistët në Shqipëri?
Pjesa më e sikletshme është kur përballesh çdo ditë me njerëz dhe karaktere të ndryshme ku shumica akoma nuk kanë kulturën dhe komunikimin.

Çfarë lloj “timonieri” jeni në shtëpi?
Në çdo ambient (jo vetëm në shtëpi) jam “timonieri” më i mirë pa dyshim.(qesh)

“Gjoba” më e madhe që keni marrë ndonjëherë?
Nëse referohesh në gjoba për qarkullimin rrugor: që në vitin ’92 vetëm një herë kam dal në komision. Ndërsa për “gjobat” në jetë, padyshim që çdo njeri merr, e rëndësishme është që ato gjoba t’i kthejmë në dëmshpërblime dhe them se ia kam arritur.


Cili është ai ves që e keni që nga fëmijëria?
Që fëmijët, në fakt, kështu kam qenë, tip i shoqërueshëm, bëja gjithmonë humor, por kisha dhe atë tipin e “garipit” në shoqëri dhe isha gjaknxehtë. Megjithatë nuk mund të them që jam akoma, pasi me moshën ne kuptojmë shumë gjëra dhe ndryshojmë nga fëmijëria.

Do i thoni ndonjëherë “Stop” aktrimit?
Në fakt, tani që e provova nuk e di, besoj se do më pëlqente ta vazhdoja nëse ofertat do ishin të mira. Pse jo!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.