OPINION

Dorëzimi i LSI, vlen me shumë se dorëzimi i Balilit

14:44 - 16.01.19 Mero Baze
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Edi Rama dhe Ilir Meta, e tepruan duke falenderuar institucionet e gabuara për meritat që kanë në rastin e Klement Balilit. Edi Rama falenderoi policinë dhe shërbimet inteligjente të vendit, ndërsa Ilir Meta partnerët ndërkombëtarë, për presionin që bënë mbi policinë.




Në fakt, të vetmit që duhen falenderuar, nëse ka vend për falenderim, janë strukturat e LSI në Delvinë dhe Sarandë, që siç e morën vetë përsipër, kishin negociuar me policinë, që Balili të dorëzohej në varësi të përfundimit të gjykimit të dosjes së tij në Greqi. Dhe ashtu u bë. Sapo gjyqi mbaroi në Greqi, ai u dorëzua.

Pavarësisht koiçidencës që njerëzit e LSI janë dhe njerëz të familjes Balili, e vërteta duhet thënë, se është e gjitha meritë, por edhe hall i tyre, dorëzimi i Klementit.

Tani që ai është në duart e drejtësisë, është mirë ta mbyllim këtë debatin e meritave.

E vetmja statistikë pozitive në këtë rast, është që një person i kërkuar nuk është më në listën e të kërkuarëve, dhe shumë aktrime të padenja politike rreth tij do të jenë më të vështira për t’u bërë.

Lajmi i madh pozitiv është pikërisht kjo të sjellurit “sikur nuk e njohim Balilin”.

Dy vjet më parë, ish- kryetari i Parlamentit, Ilir Meta kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar për kapjen e Klement Balilit, duke e konsideruar shumë të rëndë faktin që që ai nuk po arrestohej. Në fakt ajo kërkesë u bë nën panik, pas një vizite të tij në Uashington, ku ai shkoi për “të ndrequr vetullat, e për pak nxorri sytë”.

I futur në panik se gjoja nga Tirana, ambasadori Lu dhe qeveria kishin dezinformuar Uashingtonin, se Meta kishte lidhje politike me Klementin, ai kërkoi të distancohej dhe thirri me ndihmën e Bujar Nishanit, një mbledhje karagjozësh për Siguri Kombëtare, që bënin sikur nuk e dinin ku ishte Klementi.

Sot që të gjithë e pamë se kush e kishte negociuar dorëzimin e Klementit, Ilir Meta ka shansin të kërkojë ndjesë që LSI, ja kishte mbajtur fsheur atij personin në kërkim dhe e kishte shqetësuar deri sa e kishte detyruar të thërriste mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Ose të distancohet nga LSI, dhe t’ia lërë si përgjegjësi Monikës.

Përkundër zhurmës së madhe, më të madhe se sa mban në fakt kurrizi i Klement Balilit, unë nuk jam gati ta quaj atë “Eskobar të Ballkanit”, siç e ka përfolur shtypi grek, dhe ai nuk do të ishte penalizuar fare këtu, sikur të mos ishte bërë pjesë e politikës.

Ilir Meta dhe LSI po bëjnë përpjekje të madhe të lajnë duart me të, pasi nuk duan të duken viktima për shkak të tij, por në fakt ai është viktimë e tyre.

Përdorimi nga politika shqiptare e grupeve me lidhje kriminale dhe fuqi financiare, ka mbetur gara e vetme në këtë vend, dhe LSI e ka pasur fituar fuqinë e saj në Jug të vendit falë Balilëve, ndërsa Balilët janë penalizuar falë përfshirjes në LSI.

Sa ishin me PD nga viti 1992 e deri më 2013, nuk i gjeti gjë. Klement Balili është një i dënuar për përfshrije në trafik hashashi nga shteti grek dhe natyrisht do vazhdojë betejën e tij me drejtësinë. Si ai ka qindra shqiptarë në Shqipëri, që nuk i njeh njeri, pasi kanë hyrë në burg e kanë dalë, dhe kanë parë punën e tyre. Klementi vetë ka pasur më parë një histori të tillë kur PD ka qenë në pushtet, dhe askush nuk është marrë me të.

Ai nuk është as nga më të mëdhenjtë dhe as nga më të rrezikshmit. Ai është viktima më e madhe e kësaj historie, për shkak të lidhjes me LSI-në.

E vetmja gjë pozitive në këtë histori, nuk ka të bëjë me Balilin, por me politikën, pasi është për herë të parë, që ne po detyrojmë politikanët të distancohen nga lidhje të tilla.

Shikoni si sillet LSI dhe Ilir Meta me këtë rast, për ta kuptuar se kemi bërë një hap përpara. Dorëzimi i LSI përballë kësaj ngjarje, është më i rëndësishëm se dorëzimi i Balilit.

Kjo është e vetmja gjë pozitive. Për të tjerat nuk kemi bërë asgjë. Klementi u dorëzua kur deshi vetë, dhe do përballet me drejtësinë, si di vetë. Tani ai nuk është më pjesë e debatit tonë, por viktimë e debatit tonë.

Lajm i vërtetë është se politikës ka filluar t’i vijë frikë nga miqtë e saj. Dhe këtu ka vend për të falenderuar partnerët Perëndimorë, jo në kapjen e Balilit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.