SPORT

Sadiku huazohet te Lugano fati i keq përndjek Mavrajn

10:42 - 16.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Armando Sadiku kthehet te Lugano në Superligën e Zvicrës, ekip ku luajti për herë të fundit në elitën e futbollit helvet para se të niste aventurën te Legia e Varshavës në Poloni e më pas te Levante në Spanjë. Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare ka kaluar me sukses testet fizike këtë të hënë në praninë e mjekëve të klubit të tij, Levantes, duke u transferohet në formë huazimi tek ekipi zviceran deri në fund të sezonit, me të drejtën e blerjes së kartonit. Presidenti i Luganos, Enzo Renzetti, u shpreh i lumtur për këtë marrëveshje, duke qenë i bindur se pavarësisht se vjen nga një dëmtim i rëndë, Sadiku mbetet më i fortë se të gjithë sulmuesit që ka aktualisht në skuadrën e tij. “Problemi i vetëm është se Sadiku nuk ka zhvilluar ndeshje zyrtare në këtë sezon. Gjithsesi, kam folur personalisht me djalin. Është shumë i motivuar dhe po pret me padurim që të na bashkohet.”




Levante nuk e huazonte dot sulmuesin dhe e ka gjetur zgjidhjen, duke e shitur te Lugano. Sekreti është një klauzolë në kontratën e bërë mes klubeve. Spanjollët kanë të drejtë ta blejnë në verë. Sigurisht që shuma do jetë simbolike, pasi kartoni i sulmuesit është i Levantes, që ka shpenzuar plot 1 milion euro. Te Lugano Sadiku ka luajtur edhe në dy periudha të tjera. Për herë të parë iu bashkua në vitin 2012 dhe në Challenge League ai arriti të realizonte plot 18 gola, çka bëri që Zyrihu ta blinte më pas. Lugano është kthyer në një klub rehabilitimi për sulmuesin. Pas një dëmtimi te Zurich, ai rimori veten aty në pjesën e dytë të sezonit 2016-2017. Plot nëntë gola të realizuar dhe më pas erdhi shitja te Legia e Varshavës në Poloni. Sulmuesi i kombëtares ka mundësinë të luajë dhe të rikthehet në nivele të larta.

Mërgim Mavraj duket se po përjeton një nga periudhat më të pafat të karrierës së tij futbollsitike. Kapiteni i përfaqësueses shqiptare dukej se do të rigjente veten me kthimin te Ingolshtad, pas eksperiencave jo shumë të lumtura te Hamburg e Aris. Por edhe kjo në Gjermani ka filluar shumë keq, pasi ai është dëmtuar rëndë që në fillimin e stërvitjeve. Sipas informacioneve të bërë publike nga vetë klubi, Mavraj është rrëzuar dhe ka pësuar një frakturë serioze në dorë që e ka detyruar jo vetëm të lërë stërvitjen, por edhe të shkojë me urgjencë në spital për t’iu nënshtruar ekzaminimeve mjekësore. Atje është konstatuar se lojtari duhej t’i nënshtrohej një ndërhyrje kirurgjikale e cila është mbyllur me sukses. Klubi nuk ka bërë të ditur se kur është parashikuar kthimi i tij në stërvitje, por ka siguruar se gjithçka ka shkuar mirë dhe pret që Mavraj si zakonisht të kthehet shpejt në fushën e lojës. “32-vjeçari është mirë dhe ata që e njohin ekspertin e mbrojtjes apo që e kanë takuar në këtë periudhë të shkurtër te Ingolshtad, e dinë se do të presin një kthim të shpejtë të tij në skuadër”, shkruhej në faqen e klubit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.