AKTUALITET

Shitet Telekom Albania, e blejnë bullgarët për 50 mln euro

13:07 - 16.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Telekom Albania është shitur te kompania bullgare Albania Telecom Invest AD, për një vlerë totale prej 50 milionë Euro.




Njoftimi është bërë publik nga kompania greke OTE, pjesë e grupit Deutsche Telekom, e cila kontrollon kompaninë shqiptare Telekom Albania.

Sipas njoftimit zyrtar, bëhet e ditur se OTE ka ndërmarrë një marrëveshje për të shitur të gjithë aksionet e Telekom Sh.A (Telekom  Albania) për kompaninë bullgare.

“Albania Telecom Invest AD drejtohet nga Z. Spas Roussev, i cili zotëron shumicën e aksioneve të operatorit të telekomunikacionit Bullgar, Vivacom, dhe Z. Elvin Guri, Investitor Shqiptaro – Bullgar”- thuhet ne njoftim.

Presidenti dhe njëherazi Drejtori Ekzekutiv i OTE Z. Michael Tsamaz, duke njoftuar për vendimin më të fundit ka bërë me dije se: “Shitja e Telekom Albania përmbyll investimin e suksesshëm të grupit OTE në Shqipëri. Është një vendim strategjik i Grupit OTE i cili po ridimensionon prioritetet dhe planet afatgjata të zhvillimit, në mënyrë që të krijojë vlerë të shtuar për aksionerët dhe të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm”.

Ai ka falënderuar stafin manaxhues dhe të gjithë punonjësit e Telekom për arritjet e kompanisë deri më sot dhe për bashkëpunimin me Grupin OTE.

“Blerja e kompanisë nga një grup i fuqishëm investitorësh garanton rritjen e kompanisë dhe kushtet për fuqizimin e saj në tregun vendas”- tha ai.

Kjo marrëveshje ka hyrë në fazën e saj finale për të vijuar me aprovimin administrativ të autoriteteve lokale dhe financiare, procedura përmbyllëse të cilat priten të përfundojnë në gjysëm e parë të vitit 2019. Eurobank ka luajtur rolin e Këshilltarit Financiar për Grupin OTE.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.