Rajoni

Presidenti Putin në Serbi, çështja e Kosovës pjesë e bisedimeve

15:00 - 17.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Presidenti rus, Vladimir Putin, viziton sot Serbinë, në vizitën e tij të katërt që nga viti 2001.




Ai u prit në aeroportin e Beogradit nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, në masa të shumta sigurie. Avion “Mig” kanë shoqëruar avionin e tij dhe 7.000 oficerë policie janë dislokuar.

Para se të nisej për në Serbi, presidenti rus akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe perëndimin për siç tha, destabilizimin e Ballkanit përmes politikave ekspansioniste të NATO-s.

Serbia e cila synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ruan lidhjet e ngushta me Rusinë, aleaten e saj sllave dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë lidhur me Ukrainën dhe është zotuar të qëndrojë jashtë NATO-s.

Presidentit rus, nuk i sheh me sy të mirë proceset integruese të vendeve të Ballkanit, posaçërisht zgjerimin e NATO-s, ndërhyrja e së cilës në vitin 1999, u dha fund mizorive të forcave serbe në Kosovë.

Një pjesë e madhe e serbëve vlerësojnë qëndrimin kundërshtues të Moskës ndaj pavarësisë së Kosovës, që u shpall njëmbëdhjetë vjet më parë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, Beogradi është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.

Presidenti serb, tha se një pjesë e mirë e bisedimeve me presidentin rus do t’i kushtohet pikërisht çështjes së Kosovës.

Një nga pikat e diskutimeve pritet të jetë edhe një qendër e emergjencave që Rusia menaxhon në qytetin e Nishit në Serbinë jugore.

Disa grupe perëndimore dhe analistë ushtarakë e shohin si një bazë ushtarake të kamufluar që Kremlini e ka ngritur për të mbikëqyrur interesat amerikane në Ballkan.

Qendra ruse që u hap fillimisht në vitin 2012, gjendet relativisht pranë forcës paqeruajtëse prej 4 mijë trupash në Kosovë. Pjesë e forcave ndërkombëtare në Kosovë janë edhe 600 ushtarë amerikanë.

Moska kërkon që personelit të saj t’i jepet imunitet diplomatik, ndërsa mohon çfarëdo veprimtarie të saj përveç trajtimit të emergjencave.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.