AKTUALITET

Informaliteti në punë, Nikollaj: Tatim-taksat, jotransparentë

17:35 - 18.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Puna në të zezë, pagesa jo të deklaruara në masën reale dhe paga minimale të pamjaftueshme për qytetarët kanë qenë e vazhdojnë të jenë disa nga problematikat kryesore në tregun e punës. Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj tregon se qeveria ka qenë dorështrënguar në drejtim të pagës minimale dhe ka favorizuar më së tepërmi biznesin, sesa punonjësin e thjeshtë. Ai thekson se punëdhënësit po përdorin metoda të ndryshme informaliteti duke mos e deklaruar realisht pagën e punonjësve, duke punuar me dy palë listë-pagesa, duke ju tërhequr një pjesë punëmarrësve pasi ata të tërheqin pagën në bankomate. Nikollaj akuzon institucionet shtetërore përgjegjëse se shpesh punojnë secili për hesap të vet dhe duke krijuar premisa për korrupsion. Kreu i KSSH bën me dije se tatim-taksat punojnë pa transparencën e duhur, rakordojnë e raportojnë me shumë vonesë (shpesh edhe pas një viti), për subjektet që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore,




Sa është numri i punonjësve me kontribute në vendin tonë?
Zhvillimi i sistemeve të mbrojtjes sociale në përgji-thësi dhe veçanërisht ai i Sigurimeve Shoqërore ka qenë dhe mbetet prioritet i axhendës së punës së Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë. Zhvillimet eko-nomike të viteve të fundit si dhe tendencat e zhvillimeve demografike evidentojnë marrjen e masave urgjente për konsolidimin e këtyre skemave të mbrojtjes sociale, jo vetëm me fuqizimin e tyre monetar, por edhe me ndërhyrje dhe rregullime ligjore të domosdoshme me efekte afat-mesme dhe afatgjata për të siguruar një mbrojtje sociale cilësore dhe gjithëpërfshirëse. Numri i kontribuesve në skemën e ISSH-së, në vitin 2018 ishte rreth 765.000 persona ku vetëm 60.000 persona janë kontribues rural ndërsa pjesa tjetër janë kontribuues urban.
Sa qytetarë përfitojnë pension dhe si paraqitet raporti përfitues-kontribues?
Ndërkohë numri i përfituesve është rreth 635.000 ku në zonat rurale përfitojnë pension rreth 140.000 persona ndërsa pjesa tjetër janë përfitues urban. Nga këto të dhëna duket qartë se në zonat rurale kemi shumë pak kontribues në raport me përfituesit, kjo tregon dhe lidhet direkt me shkallën e varfërisë në vend. Pavarësisht frymës pozitive që solli reformimi i skemës së pensioneve në vitin 2015, akoma raporti kontribues /përfitues është shqetësues (1.53 me 1). Shqetësues vazhdon të jetë numri i madh i pensioneve të reja të lidhura në një vit (rreth 35.000 në vit) me numrin e të rinjve që futen në tregun e punës rishtas. Këtij shqetësimi i shtohet edhe rritja e moshës mesatare ku koha e gëzimit të pensionit aktualisht është rreth 24 vite.
Si e vlerësoni masën e pagës minimale, a është e mjaftueshme për shqiptarët?
Problem tjetër që lidhet me mbrojtjen sociale dhe shkallën e varfërisë është edhe paga minimale në shkallë vendi, e cila përcaktohet me ligj. Për këtë duhet të harmonizohen kërkesat morale (të cilat lidhen me nevojat jetësore të punëtorëve) dhe kërkesat ekonomike (të cilat lidhen me rritjen e aftësisë konkurruese të ekonomisë dhe me produktivitetin e saj. Vetëm ky harmonizim bën të mundur ruajtjen e ekuilibrit social. Këto vite, qeveria ka qënë dorështrënguar në drejtim të pagës minimale duke e hequr “vallen sipas muzikës së biznesit”, pavarësisht presionit të sindikatave. Nga 1 janari i 2019 paga minimale u bë 149 lekë/orë pune ose për 174 orë pune/mujore ajo u bë 26.000 mijë lekë në muaj. Rritje kjo jo e konsiderueshme po të krahasohet me nevojat e popullatës apo me minimumin jetik, i cili fatkeqësisht pranohet por nuk shpallet zyrtarisht.
Sa deklarohet paga reale e punonjësve nga punë-dhënësit?
Nisur nga konflikti ndër-mjet produktivitetit të ulët në punë dhe kërkesës së vazhdueshme të punëtorëve për rritje page minimale, punëdhënësit kanë shpikur metoda të ndryshme informaliteti shpesh edhe të sofistikuara duke mos e deklaruar realisht pagën e punonjësve, duke punuar me dy palë listë-pagesa, duke ju tërhequr një pjesë punëmarrësve pasi ata të tërheqin pagën në bankomate. Këto vitet e fundit po përdoren disa metoda të sofistikuara si: mosrritja e pagës, por dhënia e disa herëve gjatë vitit; shpërblime honorare në formë benefiti që i lidhin me performancën pozitive të ndërmarrjes por kjo bëhet për të shmangur tatimet dhe taksat mbi vlerën reale të pagës. Metodë tjetër abuzuese është edhe dhënia e pagës në natyrë, jo me mjete monetare edhe kjo kryhet me qëllim që të mos paguhen siguracionet edhe taksat. Këto fenomene janë shqetësuese jo vetëm në ndërmarrjet tradicionale që paguajnë page minimale, si fasoneria, turizmi, security (policia private), por edhe në ndërmarrje industriale si: fabrika përpunimi, minierat, ndërtim, transport, shëndetësia private, profesionet e rregulluara etj.
Sa është numri i punonjësve të padeklaruar, po në industrinë e nëntokës si paraqiten shifrat?
Për sa i përket informalitetit në tregun e punës, akoma vazhdon të jetë shqetësues. Institucionet shtetërore përgjegjëse shpesh punojnë secili për hesap të vet dhe duke krijuar premisa për korrupsion. Ristrukturimet e shpeshta organizative të hallkave të qeverisë, më shumë kanë sjellë dëm sesa produktivitet në eliminimin e fushës së zezë dhe informalitetit. Në industrinë e lehtë përpunuese qoftë ato të fasonerisë apo edhe të agro-biznesit kemi një informalitet të padeklaruar shqetësues. Do të sjell në vëmendje vetëm informalitetin që është sot në sektorin privat minerar. Prej tre vitesh kontributet e këtij sektori janë rritur me 5%, me qëllim që të kompensohet ulja e moshës së tyre për të dalë në pension. Aktualisht punojnë rreth 10.000 punonjës në këtë sektor dhe pagesën suplementare prej 5% e paguajnë vetëm 2000 punonjës nëntokë. Kjo është një minë me sahat për pensionet e ardhshëm të tyre.
A ndikon në këtë informalitet edhe puna e tatim-taksave?
Shkak tjetër për evazion fiskal dhe punë të padeklaruar, është edhe mosrakordimi periodik i tatim-taksave me Sigurimet Shoqërore. Fatkeqësisht tatim-taksat punojnë pa transparencën e duhur, rakordojnë e raportojnë me shumë vonesë (shpesh edhe pas një viti), për subjektet që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore, siç kanë qenë rastet me punonjësit e naftës apo edhe të disa kompanive shtetërore dhe institucioneve Publike të pushtetit vendor dhe qendror, që kur kanë vështirësi likuidimi, sakrifikojnë fillimisht kontributet e punonjësve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.