AKTUALITET

“Kontratat individuale të punës firmosen thjesht për formalitet”

14:08 - 18.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në vendin tonë, shpeshherë punonjësit denoncojnë raste të pushimit nga puna për shkak të rotacioneve politike. Ndërkohë, kontratat individuale, jo rrallëherë nuk nënshkruhen nga i punësuari ose thjesht mund të firmohen sa për formalitet. Kreu i KSSH-së, Kol Nikollaj thotë për ‘Gazeta Shqiptare’ se instrumentet e kontrollit janë sipërfaqësorë dhe shpesh të kapur nga biznesi e ndërkohë ky i fundit në cilësinë e punëdhënësit është i paorganizuar në organizata punëdhënësish efektive. Ai thekson se aksidentet në punë ndodhin kryesisht në Industrinë e rëndë, nxjerrëse dhe përpunuese si dhe në ndërtim e Telekomunikacion, ndërsa sektorët më të ekspozuar këto vite kanë qenë minierat dhe energjetika, kjo jo vetëm për efekt të riskut të lartë, por edhe nga mungesa e përgjegjësisë njerëzore.




A nënshkruajnë kontrata pune punonjësit në Shqipëri dhe sa respektohen pikat e saj?
Problemi i kontraktimit kolektiv e individual të punës në Shqipëri vazhdon të mbetet një problem i pazgjidhur, kjo për arsye se ne jemi i vetmi vend në rajon që nuk kemi ligj të posaçëm për “Organizimin dhe funksionimin sindikal dhe kontraktimin kolektiv”. Kodi i punës i jep prioritet kontraktimit individual por gjithmonë nuk mund të jete i suksesshëm nëse nuk mbështetet në një kontraktim kolektiv solid dhe gjithëpërfshirës. Kontratat individuale të punës, akoma vazhdojnë të hartohen në mënyrë të njëanshme nga punëdhënësi dhe të nënshkruhen në mënyrë formale nga punëmarrësi. Instrumentet e kontrollit janë sipërfaqësor dhe shpesh të kapur nga biznesi. Edhe biznesi vetë në cilësinë e punëdhënësit është i paorganizuar në organizata punëdhënësish efektive e për rrjedhojë i mungon inteligjenca për të investuar në kapitalin njerëzor. Investimi në kapitalin njerëzor është “thembra e Akilit” për rritjen e performancës të produktivitetit të kompanive private e publike. Kjo bëhet e mundur vetëm nëse kontraktimi individual i punës hartohet, negociohet e nënshkruhet në përputhje e në zbatim të plotë të ligjit dhe me mbështetjen, konsulencën e avokatinë e sindikatave si përfaqësuese legjitime të punëmarrësve.

Po kushtet e punës si paraqiten, veçanërisht në sektorët me vështirësi të lartë si minierat?
Kushtet e punës janë pjesë e realitetit social, ekonomik dhe kulturor të vendit. Nuk mund të flitet për kushte dinjitoze dhe perfekte në një vend me konflikte politike, sociale, me kulturë të mangët negocimi dhe bashkëpunimi, me dukuri të shfaqura dukshëm të korrupsionit dhe influencave të trafikimit politik etj. Pavarësisht se ne kemi një ligj të arrirë për sigurinë dhe shëndetin në punë zbatimi i tij është shumë larg. Akoma ne nuk kemi një Këshill Kombëtar të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë. Pavarësisht që ligji kërkon ngritjen e sigurisë dhe shëndetit në punë, në ndërmarrje ato nuk funksionojnë. Sëmundjet profesionale po bëjnë kërdinë dhe askush nuk i evidenton dhe nuk i studion. Nuk kryhen vizita mjekësore periodike konform ligjit dhe punonjësit janë të papajisuar me kartela personale mjekësore.

Sa i sigurt është punonjësi për vendin e punës, veçanërisht pas rotacioneve politike?
Shqetësues mbetet edhe fakti i sigurisë për vendin e punës sidomos në Administratën Publike, ku këto ditë ne jemi njohur me përgjime të kryera në Drejtorinë e Burgjeve, por pjesë e këtij realiteti janë kompani dhe institucione publike si dhe hallkat e pushtetit vendor dhe qendror, të cilat në rotacione politike apo në rotacione drejtuesish ekzekutiv masakrojnë punonjësit duke i larguar pa shkak nga puna. Janë me qindra e mijëra procese gjyqësore që presin ekzekutimin në favor të punonjësve ku buxheti i shtetit penalizohet me qindra e mijëra euro.

Cilët janë sektorët më të ekspozuar ndaj aksidenteve në punë?
Aksidentet në punë ndodhin kryesisht në industrinë e rëndë, nxjerrëse dhe përpunuese si dhe në ndërtim e telekomunikacion. Sektorët më të ekspozuar këto vite kanë qenë minierat dhe energjetika. Kjo ka ardhur jo vetëm për efekt të riskut të lartë por edhe nga mungesa e përgjegjësisë njerëzore. Shkrirja e Ministrisë së Punës, varësia e saj nga Ministria e Financave si dhe kalimi i varësisë së Inspektoratit Shtetëror dhe të përkujdesjes shoqërore nga Ministria e Financave kanë qenë shkaqe negative që kanë larguar përgjegjësinë dhe kanë motivuar papërgjegjshmërinë njerëzore në drejtim të eliminimit të aksidenteve në punë qoftë me gjymtime të pjesshme apo me marrje jete. Vakumi ligjor dhe moskoordinimi i agjencive ligj-zbatuese Shtetërore si RISHMI, AKBN, ISHPPSH, Prokuroria, Gjykatat, kanë bërë që gjithmonë përgjegjësia të ngelet te viktimat.

Cilat janë masat që duhen marrë nga instancat përgjegjëse për t’i dhënë zgjidhje problematikave të mësipërme?
Ne mendojmë se urgjentisht qeveria duhet të ulet me partnerët socialë dhe të nënshkruajnë një Memorandum bashkëpunimi social që të përfshijë ide, mendime dhe afate konkrete për të kapërcyer situatën e vështirë sociale-ekonomike që ndodhet vendi ynë. Ndërsa në lidhje me sigurinë dhe shëndetin në punë duhet të reformohen tërësisht strukturat shtetërore të cilat e kanë detyrim kushtetues dhe ligjor sigurinë dhe shëndetin në punë. Konkretisht në mënyrë urgjente duhet ndërhyrë tek Inspektorati i Punës, i cili duhet të bëjë kthesë rrënjësore në këtë fushë. Një Inspektorat me 95 inspektorë dhe me tre automjete lëvizëse, është qesharake të mendojmë se kontrollon dhe mbikëqyr gjithë subjektet punuese në gjithë territorin e vendit. Pa folur pastaj për minierat në të cilat ky inspektorat nuk futet brenda në nëntokë, për kontroll apo inspektim. Ndërmarrjet minerare dhe ato ujore janë ligjërisht jashtë kontrollit nga shteti. Këtë detyrim ligjor ia kalojnë gjoja RISHMI-t që është agjenci tjetër shtetërore që ka funksion kontrollin e sigurisë teknike në miniera si agjenci e specializuar dhe jo kushtet e punës së punonjësve në tërësi. Këto dy institucione shtetërore kështu të ndara nuk kryejnë asnjëra funksionin e vërtetë, atë të evidentimit dhe parandalimit të rreziqeve në miniera në tërësi dhe rrezikun e jetës në veçanti. Prandaj, këtu duhen bërë ndërhyrje ligjore dhe të punohet për përforcim kapacitetesh njerëzore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.