KULTURË

Maks Velo: Fshati primitiv ndriçohet nga meteorë

16:30 - 18.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – 30 vepra të krijuara gjatë vitit të fundit dhe disa nudo tëmëhershme janë ekspozuar dje në mbrëmje në galerinë e Arteve FAB. Maks Velo rikthehet me një ekspozitë duke u prezantuar me vepra në akrilik, teknikë e njohur për të. “Fshati primitiv ndriçohet nga meteorë” është titulli i ekspozitës personale për vitin e ri 2019, që sapo hyri, i artistit-piktor Maks Velo. Një emër i njohur për publikun si arkitekt, piktor e aktivist aktiv. Kuratori Mikel Temo thotë se tashmë në të 80-at, ai vazhdon të angazhohet e krijojë imazhe të një karakteri të veçantë, reminishenca të një të kaluare të rëndë persekucioni që pa dyshim ndërthuren e ndriçohen nga ndryshimi dhe e sotmja. Galeria e Fakultetit të Arteve të Bukura njoftoi më herët se ekspozita ofron një spektakël koloristik, një ngjarje kreative për personalitetin e autorit, të cilit, ashtu siç thotë dhe vetë ai, “tashmë; ëndrra, imagjinata, fantazia dhe shfaqja njerëzore vijnë me ngjyra”. Kuratori Temo vë në dukje se u desh kohë që e zeza, makthi, persekucjoni, të zbehen e vendin e tyre ta përfshijë një botë plot ngjyra e jetë. A do ta zëvendësojë ajo errësirën…? Kjo mbetet për t’u zbuluar. Procesi ka filluar, krijimi vazhdon…




“Në fillim Velo operon me pastele si një shtresë e parë mbi të cilën mbivendos akrilikun; aty ku transparenca mes pastelit dhe akrilikut mbivendosen japin një pasuri”, tha dje Temo për “GSH”.
I pyetur për titullin kuratori tha se “Fshati primitiv ndriçohet nga meteorë- nënkupton që gjithë Shqipëria në situatën që është dhe me problemet që kemi, është një fshat primitiv, për nga mënyra e mendimit, e të jetuarit dhe të vepruarit. Ndriçimi me meteorë është simbolikë. Është shpirti pjesë e ndriçimit të veprës dhe bëhet loja mes të kaluarës si persekucion dhe burg dhe të sotmes që është kjo dritë e liri. Nëse dikur artisti ndriçohej në burg përmes dritares së qelisë, sot ndriçohet në hapësirë. Autori jep kështu energjinë e duhur, për procesin krijues”, tha dje Temo.

Ekspozita personale e piktorit të njohur Maks Velo mund të vizitohet deri me 30 janar 2019.
Artisti Maks Velo përfaqëson një figurë komplekse të një intelektuali, arkitekti, piktori, studiuesi, analisti, publicisti dhe shkrimtari. Ai ka patur një jetë mjaft të vështirë pasi në artin e tij të viteve 1960-1978, pasqyroi ndikimin e artit modern dhe postmodern evropian duke u cilësuar si dekadent dhe armik i partisë dhe shtetit komunist. Për krijimtarinë e tij artistike Velo u kritikua rëndë dhe u dënua me burg në minierat e kampit të Spaçit, jetë të cilën e përshkruan më vonë pas viteve 1990 në botimet e tij të ndryshme memorial & publicistike.

Maks Velo lindi në Paris (Francë), në familjen e doktor Sotirit, i cili kishte mbaruar studimet për mjekësi të përgjithshme në Athinë, (Greqi) dhe ishte specializuar për okulistikë në Francë. Nëna Ani Poro, ishte e bija e një emigranti nga fshati Dardhë (Korçë) me shtetësi amerikane. Familja Velo kthehet në Korçë, Shqipëri (1939) dhe Velo i ri kreu mësimet deri në vitin e dytë në gjimnazin “Raqi Qirinxhi”, duke qenë nxënës i piktorit Vangjush Mio. Figura e Velos është shumëplanëshe dhe mjaft e veçantë. Ai qe një fëmijë mjaft inteligjent e kurioz. Që në moshë të re përveçse vizatonte mjaft bukur, i binte pianos, lexonte në disa gjuhë të huaja (frëngjisht, italisht, rusisht etj.) dhe ëndërronte të bëhej arkitekt. Pasi familja e tij në vitet ’50 transferohet me banim në Tiranë, Velo i mbaroi dy vitet e fundit të shkollës së mesme në gjimnazin “Qemal Stafa” (1952) e më tej ndjek studimet e larta në degën e inxhinierisë së ndërtimit – arkitekturës. Pas diplomimit caktohet si arkitekt në byronë e projektimit të Komitetit Ekzekutiv të Kryeqytetit. Eshtë autor i mjaft ndërtesave publike, shoqërore e kulturore. Në këto vite pasioni për pikturën dhe veçanërisht për vizatimin e tërheq dhe ai ka një krijimtari të pasur, gjë që e shtyn Velon të dalë para publikut të kryeqytetit me ekspozitat e tij të para vetjake (1958, Durrës); dy ekspozita në Tiranë (1959 – 1961). Në vitin 1960 ai do të marrë pjesë në Ekspozitën e Artit Shqiptar që çelet në Erevan, Moskë dhe Bukuresht. Krahas artistëve të formuar në Akademitë e Lindjes në ekspozitat dhe Konkurset Kombëtare të Arteve Figurative në vitet 1968-1972, Velo ishte prezent në pesë prej tyre.

Që kur studionte për inxhinieri ndërtimi – arkitekturë, Velo ishte i prirur të vrojtonte e më pas të studionte me mjaft vëmendje krijimtarinë artistike të krijuar në shekuj nga mjeshtërit popullorë anonimë si: figura e Skënderbeut, maskat, gurët e varreve, figurat në dyll të ngjyrosura për pashkët, trokitëset metalike të dyerve, forma e shqiponjës dykrenore, kërraba të gdhendura të barinjve etj. Pleniumi i 4-të i KQPPSH e kritikoi Velon si mbartës i ndikimeve të huaja më krijimtarinë e tij artistike dhe nga shtatori 1973 deri më 1978, ai transferohet me punë në fshatin Ndroq, 15 km larg Tiranës si masë dënuese nga ana e shtetit komunist të Enver Hoxhës. Më 14 tetor 1978, arrestohet dhe dënohet me 10 vjet burg politik (lirohet në vitin 1986 dy vjet para mbushjes së dënimit të plotë nga ligji i amnistisë). Pas daljes nga burgu kthehet në Tiranë dhe punon si punëtor i thjeshtë në Uzinën e gurëve abrazivë (1978-1991). Maks Velo merr statusin e të burgosurit politik dhe më 1992 bëhet shtetas amerikan… Krijimtaria e Velos / piktor ndahet në dy periudha: atë nga fillimet deri në vitet 1978 (kur i sekuestrohen dhe digjen nga policia me vendim Gjykate 468 vepra të ndryshme arti) dhe periudhën nga vitet ’90 e në vazhdim ku “regjistrohen” mbi 40 ekspozita vetjake. Periudha e parë fatkeqësisht nuk njihet për shkak të eliminimit fizik të veprave të cilësuara nga pushteti komunist i kohës si “dekadente”, “me ndikime të artit perëndimor”, vepra të cilat u bënë dhe aktakuza kryesore e dënimit të Velos me 10 vjet heqje lirie. Nga ky koleksion kanë shpëtuar vetëm 35 vepra që u dërguan fshehurazi në Paris dhe ju kthyen autorit pas viteve ’90. Një njohje mbi këtë veprimtari pjesërisht mund të merret edhe me anë të cikleve të vizatimeve që Velo publikonte në revistën periodike të kohës “Shqipëria e Re”. Këto vizatime mund të vlerësohen veçanërisht për linjën e shkathët, stilizimin e figurave, kompozimin jo të zakonshëm dhe jashtë skemave e kanoneve të artit të realizmit socialist. Ato ishin vizatimet më moderne të kohës të publikuara në Shqipëri. Në periudhën e dytë piktori Velo ka realizuar disa cikle piktorikë që titullohen: druvarët; lebërit; instrumentistë popullorë, njeriu dhe trau duke realizuar në një hark kohor rreth 17 vjeçar, dhe të paraqitura në mbi 40 ekspozita vetjake, shumica e të cilave jashtë Shqipërisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.