OPINION

Zhvillimet e teknologjisë digjitale në arsim

07:35 - 18.01.19 Pëllumb Karameta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Unë nisem nga postulati se jemi në pragun e një shndërrimi madhor me natyrë të ngjashme me shndërrimet që bënë të lindnin shkolla, arsimi publik dhe, së fundmi, arsimi masiv. Me fjalë të tjera, nisem nga hipoteza se po i afrohemi revolucionit të katërt me përmasa të ngjashme”. Kështu e portretizoi, në fillimin e këtij shekulli, ndryshimin që po ndodhte në sistemet e edukimit në botë, një prej mendjeve më të ndritura të shkencave psikologjike, J. Bryner. Ndryshim që zhvendosi në praktikat pedagogjike theksin nga mësimdhënia që synonte memorizimin e përmbajtjeve lënd0re, te nxënia e vazhduar gjatë gjithë jetës. Nxënie që e aftëson subjektin të dijë, të dijë të bëjë si duhet dhe të shpjegojë përse e bëri ashtu. Qasjet e reja pedagogjike, të bazuara kryesisht në teorinë konstruktiviste, vunë theksin tek aktiviteti i individit i cili, përmes veprimtarisë së tij, arrin të ndërtojë dhe zbatojë gjithë sa mëson, në institucionet arsimore apo jashtë tyre. Është kjo teori, ajo që mundësoi integrimin e teknologjisë digjitale në arsim dhe i hapi rrugën ndërtimit të kompetencës digjitale, një nga elementët kyç të identitetit bashkëkohor të rinisë. Ajo i referohet kapacitetit që personi ndërton sistematikisht dhe i mundëson të përdorë teknologjinë në shtëpi, shkollë ose punë. Kompetenca integron shkathtësitë kyçe me të cilat subjekti përdor teknologjinë për të gjetur, prodhuar, krijuar, prezantuar, shkëmbyer informacion dhe bashkëpunuar në internet. Në këtë kontekst, në dy dekadat e fundit, në sistemin tonë arsimor ka zhvillime dhe po përballen sfida.




  • Zhvillimi i parë lidhet me përpjekje për të dizenjuar programe kompjuterike për menaxhimin e arsimit. Në vitet 1998-1999, Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Fondacionin “Soros”, mbështetën zbatimin e programit “School mapping database”, për të identifikuar në mënyrë elektronike rrjetin e shkollave dhe orientuar politikat për rajonizimi / rigrupimi e shkollave në vend. Edhe pse nuk u sigurua produkt i synuar, mund të themi se programi përbën rastin e parë të përdorimit të teknologjisë digjitale për administrimin e arsimit. Në këtë linjë, ndër vite, ndërmerren nisma për hartimin e standardeve të teknologjive në arsim, për ndërtimin e laboratorëve të informatikës, për bibliotekat digjitale, për infrastrukturën e TIK-ut në shkolla, për trajnimin e mësuesve të teknologjisë, për shortin digjital të administrimit të provimeve etj. I tillë është, p.sh., projekti “Sokrates” që pritet të mundësojë funksionalitete për kërkim, menaxhimin, planifikimin e vlerësimin e sistemit, në të gjitha nivelet e tij.

2) Zhvillimi i dytë identifikohet me nismat për të pajisur shkollat me pajisje digjitale si kompjuter, laptop, video-projektor, tabela inteligjente (smartboarde), tablete, si dhe për të lidhur mjediset shkollore me Internetin. Sot kemi rreth 1500 laboratorë kompjuterësh. Rrjeti i internetit është instaluar në shkolla dhe rreth 1100 syresh kanë lidhje të dedikuar në mjediset e laboratorëve kompjuterike me shërbim të ofruar në parametrat 2-10Mb/sec. Ndërkohë, afro 800 shkolla furnizohen nga PAP me një shpejtësi 8Mb/sec. Këtu përfshihet, p.sh., projekti për digjitalizimin e nxënies me tableta. Një lloj kompjuteri vetjak i lëvizshëm ky, me madhësinë e librit të zakonshëm (diagonalja e tij rritet, duke filluar nga 18 cm.), që funksionon përmes prekjes së ekranit, në mjedise ku mundësohet komunikimi wireless (pa përcjellës elektrik). Në kontekstin pedagogjik, tableta është pajisje që u mundëson nxënësve: a) shndërrimin e dijeve të kodifikuara në programet dhe tekstet në njohuri të reja vetjake, përmes kërkimit në situata që ua kuptojnë domethëniet; b) zhvillimin e mënyrave me të cilat krijohen dhe komunikohen kuptimet në botën e sotme (imazhet, fjalët e shkruara ose pamjet vizuale, grafikët, tingujt, informacionin digjital ose mediatik); c) lidhjet dhe ndërveprimet mes sistemeve të ndryshme të dijes dhe mënyrave të paraqitjes së njohurive që ndërtohen prej tyre; d) dallimet në procesin mësimor, duke mënjanuar qasjet që i përgatitin të gjithë “me një kut”; e) zhvillimin e proceseve mendore, bazë për trajtimin e situatave jetësore, jo thjesht produktet (sistemet e ngurta të dijeve lëndore). Përdorimi i tabletës mundëson gradualisht dizenjimin e teksteve digjitale në shkolla, si mjete me të cilat nxënësit mund të mësojnë përmbajtjet e përshtatura për aftësitë dhe interesat e tyre. Tekstet digjitale “jetojnë dhe ndryshojnë” sistematikisht dhe u lejojnë nxënësve të krijojnë njohuri për vete dhe komunitetin.

3) Zhvillimi i tretë shprehet përmes përpjekjeve për familjarizimin e personelit pedagogjik me teknologjitë digjitale. Fillimisht, në fokus kanë qenë mësuesit që zhvillojnë lëndët e TIK-ut të cilët, përveç teksteve të digjitalizuar, kanë dhe një platformë online në shqip, të dedikuar për ta. Ndërsa aftësimi i mësuesve të tjerë, për përdorimin efikas të pajisjeve teknologjike në procesin mësimor, me gjithë përpjekjet vetjake apo institucionale, mbetet sfida që duhet tejkaluar.

4) Integrimi i teknologjisë digjitale drejtpërdrejt në procesin e nxënies. Në terma të përgjithshme, ky zhvillim përfshin dy aspekte themelore. I pari ka të bëjë me ndryshimet që mundësoi reforma kurrikulare. Tani e në vijim, elementet e teknologjisë, në funksion të ndërtimit të kompetencës digjitale, janë përfshirë në kurrikulin e arsimit parauniversitar.

Aspekti i dytë lidhet: a) me dizenjimin e produkteve digjitale që mund të përdoren drejtpërdrejt në procesin mësimor-edukativ; b) me aftësimin e mësuesve për ta përdorur teknologjinë në praktikën pedagogjike. Integrimin e këtyre elementeve e mundëson  platforma digjitale “School Me”. Ajo është përgatitur nga specialistë të teknologjive të informacionit, akademikë, mësues, profesionistë britanikë dhe ndërkombëtarë, të formuar në Oxford, Cambridge dhe University of London. Për nevojat e kurrikulave të reja, që po zbatohen në Shqipëri dhe Kosovë, platforma është zhvilluar nga studentë të talentuar shqiptarë dhe evropianë, të profileve shkencore, të ndihmuar nga mësues shqiptarë me eksperiencë. Ajo drejtohet dhe menaxhohet nga Thames Online Education, një kompani me qendër në Londër. Platforma, e mbështetur nga MASR dhe OSFA, po pilotohet në 35 shkolla të qarqeve Tiranë, Elbasan, Lezhë dhe u ofrohet 1200 mësuesve dhe rreth 15000 nxënësve.

Platforma shtjellon të gjitha mësimet, në formë videosh, për lëndët kryesore në arsimin bazë. Mësimet janë zhvilluar nga mësues me eksperiencë. Dijet lëndore paraqiten në formë vizuale dhe kuptimi i tyre lehtësohet nga filma shkencorë, harta, dokumente historike, eksperienca në laborator dhe teste online. Mësimet janë renditur në përputhje me programet mësimore dhe aksesohen menjëherë. Kapacitetet e platformës do të shfrytëzohen nga mësuesit në orën e mësimit, për të ndihmuar konkretizimin dhe kuptimin nga nxënësit. Hyrja në platformë është e lehtë, përmes kodit personal të mësuesit  ose të nxënësit. Shkollat pilot janë pajisur me internet për qasje të menjëhershme në platformë. Çdo nxënësi i është krijuar profili personal për përdorimin e platformës në shtëpi, përmes kompjuterit, tabletës ose celularit. Një komponent i rëndësishëm i pilotimit është aftësimi i mësuesve për të përdorur teknologjitë digjitale në procesin e të nxënit, përmes 4 moduleve të akredituar nga MASR.

Veçmas vlerave të mirëfillta mësimore – edukative, kjo risi teknologjike konsiderohet përvoja e parë e zbatimit të teknologjisë digjitale drejtpërdrejt në procesin e nxënies. Nga ana tjetër, lehtësia për t’u përdorur kudo, kurdoherë, nga kushdo (mësues, nxënës, prind) mundëson që, pjesë të rëndësishme të dijeve lëndore, të mund të arrihen nga të gjithë. Ndaj, platforma “School Me” vlerësohet si investimi që sfidon ndarjen digjitale të nxënësve e cila, nëse nuk adresohet me përparësi, do të sjellë ndarjen e tyre në formim.

Në sintezë, edhe pse për sistemin tonë, prurjet e revolucionit digjital në arsim, mund të duken objektiva të një formati të madh dhe sfidat të vështira për t’u përballur, së pari, të nisim të kuptojmë si duhet ta konceptojmë shkollën digjitale, përse ajo duhet konceptuar e tilla, si t’i mendojmë nevojat e nxënësve, si ta dimë kur jemi të suksesshëm etj. Sepse shkollat e reformuara projektohen, jo për të mbushur kokat e nxënësve me lloje të veçanta të dijeve ekzistuese, por për të rritur kompetencat e tyre, së pari, për të nxënë vetë dhe për të ndërtuar, prodhuar dhe zbatuar njohuri të reja.

Tiranë, më 16/01/2019


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.