Intervista

Albana Duni: Hemorragjitë në traktin e sipërm, si duhen mjekuar

17:50 - 21.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Me kalimin e moshës, kequshqyerjen dhe shfaqjen e sëmundjeve në traktin gastrointestinal, mund të prekemi edhe nga hemorragjia digjestive. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në Gazeta Shqiptare, mjekja gastrohepatologe, Albana Duni tregon të gjithë faktorët që ndikojnë në shfaqjen e hemorragjive, lokalizimet e ndryshme që kanë si dhe format e trajtimit. Më tej ajo thekson se femrat janë më të predispozuara se meshkujt për tu prekur nga këto hemorragji. Gjithashtu, mjekja ndalet edhe te divertikulat (xhepa të vegjël që formohen në murin e mukozës së brendshme të zorrës). Sipas Dunit shkaku kryesor i zhvillimit të tyre është dieta e varfër në fibra.




Mund të na tregoni se çfarë është divertikuloza dhe divertikulitet?
Ta themi thjesht: divertikulat janë xhepa të vegjël që formohen në murin e mukozës së brendshme të zorrës. Shpesh gjenden në zorrën e trashë, por, gjithashtu, mund të zhvillohen dhe në pjesët e tjera të traktit tretës prej ezofagut deri në zorrë të trashë. Prezenca e shumë divertikulave në numër quhet divertikulozë. Shkaku kryesor i zhvillimit të tyre është dieta e varfër në fibra. Kur këta xhepa te vegjël inflamohen krijojnë një situatë të quajtur divertikulitis. Sëmundja divertikulare është shumë e shpeshtë në Amerikë ose në shtetet e industrializuara dhe në më shumë se 50% të rasteve prek moshën mbi 60-vjeç.

Po diverticulosis kur shfaqet dhe si bëhet diagniostikimi i saj?
Prezenca e shumë divertikulave të painflamuara quhet divertikulosis. Në përgjithësi njerëzit me divertikulosis nuk kanë shenja dhe janë të informuar që i kanë ato. Diagnostikimi bëhet me anë të grafive dhe sigmoidoskopive rutinë.

Çfarë rekomandoni ju si gastrohepatologe në këto raste?
Menaxhimi i divertikulosis është parandalimi i konstipacionit. Rekomandohet një dietë e pasur me fibra krunde dhe psilium që mund të përshkruhen nga mjekët. Ky lloj trajtimi ka për qëllim zbutjen e materialeve fekale duke ulur presionin e tyre mbi zorrën. Rekomandohet që gjatë ditës të merren rreth 10 gota ujë të cilat ndihmojnë në një jashtëqitje të lehtë pa shterzime. Ulja në mënyrë të rregullt në tualet për të defekuar është një mënyre parandalimi të konstipacionit.
Rekomandohet të shmanget konsumimi i lajthisë dhe farave (mbetet e diskutueshme sepse ato nuk treten plotësisht dhe mund të mbesin nëpër divertikula dhe të shkaktojnë inflamacion).

Çfarë ndodh në organizëm kur ushqimi nuk arrin të tretet plotësisht?
Diverticulitis ndodh kur divertikulat inflamohen ose infektohen. Shkaku mendohet të jenë ushqimet e patretura, mbetjet fekale dhe bakteret duke shkaktuar inflamacion. Simptomat e shpeshta të divertikulitis janë: Dhimbje/discomfort në pjesën e poshtme të barkut; Ndryshime në jashtëqitje diarre/konstipacion; Fryrje dhe distendim i barkut; Dhimbje në kuandartin e poshtëm majtas të barkut. Ndërkohë të moshuarit mund të mos kenë temperaturë ose dhimbje abdominale të cilat komplikojnë diagnozën. Divertikulitis mund të çojë në hemorragji si shkak i perforacionit të ndonjë prej tyre. Trajtimi përfshin antibiotiket për të luftuar infeksionin dhe menaxhimin e dhimbjeve me ciprofloxacin 500mg 2 here në ditë ose cefalosporinë të gjeneratës së tretë, e kombinuar me metronidazol 500mg 3 herë në ditë për 10-14 ditë.

Kur mund të jetë e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale?
Nëse nuk përmirësohen simptomat atëherë duhet të dërgohet në qendër spitalore për tu bërë drenazh perkutan nën drejtimin e ekos transabdominale ose te CT scanerit. Kirurgjia mund jetë e nevojshme në ato raste kur kemi obstruksion ose perforacion.

Në cilat raste pacienti shfaq hemorragji digjestive dhe ku lokalizohet ajo?
Të moshuarit janë më të rrezikuar për të pasur hemorragji dhe sigurisht kërkojnë ndërhyrje të shpejtë mjekësore. Prezantimi i hemorragjisë varet nga lokalizimi i lezionit hemorragjik (hematemezë, melena, rektoragji). Hematemesis shfaqen me të vjella hemorragjike në formën e një gjaku të freskët (hemorragjinë aktive), në formën e gjakut si “llum kafeje” dhe gjaku me koagula (hemorragji e ngadalshme). Ndërkohë melena është një lloj hemorragjie nga lezionet e traktit të sipërm dhe shfaqet kur sasia e gjakut kalon më shumë se 50ml dhe ka ngjyrë të zezë. Ndërkohë rektoragjia është një lloj tjetër hemorragjie që vjen nga lezionet e poshtme të traktit tretës që mund të jetë gjak i kuq i freskët, me koagula, i përzier me materie fekale dhe diarre sanguinolente. Në 75% të hemorragjive të traktit të sipërm: 50% e hemorragjive vijnë gjatë përdorimit të aspirinës; 50% e tyre vijnë gjatë ulcerave ose erozioneve, divertikulave ose xhepave në zorre dhe e tumoreve të traktit tretës. Femrat janë në një risk më të lartë se meshkujt për tu prekur nga këto hemorragji.

Si realizohet trajtimi i hemorragjisë digjestive?
Hemorragjia digjestive kërkon ndihmën mjekësore spitalore dhe diagnostikim të shpejtë sepse mund të jetë kërcënuese për jetën e pacientit. Përveç vlerësimit të gjendjes së pacientit nëpërmjet monitorimit të shenjave vitale, kërkohet kuadri i gjakut dhe ekzaminimet që mund të nevojiten ku dihet që për traktin digjestiv ajo që vë diagnozën është endoskopia e sipërme ose e poshtme, pra gastroskopia dhe kolonoskopia. Këto ekzaminime jo vetëm përcaktojnë burimin e hemorragjisë, por edhe bëjnë të mundur të aplikohet terapi hemostatike pra të ndalojë hemorragjinë me metoda të thjeshta endoskopike.

Çfarë i shkakton gazrat?
Teprica e gazrave në stomak zakonisht është e lidhur me dietën. Disa ushqime që shkaktojnë gazra janë: pijet me gaz, disa lloje frutash, fasulet dhe perimet, akulloret dhe vezët që përmbajnë sulfur. Tjetër arsye e pranisë së gazrave është dhe intolerance prej laktozës.
Është normale që njeriu të nxjerrë gazra 7-20 herë/ditë. Të kesh gazra nuk do të thotë që je i sëmurë.

Cilat janë simptomat e tyre?
Gazrat mund të shkaktojnë dhimbje abdominale, fryrje barku dhe ndjenjë jo rehatie. Simptomat zakonisht janë përmirësuar me shmangien e ushqimeve gazprodhuese, duke ecur ose duke ndryshuar pozicion. Patjetër që një vlerësim i plotë është i nevojshëm tek të moshuarit i cili konsiston në vlerësimin e ndryshimeve funksionale të zorrës, dhimbjes shoqëruar me simptoma gastro-intestinale. Gromësirat e shpeshta zakonisht janë si rezultat i gëlltitjes së tepërt të ajrit, megjithatë duke marrë parasysh se tek të moshuarit kjo mund të jetë një simptomë për një problem tjetër serioz është shumë e rëndësishme vlerësimi për gastritet dhe ulcerat peptike.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.