EKONOMI

Cilat janë 5 kategoritë që përfitojnë pension familjar

16:30 - 21.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Bazuar në ligjin “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, qytetarët që plotësojnë kriteret e përcaktuara mund të përfitojnë pension familjar. ‘Gazeta Shqiptare’ zbardh sot kategoritë përfituese, kushtet si dhe dokumentacionin që duhet të dorëzojnë kandidatët e interesuar.




Kategoritë përfituese
Përkatësisht janë 5 kategori që mund të marrin pagesën e pensionit familjar. Këtë të fundit mund ta përfitojnë të gjithë jetimët që ishin në ngarkim të personit që vdiq dhe janë nën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç, të cilët studiojnë apo janë të paaftë për punë. Instituti i Sigurimeve Shoqërore thekson se në momentin që i/e veja martohen sërish, e humbasin të drejtën e përfitimit të pensionit familjar. Ndërsa në të gjitha ato raste kur e veja nuk është pjesëtare e pensionit familjar dhe përfitues është vetëm një jetim, masa e pensionit për jetimin është 50% e pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndjeri. Gjithashtu, përcaktohet edhe mosha kur përfitohet pensioni familjar nga i/e veja.

Pension familjar mund të përfitojë e veja që është mbajtëse e një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç; që nuk është e aftë të punojë dhe që ka mbushur moshën 55 vjeç. Gjithashtu, nga kjo kategori pensioni përfiton edhe burri i ve, kur është mbajtës i një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç, që është i paaftë për punë dhe që ka mbushur moshën 60 vjeç. Të gjithë ata jetimë që ishin në ngarkim të personit që vdiq dhe janë nën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç, të cilët studiojnë apo janë të paaftë për punë mund të përfitojnë pension familjar. “Një kategori tjetër që plotëson kushtet, janë edhe prindërit, kur kanë arritur moshën 65 vjeç ose janë të paaftë për punë, prindërit e prindërve, njerku e njerka, kur nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë, nëse provohet se ata jetonin në të njëjtën familje me atë që vdiq, jo më pak se një vit para momentit të vdekjes dhe kanë arritur moshën 65 vjeç, ose janë të paaftë për punë”,-bën me dije Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Sipas këtij të fundit edhe nipërit e mbesat, kur janë në ngarkim të atij që vdiq dhe bënin pjesë në të njëjtën familje me të, trajtohen si jetimë dhe mund të marrin pension familjar. Në momentin që i/e veja martohen sërish, e humbasin të drejtën e përfitimit të pensionit familjar.

Dokumentacioni
Të gjithë ata individë që do të aplikojnë për të fituar të drejtën e përfitimit të pensionit familjar, përveç kërkesës, duhet të dorëzojnë edhe dokumentet që vërtetojnë moshën dhe identitetin. ‘Gazeta Shqiptare’ publikon sot skedën e plotë informative për të marrë këtë pagesë si dhe kërkesën që duhet të bëjnë paraprakisht të interesuarit. Respektivisht individët duhet të paraqesin certifikatën e gjendjes familjare, fotokopjen e letrës së njoftimit elektronik për kërkuesin, ose përfituesit e tjerë, si dhe certifikatën e vdekjes së të ndjerit në të cilën duhet të jetë shënuar edhe shkaku i vdekjes.

Gjithashtu, aplikuesi për pension familjar duhet të dorëzojë edhe dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës, si libreza e punës apo vërtetimi për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj. Bashkëngjitur dokumentacionit të mësipërm, duhet të dorëzohen edhe dokumentet që vërtetojnë të qenët në ngarkim të të ndierit si dhe: vërtetim i vazhdimit të shkollës për jetimët që kanë mbushur moshën ligjore për t’u punësuar ose vetëpunësuar, vërtetim që në ngarkim të të vdekurit ishte një i ve, që mban një fëmijë deri në moshën 8 vjeç, vërtetim për personin e ve, që është kërkues për punë, vendim i KMCAP-it për paaftësinë në punë të personave të familjes në ngarkim të të siguruarit të vdekur, kur ata janë në moshë pune etj. Nënvizojmë se në kërkesën për pension familjar, jetimi që ka moshën ligjore për t’u punësuar, kur nuk vazhdon shkollën, duhet të para-qesë vërtetim nga Zyra e Punës. Edhe vërtetimi i pagës duhet të përfshihet në dosjen e dokumenteve si dhe vërtetimi i pagës mesatare neto, për vitin e fundit të punës. Ndërsa të gjithë ata persona që përfitojnë nga ligji “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve Politikë” duhet të dorëzojnë vërtetimin e gjendjes gjyqësore mbi kohën e vuajtjes së dënimit, çdo dokument tjetër që vërteton të qenët në punë dhe vërtetim mbi faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij.

5 kategoritë përfituese

E veja që mban një fëmijë deri në 8 vjeç; nuk është e aftë të punojë dhe që ka mbushur 55 vjeç.
Burri i ve, që mban një fëmijë deri në 8 vjeç; nuk është i aftë të punojë, ka mbushur moshën 60 vjeç.
Jetimët e moshës 18-25 vjeç që studiojnë apo janë të paaftë për punë.
Prindërit, kur kanë arritur moshën 65 vjeç ose janë të paaftë për punë.
Nipërit e mbesat, kur janë në ngarkim të atij që vdiq dhe bënin pjesë në të njëjtën familje me të.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.