OPINION

Paraja që i merret së ardhmes

10:10 - 23.01.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dje Komisioni i Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit bëri me dije se që nga 1 korriku i këtij viti, qeveria nuk do të pranojë oferta për punë publike nga ana e kompanive private. Ato që njihen sot si oferta të pakërkuara. Sikur këtë njoftim ta kishte bërë një vit më parë, në mars-prill 2018! Kur ish-kryetari i këtij komisioni, sot zvkryeministër ngrinte alarmin për 319 kontrata publike të dhëna pa garë, që po shkatërronin ekonominë. Kur Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkoi shprehimisht qeverisë të mos pranonte oferta të pakërkuara për tenderë për objekte dhe shërbime publike nga ana e kompanive private. Kur Banka Botërore ngriti shqetësimin se shteti mund vërtet të ketë kosto financiare më të mëdha me një partneritet publik–privat(PPP) të hartuar keq. Veçanërisht të atyre që lidhen me garancitë për të siguruar financim privat apo ribisedim kontratash. Kur po në prill 2019, Kontrolli i Lartë i Shtetit iu adresua Kuvendit dhe qeverisë dhe propozoi pezullimin e përkohshëm të partneriteteve-publik privat, me qëllim një analizë më të thelluar të raportit kosto-përfitim tek ato. Bazuar në një raport special të Gjykatës Evropiane të Audituesve (KLSH-së së Bashkimit Evropian), i cili ngrinte probleme të shumta me kontratat PPP në vendet e BE-së. Por nuk e bëri! Prandaj ky njoftim për këtë ndryshim në ligjin e prokurimeve publike vjen, për fat të keq, tepër vonë.




Po pse nuk e bëri qeveria jonë, të themi në prill ose maj një vit më parë, me gjithë shqetësimet e ngritura dhe propozimet profesionale? Sepse ishte në valën e përgatitjes së shtatë projekteve-kontrata të mëdha koncesionare me formulën PPP të programit 1 miliard euro. Qëllimisht nuk përfilli as këshillat e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, as edhe propozimin e KLSH-së. Katër nga këto shtatë projekte-kontrata të qeverisë rezultonin nga oferta të pakërkuara. Mes tyre edhe disa prej akseve të famshme rrugore me formulën PPP: Thumanë-Vorë, Kardhiq-Delvinë, Orikum-Himarë dhe Milot-Balldren, të cilat së bashku me rrugën e Arbërit kushtojnë 720 milionë euro. Duke miratuar këto kontrata, qeveria do të nisë të na fusë dorën në xhep të gjithëve për një periudhë 13-15 vjeçare, që të paguajmë nëpërmjet taksave këto vepra, të cilat do të rreshkin shanset tona për zhvillim dhe marrin shumë mundësi për investime në të ardhmen.

Këto janë para që i merren së ardhmes së të gjithëve neve dhe që do të rëndojnë në xhepat e gjithsecilit prej nesh që paguan dhe do të paguajë taksa gjatë këtyre viteve. Janë shpenzime që rëndojnë gradualisht, si pa u vënë re, Buxhetin e Shtetit, duke rritur në mënyrë të padukshme(nuk regjistrohen që tani si borxh) borxhin publik të vendit. Vitet e fundit janë ndërmarrë një sërë eksperimentesh të kushtueshme PPP për taksa-paguesit shqiptarë, sikurse është rasti i kontratës koncesionare/partneritetit publik-privat të “check-up”-it (kontrollit mjekësor të personave të moshës 40-60 vjeç), kontrata e ngjashme për sterilizimin e pajisjeve mjekësore, etj. Përmes këtyre kontratave, përmes një procesi në të cilin ka munguar këshillimi me publikun, duke e vendosur Parlamentin thjesht në rolin e një noterizuesi të vullnetit qeveritar, ka munguar transparenca mbi të dhënat e biznes-planeve të kompanive përfituese të PPP-ve. Mbi të gjitha janë përzgjedhur kompani pa përvojën e nevojshme në sektor e në ndonjë rast edhe pa kurrfarë lidhje me të, por thjesht si rezultat i lobimit politik. Ky lobim ka bërë në këto tre vitet e fundit që shuma të konsiderueshme prej dhjetëra e qindra miliona eurosh nga taksat e qytetarëve gjatë tërë dekadës 2017-2026 të përthithen, me një kosto dy-tre herë më të madhe se sa po t’i kishte bërë vetë shteti, në llogaritë e kompanive të përzgjedhura në këtë mënyrë, shumica me ofertë të pakërkuar. Me kontrata tejet të diskutueshme për bazën e tyre ligjore, si dhe për faktin se risku 100 përqind i ngelet shtetit. Pra, nuk ekziston risk për palën e biznesit në këto kontrata. Kjo është kërdia që është bërë. Qeveria thjesht ka bërë njërin sy qorr e njërin vesh shurdh. Dhe tani, kur zaret janë hedhur dhe paraja që i merret së ardhshme sonë ka shkuar lumë, ndërton “gardhin” për më 1 korrik 2019 për ofertat e pakërkuara të biznesit privat. Si kofini pas të vjelit, thotë populli.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.