Nostalgji

Nostalgji/ Detajet e dasmës 30 mijë euro të Edi Ramës me Lindën

13:20 - 27.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Detajet e dasmës 30 mijë euro të Edi Ramës me Lindën




Cilat janë damixhelat që shoqërojnë nusen, dhe kombinimet e ngjyrave. Të dielën darkë me familjet në shtëpinë e Ramës

Kryesocialisti Rama do e djegë në fundjavë “shaminë e beqarit”, status që e ka mbajtur për disa vite radhazi. Fjalët janë përhapur se do të ketë vetëm një dasmë të madhe me shumë të ftuar ndërsa ne zbuluam se çifti do të bëj edhe një festë intime, vetëm me familjen e Edit dhe të Lindës si dhe pak miq të ngushtë, një festë fare sekrete e larg çdo lloj fokusi publik. Darka do të shërbejë edhe si njohje mes dy familjeve, të nuses dhe dhëndrit, sepse disa pjesëtarë kanë qenë jashtë shtetit. Të dielën në mbrëmje te shtëpia e Edi Ramës, pas festës së madhe publike, është vendosur të bëhet darka familjare ndërsa ushqimi do të jetë katering.

Damixhelat e nderit
Në hyrje të Xibrakut ku do të bëhet festa e madhe me 600 të ftuar nga politika kryesisht por edhe sportistë, piktorë e nga shoqëria civile do të jenë 4 vajza të veshura si shoqërueset e nuses apo siç i njohim me termin damixhelat. Linda ka kërkuar që ato të kenë të veshura fustane gri, por duket se si ka gjetur dot në atë ngjyrë dhe ka nisur të pyesë e të kërkojë edhe nëpër dyqane të tjera. Vendimi dhe zgjedhja e damixhelave ka qenë i nuses së ardhshme. Mësojmë se ngjyrat që do të përdoren për festën do të jenë gri dhe e kuqe, madje edhe vetë Linda do të ketë të veshur një fustan nusërie ngjyrë gri, duke dalë kështu pak nga tradicionaliteti, ndërsa kryebashkiaku dhe kryesocialisti Edi Rama do të veshë kostum. Nuk kanë preferuar të marrin orkestër apo këngëtarë dhe kanë zgjedhur DJ i cili është porositur nga çifti që në sfond të ketë gjatë gjithë kohës muzikë të viteve ’70-’80, muzikë të cilën e dëgjonin kur ishin të rinj. Duke rrëmuar edhe më shumë për të gjetur shpenzimet e dasmës vërejtëm se koktejet e rëndësishme apo siç quhen VIP te xibraku shkojnë 35-45 mijë lekë për person ndaj shifra e përafër e harxhimeve të dasmës bashkë me arredimin dhe detajet e tjera është 30 mijë euro, kjo edhe për shkak të numrit të shumtë të të ftuarve. Ushqimi dhe verërat, çdo produkt që do të shërbehet do të jenë prodhime shqiptare.

Gjatë festës të së dielës, është menduar që të ketë edhe një shkëmbim simbolik të unazave mes çiftit, por nuk do të jetë punonjësja e gjendjes civile që të zyrtarizojë lidhjen e tyre, pasi sipas ligjit, kryesocialisti Edi Rama dhe bashkëshortja e ardhshme Linda, mund ta bëjnë këtë gjë vetëm pas datës 28 tetor, pasi është bërë shpallja e martesës në njësitë bashkiake nr.7 dhe nr.2. Në listën e gjatë VIP ka shumë emra të njohur nga arti, politika, kultura e shkenca. Edhe shkrimtari i njohur Ismail Kadare ka marrë ftesën e dasmës por ende nuk e ka konfirmuar prezencën e tij. Në listën e gjatë mungon dhe emri i Ramiz Alisë, ish-presidentit të vendit deri në fillim të viteve ’90. Kryebashkiaku Edi Rama edhe pse me besim ortodoks nuk do të vërë kurorë në kishë, megjithatë nuk ka harruar të ftojë kryepeshkopin Janullatus, si dhe drejtues të komuniteteve të tjera fetare. Mbase i është dukur e kotë apo e pa vend, organizimi i një feste beqarie, ndaj nuk do ta bëjë një të tillë. Çifti mbetet mes dy festave atë të ngushtën fare me familjarët respektivë si dhe koktejin e madh për 600 të ftuar. Për arredimin e dasmës Edi Rama ka zgjedhur Geraldina Sposën, e cila tashmë ka një eksperiencë shumë të gjatë në këtë fushë.

Strehëza e përkohëshme
Kemi mundur të gjejmë strehëzën e përkohshme të çiftit që të dielën do të jenë burrë e grua publikisht. Në fakt u fol dhe u përfol shumë për qëndrimin e tyre në Pezë, megjithatë çifti zbuloi se do të jetonte në Tiranë në një apartament me qira. Duke gërmuar më shumë mundëm të gjejmë se streha e re e Ramës dhe Lindës do të jetë në pallatet te Ekspozita Shqipëria Sot, fare pranë lagjes ku ai u lind dhe u rrit, e fare pranë shtëpisë së nënës së tij, që banon në anë të Unazës në fund të rrugës Myslym Shyri. Shtëpia është marrë me qira, por kjo është vetëm e përkohshme, pasi çifti ka menduar të blejë një apartament. Strehëza e përkohshme është një apartament i vogël por i mjaftueshëm për një familje dhe është arreduar nga të dy me shumë stil dhe ngjyra. Pas dasmës publike çifti do të shkojë në shtëpinë e ngrohtë te Ekspozita, ndërsa angazhimi në punët respektove e ka lënë çiftin pa muaj mjalti.

Ky shkrim u botua më 23 Tetor 2010


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.