Intervista

Biberaj: Me protesta masive, s’ka qeveri që i reziston

14:50 - 04.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Aleksandër Biberaj e njeh PD-në që në qelizë… Prej saj nuk donte të largohej. Qëndroi larg PD-së për shkak të kritikave ndaj disa individëve apo segmenteve të pushtetit. Misionin e nisur që në 90-ën, dhe që e ndërpreu vetëm përkohësisht z.Biberaj ka vendosur ta vazhdojë… Ndaj u rikthye në forumet drejtuese të partisë, i zgjedhur me votë si antar i Këshillit Kombëtar të PD-së. Ish-deputeti demokrat Aleksandër Biberaj, tregon për “Gazeta Shqiptare”, arsyet e ikjes dhe rikthimit në PD, abuzimin e ish-pushtetarëve të djathtë, të cilët sipas tij sot shijojnë parajsën ndërkohë që demokratët i kaluan në opozitë. Aleksandër Biberaj flet për marrëdhënien me Lulzim Bashën, pritshmëritë e tij për të risjellë demokratët në pushtet, rrotacionin e elitave dhe brezave në PD, qeverinë hije sot në opozitë dhe reale nesër ne pushtet.




Z.Biberaj, si ishte për ju rikthimi në PD pas kaq vitesh?
Duke iu falënderuar për intervistën në gazetën tuaj, një ndër gazetat më të vjetra në historinë e Shqipërisë, dëshiroj te theksoj se jam rikthyer në Partinë Demokratike direkt pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2013, besoj që mbahet mend pasi media e ka përcjellë si lajm në atë kohë. Ndërkohë kam qenë pjesë e strukturave lokale të PD-së në Njësinë Nr. 5 Tiranë, sekretar i seksionit ku edhe banoj. Kam marrë pjesë aktivisht në të gjitha aktivitetet politike të PD-së, por me sa duket aktiviteti im duke qenë në nivel lokal, ka ngelur jashtë vëmendjes mediatike. Gjatë këtyre viteve i jam përkushtuar karrierës akademike, duke qenë lektor në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Ma-qedoni dhe ve-nde te tjera, e cila mbetet një eksperiencë e jashtëzakonshme që më vlen shumë.

Çfarë ju riktheu në forumet drejtuese të PD-së, konkretisht në Këshillin Kombëtar?
Duke qenë një themelues i PD-së, dhe një përfaqësues i brezit dhe frymës së Dhjetorit ’90, gjykova se misioni im kishte mbetur përgjy-smë, i parealizuar, dhe u ktheva për të dhënë kontributin tim modest për të realizuar misionin e atij brezi që është edhe misioni i çdo shqiptari sot e kësaj dite, një mision për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe për demokracinë si sistem vlerash, për një shtet të së drejtës, për një ekonomi të tregut të lirë ku dominon konkurrenca e lirë dhe e ndershme, për një Shqipëri anëtare të BE-së, për një parlament elitar, për një qeverisje profesioniste që punon për qytetarët e vet dhe jo për vete, për një sistem drejtësie që bazohet në ligj dhe që respekton dhe zbaton ligjin në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët, dhe mbi të gjitha për interesin kombëtar që qëndron dhe prevalon mbi çdo interes tjetër. Gjithashtu, u riktheva në forumet drejtuese të PD-së pasi e pashë që punët e vendit po shkojnë keq e më keq, dhe gjykova se vendi ka nevojë edhe për kontributin tim modest. Gjithashtu, dëshiroj te theksoj se politikën e kam pasion dhe profesion, dhe gjykoj se nuk ka gjë më fisnike sesa t’iu shërbesh qytetarëve të vendit tënd.

Çfarë ka ndryshuar që nga koha që ju u larguat nga PD dhe deri në zgjedhjen tuaj si anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së?
E para, nuk u largova nga Partia Demokratike, por më larguan, dhe e dyta kritikat e mia ndaj qeverisë (kohë kur PD qeveriste e vetme ose me LSI-në) ishin parimore dhe drejtoheshin ndaj individëve apo segmenteve të pushtetit që nuk punonin për interesin e shqiptarëve dhe demokratëve, por për interesat e tyre private dhe klanore. Siç thoshte i madhi Churchill “Problemi është gjithmonë qeverisja”, dhe kritikat e mia synonin përmirësimin e qeverisjes së PD-së. E treta dhe më e rëndësishmja, është se u ktheva në PD në vitin 2013, kur Partia Demokratike doli në opozitë. Është koha kur të gjithë ata që përmenda më sipër, duke abuzuar me pushtetin dhe votën e demokratëve e çuan PD-në në opozitë, harruan anëtarët, simpatizantët, militantët dhe aktivistet demokratë që ngelën rrugëve, u larguan nga PD dhe vazhdojnë të shijojnë parajsën që kanë ndërtuar në mënyrë abuzive me pushtetin dhe votën e demokratëve. Unë që kisha qenë në oponencë më këta pushtetarë u ktheva në Partinë Demokratike për të vazhduar misionin tim, pasi opozita është mision, se për pushtet gjen njerëz sa të duash, ndërsa të sakrifikosh, të qëndrosh, të rezistosh në opozitë është një mision tepër fisnik. Natyrisht që unë opozitën nuk e kam për herë të parë, pasi jeta ime politike përgjithësisht ka kaluar në opozitë, përfshirë opozitën zyrtare me kundërshtarët politikë në vitet e vështira 1991-1992, 1997-2005, dhe oponencën brenda llojit në vitet 2009-2013.

Si janë marrëdhëniet tuaja me kreun e PD-së Lulzim Basha?
Me Zotin Basha gjithmonë kam pasur marrëdhënie shumë të mira dhe tepër korrekte, marrëdhënie që bazohen në frymën e bashkëpunimit, mirëbësimit dhe respektit reciprok. Kemi bashkëpunuar në Komitetin e Orientimit të Politikave të cilin z.Basha e drejtonte për hartimin e programit elektoral të fitores së zgjedhjeve të vitit 2005. Kemi bashkëpunuar po ashtu me z. Basha kur ishte Ministër i Transporteve dhe Telekomunikacioneve për reformat në sektorin e telekomunikacioneve, dhe natyrisht bashkëpunimi më i rëndësishëm ka qene në kohën kur Z. Basha ishte Ministër i Jashtëm, ndërsa unë kisha pozicionet e Zv. Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe Zv. Presidentit të Grupit Parlamentar të Partive Popullore Europiane. Ishte koha e reformave të suksesshme të qeverisë së demokratëve për integrimin e Shqipërisë në BE, për liberalizimin e vizave, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si dhe sfida mbarëkombëtare për lobingun për pavarësinë e Kosovës dhe njohjet ndërkombëtare të saj, ku Z. Basha si Ministër i Jashtëm ka bërë një punë të shkëlqyer duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm.

Ju keni bashkëpunuar gjatë në politikë me Sali Berishën, ndërkohë që u shkëputët kur në krye të PD-së ishte Z. Berisha, për t’u rikthyer kur në krye të PD-së erdhi Lulzim Basha. A shikoni diferenca në këto dy kohë dhe në gjykimin tuaj ku çalon PD nën drejtimin Z. Basha, cilat janë defektet që duhet t’i korrigjojë?
Është e vërtetë qe kam punuar gjatë me Dr. Berishën, për rreth dy dekada, në nivele dhe pozicione të ndryshme, por asnjëherë nuk kam qenë afër tij, në rrethin e ngushtë të tij. Gjithsesi, gjatë këtyre dy dekadave bashkëpunimi, kemi pasur një marrëdhënie korrekte dhe një bashkëpunim të frytshëm, gjë që e vlerësoj. Natyrisht që Z. Berisha dhe Z. Basha, përfaqësojnë dy modele të ndryshme lidershipi, dy breza të ndryshëm, dy shkolla të ndryshme politike dhe kanë drejtuar PD-në në dy kohë të ndryshme dhe rrethana të ndryshme, kështu që çdo krahasim do të ishte subjektiv. PD pas zgjedhjeve dhe ripërtëritjes së forumeve drejtuese po ravijëzohet çdo ditë e më shumë si forcë qeverisëse, ndërsa z. Basha e vlerësoj si lider të PD-së dhe të së djathtës, dhe e shoh që çdo ditë po konturohet si kryeministri i ardhshëm model perëndimor i Shqipërisë.

Nisur nga lista e propozuar nga Z. Basha për anëtarë në Këshillin Kombëtar të PD-së, por edhe në kryesi, duket se ka një tentativë për të afruar sa më shumë kontribues të PD-së në struktura të larta të partisë. Sipas jush kush tjetër duhet t’i bashkohet PD-së?
Si lista për Këshillin Kombëtar, ashtu edhe ajo për kryesinë dhe sekretariatin, gjykoj se ishin lista shumë të mira, ku respektohen ekuilibret dhe balancat në PD, respektohen vlerat dhe kontributet, si dhe përfaqësohen të gjitha flukset që nga themeluesit e PD-së dhe deri tek më të rinjtë që janë studentët e sotshëm. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, asnjë nga anëtarët e forumeve drejtuese të PD-së nuk ka asnjë akuzë publike, pra janë persona të pastër. Mendoj se është moment për t’u bashkuar me PD-në të gjitha ata demokratë që kanë kontribuar ndër vite dhe në pozicione të ndryshme, që nga themelimi i PD-së dhe deri më sot, dukë lënë mënjanë hatermbetjet apo qoftë edhe zhgënjimet e ndryshme. Natyrisht që Partia Demokratike mbetet e hapur për çdo qytetar shqiptar që është i pakënaqur me këtë qeveri, për çdo qytetar që është në opozitë me këtë qeveri.

A shikoni një tkurrje të PD-së përgjatë viteve të fundit dhe kë duhet të afrojë ajo në radhët e saj?
Jo nuk mendoj se PD është tkurrur, natyrisht duhet kuptuar që humbja e zgjedhjeve gjithmonë përbën një moment shokues për çdo parti. Sot Partia Demokratike është e mirëorganizuar dhe me lidershipin e ri ajo po përgatitet për të ardhur në pushtet. PD po rritet çdo ditë si parti, dhe shqiptarët po e shohin si një alternativë serioze dhe të përgjegjshme qeverisëse. Siç e thashë edhe me lart, PD-ja mbetet e hapur për çdo individ apo grup që është në opozitë me qeverisjen aktuale.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, z.Basha kërkoi mobilizimin e të gjithë demokratëve për të nisur një sezon protestash, të cilat do të kulmojnë me largimin e Edi Ramës. Sa të mundur e shikoni ju këtë?
Natyrisht që me protesta masive, të qëndrueshme, të vazhdueshme, dhe me pjesëmarrje të gjerë, nuk ka qeveri që reziston, aq më tepër qeverisja aktuale që është konsumuar totalisht, nuk po qeveris, dhe çdo ditë që rri në pushtet vetëm dëm bën. Jam optimist se protestat do të jenë suksesshme.
Sipas jush sa të motivuar do të jenë shqiptarët për t’ju përgjigjur thirrjes së opozitës për protestën e 16 shkurtit kundër Edi Ramës?
Shqiptarët janë më të motivuar se kurrë për të protestuar me 16 shkurt, pasi arsyet janë të shumta, duke filluar që nga kriza ekonomike, ekonomia informale bazuar në paratë e pista që prish tregun dhe dëmton konkurrencën, taksat e larta që shtohen çdo ditë, papunësia, pagat dhe pensionet e uleta, varfëria ekstreme, problemet me rendin dhe sigurinë publike, mungesat në kujdesin shëndëtësor dhe shërbimet publike, cilësia e dobët e arsimimi, vrasja e shpresës për të ardhmen sidomos për rininë, emigracioni i detyruar, etj…etj.

Zgjedhja e nënkryetarëve, Sekretari i Përgjithshëm, Kryesia e re, a besoni se prej tyre do përvijohet qeveria hije e PD-së?
Ky është lidershipi i ri i PD-së që do ta çojë PD-në në fitore, dhe krejt natyrshëm që qeveria hije sot në opozite dhe reale nesër në pushtet vjen nga ky lidership, ndonëse gjykoj se qeverisja është një koncept më i gjerë dhe gjithëpërfshirës.

Si e shikoni ekipin e ri të z. Basha të dalë nga zgjedhjet e brendshme në PD, pjesë e të cilit jeni edhe ju vetë? Pjesa më e madhe e sekretariateve përbëhet nga njerëz teknikë. A frymëzon ky ekip i ri, sipas jush?
Siç e përmenda edhe më sipër ky ekip patjetër që frymëzon, është një ekip përfaqësues që ngjall shpresë dhe besim, dhe përbëhet nga individë me integritet, të mirëarsimuar, me karriera profesionale të suksesshme dhe me kontribute politike, dhe mbi te gjitha janë individë të pastër.

Cila është përgjigjja juaj për kritikët e kryesisë së re të PD-së?
Gjykoj se kritikët nuk duhet të jenë paragjykues, dhe të nguten me gjykime dhe vlerësime përpara kohe. Çdo individi i duhet dhënë kohë dhe mundësi për të treguar vlerat, aftësitë dhe performancën e vet.

Pas zgjedhjes së kryesisë së re, ish-nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, hodhi kritika në drejtim të Lulzim Bashës, duke e cilësuar lidershipin e ri si pa identitet. Si i vlerësoni këto kritika të ish-funksionarëve Topalli, Bode?
Gjykoj se politika si gjithçka tjetër në jetën dhe botën tonë zhvillohet me cikle, dhe çdo njeri besoj duhet ta kuptojë se vjen një ditë që mbyllet një cikël lidershipi ku ke qëndruar me vite dhe dekada, pasi kjo është dinamika dhe dialektika edhe e jetës politike. Askush nuk mund të bllokojë rrotacionin e elitave dhe brezave, dhe është krejt normale që Z.Basha si lider i ri i PD-të të promovojë dhe të punojë me një lidership të ri. Besoj se ish-lidershipi qe drejtoi fushatat nëpër qarqe ne vitin 2013 ka përgjegjësi jo të vogël në humbjen e zgjedhjeve të atij viti dhe daljen e PD-së në opozitë. Gjithsesi mbetet në vullnetin e çdo individi që të japë kontributin e tij në PD, ose të bëjë opozitën e opozitës siç edhe po e bëjnë, që është një deformim tipik shqiptar apo ballkanas i demokracisë, pasi problemi kryesor është qeverisja dhe jo opozita.

Si e konsideroni deklaratën e ish-themeluesit të PD-së Neritan Ceka kur shprehet: Turp për PD-në që rri rrugëve, le t’i lërë budallalliqet dhe të kthehet në parlament…
Nuk kam dëshirë që të komentoj deklaratat e tjerëve, por më duket një deklaratë e vjetër, pasi siç dihet Partia Demokratike është në parlament, dhe jo më larg se ditën e enjte ishte në parlament.

Sa të mundshme i shikoni zgjedhjet e parakohshme parlamentare?
Me krizën shumëplanëshe aktuale, zgjedhjet e parakohshme i shoh jo vetëm si mundësi reale, por edhe si nevojë dhe domosdoshmëri që çon edhe në zgjidhjen e krizës.

Si do të vijë PD-ja në pushtet dhe a është ajo gati të qeverisë ndryshe shqiptarët?
Partia Demokratike do të vijë në pushtet me zgjedhje të lira dhe të ndershme sipas standardeve ndërkombëtare, me një program që përfaqëson dhe mbron interesat e qytetarëve shqiptarë dhe të kombit, dhe me një ekip profesionistësh dhe njerëzish të ndershëm, të përkushtuar dhe patriotë, që po ngjallin shpresën dhe besimin te shqiptarët që ky vend mund të bëhet.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. E paske pase hallall shuplaken e Jozefines e te Saliut kur te perzune per zhelesh jashte.
    Sesi mund ta lepish ate qe ke thene e bere ti e di.
    Jepi Aleksander.Po vetem Aleksander ke per te mbete.
    I madh sdo te behesh me kurre.

    Përgjigju ↓