Kryesore

Skenari, Malltezi: Brenda vitit do bëhen dy palë zgjedhje

13:11 - 05.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Jamarbër Malltezi, anëtar i kryesisë së PD-së ka bindjen e plotë se protesta e 16 shkurtit do të rrëzojë nga pushteti Edi Ramën. Malltezi beson se më 30 qershor shqiptarët do të votojnë për dy palë zgjedhjesh, ato lokale dhe parlamentare. Malltezi thotë për “Gazeta Shqiptare” se largimi i kryeministrit është çështje ditësh, ndërsa PD-së i kërkon që të bëhet njësh me qytetarët, duke i dëgjuar dhe adaptuar qëndrimet sipas nevojave të kohës. Z.Malltezi paralajmëron se: “Edhe atëherë regjimi komunist i kishte kapur të gjitha pushtetet, por përballja popullore i tregoi vendin. Partia Demokratike do të vijë në pushtet ngjashëm më 1992…”.




Z.Malltezi, opozita ka ftuar qytetarët në një protestë kundër qeverisë me 16 shkurt. Çfarë do të ndodhë atë ditë…?
Opozita po bashkon qëndrimin e saj me vokacionin e qytetarëve. Po i mbështet qytetarët që përballen me arrogancën e hajdutëve të qeverisë dhe po nis stinën e protestave në bashkëpunim me qytetarët e thjeshtë. Më 16 shkurt, ne ftojmë çdo qytetar të nëpërkëmbur që të protestojë për të drejtat e veta, të protestojë e t’i dëgjohet zëri dhe shqetësimi. Më 16 shkurt, uragani njerëzor do kthejë në pluhur fasadën e qeverisjes.

Çfarë udhëzimesh po ju jepni qytetarëve gjatë takimeve që po zhvillojnë deputetët dhe zyrtarët e lartë të PD-së?
Ejani dhe tregojini vendin atij që ka mbjellë trishtim në këtë vend të bekuar, atij që po largon 400 mijë qytetarë sikur të ketë rënë kolera. A po ju shijon shëndetësia falas? A janë ushqimet më të lira? A ka hapur 300 mijë vende pune apo i përzuri? A di të thuash një premtim të vetëm që ka mbajtur Edi Rama? Padyshim që Rama është i rënë politikisht, ai nuk po prodhon dot më asgjë të re dhe po mban peng vendin. Rama është lakuriq, por (ndryshe nga mbreti i Andersenit që u tërhoq i turpëruar) po këmbëngul se ka petka shumë të bukura, të cilat nuk ia shquan dot njeri, pasi nuk qenkëshin aq të mençur sa ai.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, z.Basha kërkoi mobilizimin e të gjithë demokratëve për të nisur një sezon protestash, të cilat do të kulmojnë me largimin e Edi Ramës. Sa të mundur e shikoni ju këtë?
Edi Rama, në fakt është deligjitimuar, pasi është kapur në përgjimet e bandave të tij që kanë blerë zgjedhjet me para dhe kërcënime. Pushtetin në Shqipëri e ka krimi i organizuar, trafikantët e drogës dhe përdhunuesit në grup dhe jo PS-ja. Strukturat e PS-së janë atrofizuar dhe inekzistente, anëtarët e PS-së janë të turpëruar para kësaj gjendje. Na del si detyrë historike të nisim stinën e protestave për t’i dhënë dinjitet njeriut të thjeshtë, përfshi anëtarit të PS-së për t’u shprehur haptazi dhe qartë. Ka një pakënaqësi totale me qeverinë e tashme. Banorët e Unazës së Re e kishin votuar, pasi ju ishte premtuar legalizim falas, por u përballën me vjedhje 40 milionë euro për 2 km rrugë sekandare për kompani fantazëm; studentët e inxhinierisë u bënë katalizator i një pakënaqësie totale ndaj qeverisë harbute dhe ligjit anormal; fermerët e Korçës po hedhin mollët në lumë pasi nuk ju shiten, pra kjo qeveri është e fasadës dhe një grupi oligarkësh që ndajnë paratë publike, por jo e qytetarëve. Largimi i Ramës është çështje ditësh nëse PD do shkrihet me qytetarët, do gjejë emërues të përbashkët me shqetësimet e tyre dhe do ofrojë forumin e duhur për t’u shprehur lirshëm.

Si e shikoni, ekipin e ri të z. Basha të dalë nga zgjedhjet e brendshme në PD, pjesë e të cilit jeni edhe ju vetë? Pjesa më e madhe e sekretariateve përbëhet nga njerëz teknikë. A frymëzon ky ekip i ri, sipas jush?
Qoftë kryesia që ishte dhe qofte kjo e reja kanë qenë shumë forume të mira. Kryesia e re është finalizim i një procesi statutor. Ka një ndërthurje si të personaliteteve teknike edhe atyre politike. Është pozitiv padyshim, ndonëse është gjynah që mbeten jashtë disa personalitete të spikatura politike.

Cila është përgjigjja juaj për kritikët e kryesisë së re të PD-së?
Kryesia e PD-së ishte shumë e mirë dhe është shumë e mirë. Pati një proces interesant dhe shumë demokratik për zgjedhjen e 15 anëtarëve të kryesisë nga lista prej 50 personalitetesh nga Këshilli Kombëtar dhe kjo ishte pozitive. Por, puna e forumeve tani do fillojë të duket me aktivizimin më të madh me anëtarët dhe qytetarët.

Pas zgjedhjes së kryesisë së re, ish-nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli hodhi kritika në drejtim të Lulzim Bashës, duke e cilësuar lidershipin e ri si pa identitet. Si i vlerësoni këto kritika të ish-funksionarëve Topalli, Imami, Patozi?
Nuk më takon të komentoj pikëpamjet e disa personaliteteve. E rëndësishme është që të respektojmë njeri-tjetrin dhe që forumet të jenë funksionale.
Si e konsideroni deklaratën e ish-themeluesit të PD-së, Neritan Ceka, kur shprehet: “Turp për PD-në që rri rrugëve! T’i lërë budallallëqet, të kthehet në Parlament”!

Përsëri nuk dëshiroj të komentoj deklaratat e të tjerëve. Shumë më e rëndësishme sesa ku rri, është nëse PD është në sinkron me qytetarët apo jo. PD ka qenë në Parlament, por qeveria refuzon të krijojë komisione, refuzon të paraqesë të dhënat apo të pranojë debat për shumë afera të rënda korruptive si psh., vjedhja e 178 milionë eurove për 3 djegës të pakërkuar dhe të pacertifikuar. Institucionet e tjera janë kapur nga qeveria dhe nuk kemi asnjë institucion të pavarur. Pra, prezenca në Kuvend ndonëse e domosdoshme në një demokraci këtu po kthehet në një fasade, pasi nuk respektohet asnjë normë dhe asnjë institucion.

Sa të mundshme i shikoni zgjedhjet e parakohshme parlamentare?
Shumë të mundshme. Ne besojmë që do mbahen zgjedhjet vendore dhe parlamentare bashke. Raporti i OSCE na tregoi se 20% e votave ishin blerë. Përgjimet e Gjushit me Avdylët në Durrës, Ndokës në Lezhë, Bajrave me Bushatin në Shkodër, Habilajve në Vlorë, Balilit ne Sarandë etj., kanë vërtetuar katërciperisht blerjen e zgjedhjeve dhe pretendimin se nuk ka zgjedhje të lira me Edi Ramën. Edhe personazhet e keqpërdorur nga qeveria në Bruksel nuk guxojnë dot më të pretendojnë se kjo qeveri është e zgjedhur në mënyrë demokratike.

Si do të vijë PD-ja në pushtet dhe a është ajo gati të qeverisë ndryshe shqiptarët?
Partia Demokratike do të vijë në pushtet ngjashëm me 1992. Duke u bërë njësh me qytetarët, duke i dëgjuar dhe adaptuar qëndrimet sipas nevojave të kohës. Edhe atëherë regjimi komunist i kishte kapur të gjitha pushtetet, por përballja popullore i tregoi vendin. Z.Basha ka filluar një tur takimesh me qytetarët në shumë qytete të vendit. Ky është një fillim i mbarë që premton për një qeverisje normale në një vend evropian.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.