KULTURË

“Përrallë Mesdheu” në Metropol

14:25 - 08.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Festivali “MetroSounds” me muzikë nga Italia, Turqia, Greqia e Shqipëria – Fundjavat në Qendrën Kulturore Tirana – Teatri Metropol përgjatë gjithë muajit shkurt do të ofrojnë një “Përrallë Mesdheu”. Muzikantë të njohur nga Italia, Turqia, Greqia dhe muzikantë shqiptarë që karrierën e kanë ndërtuar jashtë Shqipërisë do të mblidhen në Metropol, për t’i ofruar publikut kryeqytetas koncerte muzikore live. E nisim me violinçelistin e njohur Redi Hasa, i cili prej vitesh jeton në Itali, por aktiviteti i tij shtrihet edhe më tej si në skenat londineze apo edhe amerikane. Shoqëruar nga Rachele Andrioli në tamburë dhe Roço Nigro në fizarmonika do të hapin kështu netët e Metro Sounds Festival në Teatrin Metropol në datën 9 shkurt.




Programi i “Metro Sounds” përbëhet nga një përzgjedhje artistike, e cila është e ndërtuar për të na vënë në kontakt me identitetin dhe përkatësinë tonë Mesdhetare. Për këtë arsye përpos emrit kryesor, festivali do të ketë dhe nënshkrimin “Përrallë Mesdheu”. Si i tillë ky program sjell copëza kulture nga fqinjët tanë më të afërt si një formë për të vlerësuar dhe dialoguar me kulturat që na rrethojnë nëpërmjet muzikës. Një javë më pas, në skenën e Metropolit do të ngjitet artisti i njohur italian Mario Mariani, një kompozitor, pianist, interpretues i njohur për tingujt e tij të pazakonta. Stili shkon nga muzika bashkëkohore te  shfaqjet teatrore, apo kolonat zanore te filmi, në Kanë, Venecia, Nju Jork dhe apo Berlin. Bërthama artistike e Marianit është e rrënjosur në muzikën e improvizuar që shpesh performon me muzikantë, artistë, aktorë dhe interpretues të tjerë. Java tjetër do t’i kushtohet Turqisë. Një grup artistësh mes tyre edhe një shqiptar nga Mitrovica, Enver Muhamedi do të jenë në Tiranë për të dhënë koncert në Teatrin Metropol. Koncerti i pianistit Etibar Asadli, Ekin Cengizkan  dhe Enver Muhamedi trajton muzikën xhaz të gërshetuar me motive etnike shqiptare, turke dhe azerbajxhanase. Ai  përmban kompozime si dhe riaranzhime të motiveve të folkut të tri vendeve. Ritme të përbëra dhe melodi të tri vendeve gërshetohen nën hijen e xhamive të atij që ishte metropoli i botës lindore për 15 shekuj. Kulturat bashkohen, ndërveprojnë për t’u bërë një sound i ri, një Metro Sound Oriental. Ky projekti i Teatrit Metropol do të organizohet në bashkëpunim me Balkan World Music Management.  Më pas do të vijojmë me javën greke dhe në fund gjatë muajit mars do ta mbyllim me dy koncerte nga Ansambli Tirana. Këtij projekti do t’i bashkëngjitet çdo javë, nga një natë edhe projekti poetic “Sriptum n’Sonus” i cili njëkohësishts dhe koncertet do t’i kushtohet nga një natë autorëve të huaj. Gjatë këtij festivali muzikor do të na shoqërojnë mes tingujsh dhe projeksionesh edhe mbrëmjet poetike nga Scriptum N’ Sonus, të cilat do të na sjellin përzgjedhjen e disa prej poetëve dhe autorëve më të mirë të Mesdheut.

KALENDARI

Live Mediterranean Music

Redi Hasa Trio (Shqipëri- Itali), Data: 9 shkurt – Ora 20:00

Mario Mariani (Itali), Data: 15 Shkurt  – Ora 20:00

Etibar Asadili Trio (Turqi), Data: 22 Mars – Ora 20:00

Alcedo Folk Band (Greqi), Data: 1 Mars – Ora 20:00

Koncert nga Ansambli Folklorik Tirana, Data: 8, 9 Mars – Ora 20:00

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.