KULTURË

THOMAS HUNZIKER/ Kur artisti gris grafikat dhe nuk ndërhyn në artin e tij

13:49 - 08.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ekspozita “LABOR”, dialogu (potencial) mes skulpturës dhe grafikës  – Artisti zviceran Thomas Hunziker (lindur në 1972), hap në Galerinë FAB të Universitetit të Arteve ekspozitën vetjake ‘LABOR’. Ekspozita kurohet nga Genti Gjikola. Kjo është hera e parë që ky artist shfaq veprat e tij në Shqipëri në një ekspozitë personale.




‘LABOR’ (shkurt për laborator dhe jo metonim për punë) fokusohet në një seri punimesh eksperimentale në gjini, materiale dhe teknika të ndryshme të cilat shfaqen së bashku. Figurina akademike në bronz, skulptura abstrakte eksperimentale, kompozime grafike, dhe një grup vizatimesh (po aq eksperimentale) synojnë për – dhe ndajnë bashkë – të njëjtën hapësirë. Kjo, jo vetëm jep një panoramë deri diku shteruese të natyrës së ndërlidhur të praktikës së Hunziker, por, gjithashtu, hedh dritë mbi eksplorimin e tij të vazhdueshëm të dialogut, (potencial) mes skulpturës dhe grafikës. Sipas artistit, ky lloj dimensioni rrjedh nga preferencat e tij që nisin nga Rilindja, (Michelangelo) e Neoklasicizmi, (J. A. Houdon) e shkojnë deri tek arti bashkëkohor i Trisha Donnelly, Giuseppe Penonne, Monika Sosnowska, Peter Doig e Gino de Dominicis (për të përmendur vetëm disa).

‘LABOR’, ka veçantinë të paraqitet si një ekspozitë pa një qendër gravitacionale nëpërmjet të cilës të vetëzbulohet me një të parë, duke i dhënë prioritet procesit dhe jo ‘veprës’ sipas kuptimit de jure të fjalës. E megjithatë, de facto, ekspozita është e mbushur plot me ‘vepra’. Edhe pse, in toto, ajo paraqitet si një proces i gjatë dhe pa pikë fundore, seri dhe elementë të spikatur të saj janë lehtësisht të dallueshëm.

Në fillim ishin grafikat. Konceptuar dhe ngjizur në dyshemenë e studios së tij si akuarele natyrale me ujë dhe pigment, këto grafika (shumica në bardhë e zi) ndërthurin praktikën e famshme të ekspresionizmit abstrakt – duke e ulur telajon nga kavaleti në tokë dhe duke spërkatur e shpërndarë bojë mbi të – me aktin postmodernist të lënies së veprës të dalë vetvetiu në dritë. Në këtë rast artisti kthehet në një lloj agjenti, i cili me qëllim fillon e më pas transformon punën e proceseve organike natyrale dhe e quan vepër artistike të tijën. (Studioja e Hunziker, në fakt, dëshmon një hulumtim serioz nga ana e tij në përftimin e veprës nëpërmjet kësaj qasje. Me një rigorozitet thellësisht shkencor, prova të panumërta prej tij gjenden të radhitura njëra pas tjetrës në stade të ndryshme evoluimi grafik, ku disa janë gati të papërceptueshme). Megjithatë, artisti deklaron se qëllimi fundor i këtij akti nuk synon abstraksionin e pastër, por reduktimin deri në minimum të ndërhyrjes së dorës së artistit tek ‘vepra’. Si rrjedhim, duke mos pasur si synim në vetvete shprehjen përmes çfarëdolloj abstraksioni formal, shumë grafika të tilla janë braktisur dhe janë grisur si ‘jo të suksesshme’ (në këtë rast si grisja, ashtu dhe moszgjedhja janë qëndrime artistike që dëshmojnë lidhjen konceptuale bazë, mes idesë fillestare dhe imazhit përfundimtar në kokën e artistit.)

Sipas kuratorit Genti Gjikola, grafikat ndryshojnë nga njëra–tjetra sepse duke përdorur densitete dhe hedhje të ndryshme të pigmentit – dhe jo derdhje rutinore gjithmonë në të njëjtën pikë apo hapësirë – Hunziker kalkulon një lloj spektri vizual, jo krejtësisht aksidental, por thellësisht individual. Nëpërmjet tyre kërkohet inicimi i një procesi dinamik informues ndryshe mes imazhit dhe shikuesit, as sa shpesh përballë shenjës grafike përfundimtare edhe vetë artisti është po aq i befasuar sa edhe një shikues që e sheh atë për herë të parë. Shkurt, artisti ‘na zbulohet’ tek këto ndërhyrje të fundit. Tek to ai është vetvetja si formim, qëndrim dhe tendencë.

E më pas, vijnë skulpturat, të ndara në dy grupe: figurative dhe krejtësisht abstrake. Skulpturat e vogla, modele mashkullore në poza tipike akademike të detyrave në studio, zbulojnë haptazi dashurinë, (por dhe formimin) e Hunziker për skulpturën klasike (autori përmend ‘Pieta Rondanini’ të Mikelanxhelos dhe ‘Turtulli i ngordhur’ të Jean-Antoine Houdon (1741–1828) si vepra me shumë influencë në formimin e tij). Mirëpo, ky qëndrim – sa i thjeshtë e i sigurt por ndërkohë aq edhe problematik për autorin – tejkalohet menjëherë përmes një spontaniteti konceptual në vendosjen e tyre në disa kopje: ose rresht në linjë, ose bashkë në grumbull.

Pikërisht, në këtë përsëritje të qëllimshme të veprës klasike figurative lexohet qartë përpjekja e tij për shtyrjen drejt bashkëjetesës të skulpturës akademike (që mësohet kryesisht përmes ritualit të transmetimit të mjeshtërisë si zanat dhe kopjimit të verisimilitudës), me artin konceptual që vlerëson më shumë mendimin (cognito) se sa punën (laborem) apo sforcimin, shënon kuratori Gent Gjikola.

Një grup tjetër janë skulpturat në forma krejtësisht abstrakte përmes të cilave artisti transmeton një ringjallje konceptuale të topografisë dhe izohipseve abstrakte dydimensionale të grafikave, në tredimensionalitetin e objektit skulpturor. Si objekte të gjetura në tokë pas përplasjes me një meteor, gurë të çrregullt metali, kratere të sheshta pa peshë, llavë e ngrirë me baltë, pllakëza efemere me volum, por pa masë, meteorë të vegjël plumb, korale bronzi dhe fosile mesozoike në metal, prehen pranë njëra-tjetrës në një lloj qetësie gjeologjike si në një laborator gjeofizike. Secila nga punët në këtë grup-cikël eksperimental ka identitetin e vet, simbolikën dhe dinamizmin e vet, në një prozë direkte, të sertë dhe pa retorikë.

Me vendosjen e skulpturave abstrakte bashkë me figurinat akademike në një instalacion të vetëm me përmasa të mëdha në një prej hapësirave të ekspozitës duket sikur artisti u kërkon gjuhëve të ndryshme jo vetëm të tolerojnë njëra-tjetrën, por të jetojnë pranë njëra-tjetrës pa një hierarki estetike, pa një hendek ndarës, pa një deklamim triumfi stilistik. Faktikisht, në thelb të kësaj vendosjeje me përplasje mes gjuhësh dhe periudhash të ndryshme, është një përpjekje serioze për të ndriçuar dhe hequr qafe një nga problemet madhore të krijimit artistik në artin bashkëkohor: – në cilën pikë duhet filluar, në cilën pikë duhet ndaluar, çfarë është sot një vepër arti?

Kuratori Genti Gjikola thotë se te ‘LABOR’ Thomas Hunziker ka investuar një përqendrim të thellë konceptual mbi natyrën e veprës së artit dhe paraqitjes së saj. Ai e lë të lirë vizitorin të zgjedhë dhe të interpretojë, se cila ‘vepër’ është ‘vepër’, se cila vepër ‘bën’ e cila ‘s’bën’. Nëse kjo zgjedhje është intriguese, pa titra në fund dhe disi e vështirë për shikuesin për t’ u kuptuar, është, sepse praktika heterogjene e punës së tij (vizatim, grafikë, skulpturë, instalacion, akademizëm, art bashkëkohor, kërkim shkencor) i shpëton me vetëdije tentativës për homogjenizim dhe lexim të artit bashkëkohor menjëherë, me një frymë. Bashkekzistenca e shumë rrymave dhe gjuhëve artistike na jep një lloj deklarate të artistit që puna pa fund dhe pa fillim, në një proces tranzicioni të pambarim, sjell në vetvete një lloj lirie shpirtërore që e çliron krijuesin nga përgjegjësia fundore e prezantimit të një vepre statike, finale.

Shpeshherë, kaq mjafton.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.