Kryesore

LAMTUMIRË KIÇO BLUSHI! Shkrimtari përcillet për në banesën e fundit

09:26 - 10.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Është përcjellë dje për në banesën e fundit, shkrimtari e skenaristi i njohur Kiço Blushi që u nda nga jeta të premten në moshën 75-vjeçare.
Gjatë ditës së djeshme të shumtë kanë qenë personazhet publike dhe miqtë që kanë ngushëlluar familjen e të ndjerit.
“Kiço ishte i veçantë për kurajën e tij, për mirësinë e tij. Ishte njeri i kualiteteve, sepse ishte aktiv në disa fusha. Nuk ishte thjesht skenarist i filmit shqiptar, por skenaristi më i mirë i ekranit shqiptar”, tha dje Leka Bungo. Ndërsa për Limoz Dizdarin, ai ishte “shkrimtar, poet, publicist, njohës shumë i mirë i karaktereve dhe shpirtrave njerëzorë. Ishte qytetar i mençur dhe me dashuri të madhe për njerëzit”.
Teksa ne i kujtojmë disa nga batutat e tij më të famshme të filmave që ai shkroi: “Shqipëria të bëhet e mosvarme” (Nëntori i dytë); “Vetëm në Paris blihen lule me para’, ‘këtu lulet i hanë gomerët”(Koncert në vitin 1936), botuesi Petrit Ymeri kujtoi se ai ka qenë një “njeri i angazhuar, këmbëngulës për të vërtetën… Këto janë karakteristika që sot nuk i gjejmë shpesh”.




“Do na mungosh i dashur Kiço, por nuk do të harrojmë kurrë!

Kiço Blushi u nda nga ne të gjithë. Me shumë hidhërim u përballëm me këtë lajm të dhimbshëm për humbjen e një shoku, të një miku, të shkrimtarit dhe publicistit qytetar e pasionant, gjithmonë luftëtar këmbëngulës i të vërtetës. Ky ishte Kiço Blushi për të gjithë, autori i mjaft librave dhe skenarist i shumë filmave të shquar që rritën brezat e rinj të shqiptarëve. Por Kiço ishte edhe shok i gëzuar e dashamir i të gjitha punëve të mira të kulturës, gjithmonë bashkë me ne në rrugën e bukur të librave. Jemi pranë Mirës, Benit dhe Martinit dhe gjithë të dashurve të tjerë, mbesa e nipër, në këtë humbje të madhe”, shkruante dje në faqen e saj zyrtare, shtëpia Botuese “Dituria”.
Ndërkaq, kryeministri Edi Rama në një status në rrjetet sociale tha se ai do të kujtohet gjithnjë me atë gjysmëqeshjen e tij kur hapnim një temë dhe thikën e mprehtë të gjykimeve pa gajle, për këdo e gjithkënd. “Kiço Blushi ishte një ndër ata personazhe të jetës artistike, letrare e shoqërore po ashtu, që dinë të qëndrojnë drejt edhe kur fryjnë erëra të forta përballë, po edhe kur erërat që të çojnë artificialisht përpara të kërrusin sidoqoftë. Sqimatar dhe ironik, Kiçua do të më kujtohet gjithnjë me atë gjysmëqeshjen e tij kur hapnim një temë dhe thikën e mprehtë të gjykimeve pa gajle, për këdo e gjithkënd. I paharruar qoftë kujtimi yt i dashur mik” shkroi kryeministri.
Edhe Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi shprehu ngushëllimet dhe vlerësimet për të. “Kiço Blushi ishte shkrimtari, dhe intelektuali i angazhuar për një Shqipëri më të mirë dhe për të ndryshuar jetët e të gjithëve. Krijimtaria e shkrimtarit dhe artistit Kiço Blushi është shndërruar në pasuri të jetës së brezave të shqiptarëve. Kiço Blushi ishte deputeti dhe kolegu ynë në kohë të vështira dhe i dha fisnikëri Kuvendit të Shqipërisë. Kiço Blushi ishte miku i të gjithëve dhe do na mungojë të gjithëve”,-tha Gramoz Ruçi.

REXHEP QOSJA: NDIKIMI QYTETAR
Me pikëllim të madh e mësova lajmin për ndarjen nga jeta të shkrimtarit, skenaristit, publicistit dhe veprimtarit të shquar kulturor Kiço Blushi. Të gjithë ata që e njohën, të gjithë ata që e takuan, siç pata fatin ta njoh e ta takoj edhe unë, nuk do ta harrojnë kurrë. Me fjalën e tij gjithmonë të ndershme, gjithmonë të qartë e të vendosur, me përkushtimet e tij mendore e ndjenjore ndaj të drejtës e të vërtetës, ai ushtroi ndikim çlirues, përparues, qytetërues, demokratizues në jetën e në krijimtarinë shpirtërore shqiptare. Vepra e tij dhe emri i tij mbesin përgjithmonë në historinë e kulturës së popullit shqiptar.
Familjarëve, miqve e dashamirëve të tij të shumtë u shpreh ngushëllimet e mija më të thella.

MARTIN LEKA: PUNA ME TË
Kiço Blushin e “njoha” kur isha fëmijë. E njoha mbi një çarçaf të bardhë në qendër të fshatit tek projektohej filmi “Beni ecën vetë”.
Më pas të tjerë skenarë filmash e librash, me konturuan Kiço Blushin në dimensionet e një shkrimtari të rëndësishëm në vendin tonë të vogël!
Me ardhjen e gazetës “Koha Jonë” në Tiranë, me Kiçon u bëmë dhe miq! Ishte njeriu tek i cili nuk njihej nocioni “i ri apo i vjetër”! Ne të rinjtë turpëroheshim kur na thërriste si kolegë!
Me këshilla herë si mik, herë si shok e herë si prind, ne gazetarët e rinj mësuam shumë nga përvoja dhe bashkëpunimi me Kiçon!
Ka pafund çaste që duhen kujtuar, por mjaftojnë filmat dhe librat e kohës sonë për t’u përkulur me respekt e mirënjohje ndaj kujtimit të Kiço Blushit, këtij njeriu që la pas gjurmë të rëndësishme!

KUSH ISHTE KIÇO BLUSHI
Kiço Blushi ka lindur në qytetin e Korçës në 23 gusht të vitit 1943. Pas mbarimit të studimeve të larta për letërsi shqipe dhe ruse filloi punën si redaktor pranë Radio Televizionit Shqiptar dhe në vitin 1974 kalon si redaktor në Kinostudion “Shqipëria e Re”.

Skenari i tij i parë ishte ai i filmit “Çifti i lumtur” në vitin 1975 si bashkautor. Me skenarin e filmit “Beni ecën vetë” në vitin 1975 u vlerësua me Çmimin e Republikës së Klasit të III-të. Autor i dhjetëra romaneve, dramave dhe tregimeve, skenarist i rreth 14 filmave, Blushi vazhdonte të ishte një zë kritik në publicistikë me qindra e qindra artikuj dhe analiza kritike të botuara gjatë viteve të fundit në organe të ndryshme të medias. Kiço Blushi do të mbahet mend gjatë jo vetëm si autori e skenaristi i njërit prej librave dhe filmave më të dashur për shqiptarët “Beni ecën vetë”, por edhe për skenarët e filmave të tjerë lapidarë në kinematografinë shqiptare si “Nëntori i dytë”, “Në shtëpinë tonë”, “Koncert në vitin 1936”, “Pylli i lirisë” apo komedia emblemë “Çifti i lumtur”. Pena e Kiço Blushit ka sjellë ndërkohë për lexuesit edhe dhjetëra tituj romanësh, novelash e tregimesh si dhe libra me poezi, si “Çatia e të gjithëve”, “Midis dy njerëzve”, “Pajtoni i fundit”, apo dhe romani i publikuar pak vite më parë “Gjuha e gjakut”. Më 20 shkurt të vitit 1991 thirret nga Presidenti Ramiz Alia që të marrë pjesë në Këshillin Presidencial. Nga viti 1991 deri në vitin 2006 ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë për Partinë Socialiste.
Me dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Publik Shqiptar, u largua nga politika aktive. Shkrimtari mbante postin e kryetarit të bordit drejtues në Qendrën Kombëtare të Kulturës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.