OPINION

Mynihu mes pasigurive planetare

07:45 - 19.02.19 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Më 15-17 shkurt u zhvillua në Mynih Konferenca e 55 Ndërkombëtare e Sigurisë, më e madhja e këtij lloji në botë. Gjatë 10 viteve të fundit atë e drejton ambasadori i mirënjohur gjerman Wolfgang Ischinger.




Në forumin e tanishëm ishin të pranishëm 600 ekspertë, analistë të politikës së jashtme dhe sigurisë, 35 kryetarë shteti/qeverie nga 20 vitin e kaluar, ndërmjet të cilëve Presidenti Ilir Meta dhe rreth 100 ministra të Jashtëm e të Mbrojtjes, deputetë, etj.

Mungonin Presidentët Trump, Macron, Putin, etj. Por SHBA ishte aty me delegacionin më të madh të këtyre 55 viteve të kryesuar nga zv.presidenti Mike Pence, ku kishte dhe kongresmenë/senatorë, përfshirë kryetaren e Kongresit, demokraten Nancy Peloshi, etj. Me praninë dhe mesazhet e tyre, ata dëshmuan se në SHBA ka dhe një alternativë të ndryshme nga ajo e Presidentit Trump që në Kongresin amerikan, por dhe në media e gjetkë nga nëntori i kaluar përbën shumicën.

E rëndësishme për një vlerësim objektiv të rezultateve të saj është fakti se Konferenca e Sigurisë në Mynih nuk është zyrtare, aty nuk merren vendime, porse kjo nuk e zbeh, përkundrazi e thekson më tepër rëndësinë dhe jehonën e saj. Mynihu bavarez me traditat e tij të njohura ofron forumin unikal dhe të pazëndësueshëm sipas motos « Dialog për paqe». Hoteli elitar «Bayerischer Hof» ku i zhvillon tradicionalisht punimet, falë infrastrukturës së tij krejt të veçantë për të tilla raste i ka të gjitha lehtësitë dhe komoditetet për pjesëmarrësit, për takime të qeta, larg zhurmës mediatik; veç seancave plenare dhe 100 sesioneve paralele, ky forum kthehet në platformë aktive për shkëmbim të lirë të ideve, për « të matur pulsin » e partnerëve e të kundërshtarëve ; mbi këtë bazë në Mynih reflektohet, eksplorohen, « kolaudohen » dhe formësohen platformat, strategjitë dhe pozicionet e ardhshme politike në fushën e sigurisë ndërkombëtare. Me fjalë të tjera, Mynihu përbën një « shesh diplomatik pushimi » tejet të përshtatshëm në zemër të Bavarisë, kjo urë emblematike gjermane me botën dhe Ballkanin tonë.

Por, sesioni jubilar i 55-të ishte krejt i veçantë për shkak të një « deti » me kriza dhe vatra konfliktesh, të vjetra, por dhe të reja që kërcënojnë seriozisht paqen dhe sigurinë në botë dhe në Evropë. Jo se më parë nuk ka patur, porse tani bëhet fjalë për rreziqe/kërcënime të një sasie, cilësie, lloji, intensiteti, dendësie, formati dhe gjeografie pakrahasueshmërisht të gjerë: të brendshme dhe të jashtme, ekonomike, financiare, tregtare, politike, ushtarake, bërthamore, kibernetike, zgjedhore, klimatike, mjedisore, dypalëshe, rajonale dhe shumëpalëshe, brenda për brenda dhe ndërmjet shteteve dhe organizatave ndërkombëtare.

Këtë tablo e bën më të zymtë fakti se ndryshe nga deri dy vjet më parë, aktorë dhe faktorë kryesorë madhorë, SHBA-të, BE-ja dhe NATO, nga garantues të sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar po bëhen pjesë e problemeve që lindin nga pasiguritë dhe rreziqet kërcënuese.

Siç doli dhe më qartë në Mynih, SHBA-të, kampionia e paqes dhe sigurisë botërore gjatë vitit të kaluar e intensifikoi tendencën anti-multilateriste; ajo u largua nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut të OKB-së, nga Traktati Gjashtëpalësh mbi Atomin me Iranin, nga Traktati i Armëve Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi me Rusinë dhe ka lëshuar sinjale shqetësuese ndaj OKB-së; ndërkohë, po tensionon më tej marrëdhëniet me aleatët e saj Euro-Atlantikë, duke i detyruar këta të fundit të mendojnë seriozisht dhe të veprojnë sa më shpejt për autonominë e tyre transatlantike. Vërtet që Samiti Trump – Kim Jong Un pati ndikimin e vet në uljen e rrezikut bërthamor koreano-verior në prag të Samitit të II shpresëdhënës; megjithatë, është ende herët të flitet për një detantë të vërtetë ndërmjet tyre në një kohë kur kërcënimi bërthamor i Koresë së Veriut ndaj fqinjit jugor dhe Japonisë mbetet shqetësim serioz.

Ndërkohë, vijon përshkallëzimi i Luftës Tregtare ndërmjet SHBA-së, Kinës e Rusisë por dhe ndaj BE-së dhe Gjermanisë.

Në Evropë, dihen tashmë problemet e mëdha që ka krijuar Brexit dhe në fushën e sigurisë e jo vetëm lidhur me kufirin ndërmjet dy Irlandave, por shumë më gjerë; gati tre vjet pas fitores së tij, Brexit nuk po gjen dot ende daljen nga BE-ja.

Ndërsa kjo e fundit dhe disa vende të mëdha bashkëthemeluese të saj po rrezikohen « nga brenda », si pasojë e rritjes së populizmit, ekstremimit dhe euroskepticizmit. Grupi i katër vendeve të Visegradit që përpara 30 vitesh ishin në pararojë të shembjes së gardheve dhe mureve famëkeq e me vështrim drejt Perëndimit, sot ironikisht po kërkojnë ta ribëjnë BE-në, duke e çliberalizuar atë, dhe siç shprehen vetë ata, që tani të jetë ajo që ta hedhë vështrimin drejt lindjes!

Tejet serioze mbetet gjendja në Irak, Afganistan, Siri dhe Libi, për fat të keq, në vend të përpjekjeve për gjetjen e zgjidhjeve reale e të qëndrueshme në bashkëpunim luajal mes partnerësh, mesa duket po synohet që ato vende të kthehen në fusha beteje të përplasjeve të interesave të fuqive të mëdha. Edhe ISIS, me gjithë disfatën në terren, vazhdon të mbetet rrezik për shumë vende.

Pesë vjet pas aneksimit të Krimesë, duket qartë se ai ishte eksperimentimi i parë i madh shtrirjes së « hard power » nga ana e Rusisë në demarshet e saj për t’u riafirmuar si superfuqi botërore sfiduese ndaj Evropës dhe SHBA-ve.

Në strategjinë e saj të re ushtarake, veç të tjerash dhe për të tërhequr vëmendjen nga ai rajon, Rusia e ka hedhur vëmendjen në Ballkanit Perëndimor me synime madhore të shumëfishta e të njohura tashmë. Shkurt, Rusia synon t’i detyrojë vendet e rajonit, me hir apo me pahir, që të devijojnë nga rrugëtimi i tyre evropian e të pranojë sferën e tij të influencës. Ka gjetur Serbinë një lojtar të vetin efektiv dhe po synon të shfrytëzojë kërkesën legjitime për një Marrëveshje të detyrueshme për zgjidhjen e problemeve me Kosovën; për sa kohë që nuk kuptohet se me përvojën dhe kapacitetet e saj të lakmueshme politike, diplomatike dhe ushtarake, më tepër se zgjidhjen përfundimtare të problemit dhe ca më pak njohjen e Kosovës, Rusia kërkon ta kthejë Kosovën në një precedent të dobishëm për të dhe një « konflikt të ngrirë » për interesat e saj të ardhshme strategjike.

Veç Rusisë, në Ballkan po hyjnë në emra dhe forma ndryshme edhe Kina, Turqia, etj.

Tashmë është bërë më se e qartë se anëtarësimi në BE dhe NATO nuk jep më garanci, ca më pak automatike për siguri, duke zbehur jo pak alternativën më premtuese për paqe e stabilitet të qëndrueshëm në rajonin tonë të trazuar.

Nisur nga këto shqetësime, Ballkani Perëndimor pati vendin e vet në këtë forum, duke filluar nga një kapitull i veçantë në raportin e këtij forumi prestigjioz, ku veç tjerash përmenden rreziqet e lartpërmendura, por dhe vlerësohet marrëveshja historike e Prespës. Gjithsesi, debati i ashpër me referenca të hidhura nga e kaluara e afërt mes presidentëve Thaçi dhe Vuçiç tregoi qartë se sa larg dialogut të vërtetë dhe efektiv janë këto dy vende, pavarësisht nga retorikat bajate dhe mediatike.

Nisur nga ky katalog i tejmbushur me sfida dhe rreziqe sigurie, Forumi i tanishëm, ndryshe nga formati i mëparshëm u karakterizua nga debati hera herës i ashpër, pohimet, deklarime dhe betime të njëanshme sfiduese, tensione ndërmjet aleatëve amerikanë dhe evropianë.

Çështja themelore që u shtrua për diskutim përballë këtyre rreziqeve nga e cila varet dhe fati i gjithë veprimeve të tjera në fushën e sigurisë ndërkombëtare ishte nëse përballë sfidave serioze dhe madhore në këtë fushë, a duhet të qëndrojë secili vend në llogoret e veta, duke vënë interesin e tij të parin e të ndarë, e ca më keq duke mohuar dhe çmontuar organizatat shumëpalëshe që janë baza e rendit botëror? A nuk e bën të domosdoshëm përballimi i këtyre sfidave kohezionin dhe solidaritetin tradicional ndërmjet partnerëve transatlantikë, OKB-së, BE-së, NATO, etj veçse jo duke i dëmtuar e çmontuar por duke i reformuar ato në përputhje me kërkesat e kohës?

Protagonistja e madhe e këtij debati ishte Kancelarja Merkel, e cila mbajti, siç u cilësua nga media ndërkombëtare dhe ekspertët « fjalimin e jetës» plot pathos që u përcoll me ovacione të gjata nga të gjithë pjesëmarrësit. Si lidere dhe mbrojtëse e fuqishme e Evropës, Merkel apeloi qartë « se duhet të luftojmë për Evropën, për multilaterizmin, kundër të gjithë atyre që besojnë se mund të kenë sukses vetëm, jo vetëm të bashkuar mund t’ia dalim » Ajo kërkoi me forcë forcimin e bashkëpunimit shumëpalësh, konsultim dhe dialog me aleatët nga ana e SHBA-ve për çdo vendim që merret dhe jo të faktit të kryer. Ajo shkoi deri aty sa e cilësoi « të tmerrshëm » cilësimin e këtyre ditëve nga Departamenti Amerikan i Tregtisë si « rrezik kombëtar » prodhimin e autvetureave gjermane në SHBA. Ajo rikujtoi se fabrika më e madhe e BMW-ve nuk ndodhet në Bavari, por në Karolinën e Jugut! Pavarësisht nga problematika e regjimit në Iran, Merkel kundërshtoi fort largimin e SHBA-ve nga traktati mbi atomin me atë vend dhe presionin amerikan ndaj Evropës për prishjen e tij, sepse vetëm kështu sipas Merkel, lihet vend për demarshe të mëtejshme, që të shmanget vërtet prodhimi i bombës atomike nga Irani.

Lidhur me kërkesat për financim më të madh ushtarak, Merkel theksoi se NATO është në radhë të parë aleancë vlerash e pastaj ushtarake, duke nënvizuar rolin madhor gjerman dhe evropian në këtë Aleancë.

Duke vlerësuar multilaterizmin, Merkel citoi thënien e senatorit republikan, Lindsey Graham «se multilaterizmi mund të jetë vërtet i ndërlikuar, por ai është i më mirë se sa të mbyllesh në shtëpi »

Përballë Merkel, zv.presidenti amerikan Mike Pence nuk kishte shans për sfidë, përveçse të përsëriste sloganet e njohura të Trump; ndryshe nga Merkel, ai u largua menjëherë nga podiumi, pa bërë komunikimin interktiv me sallën.

Konferenca e Mynihut tregoi qartë ndarjen e pariparueshme të partnerëve tradicionalë perëndimorë dhe prirjen e re tejet shqetësuese që po shfaqet në horizont për përplasjen strategjike të fuqive të mëdha. Siç shprehet Carsten Luther, kolumnisti i «Die Zeit» i pranishëm në Mynih, nëse Evropa nuk do të marrë masat për forcimin e kohezionit të saj politik, ushtarake të sigurisë, shumë shpejt, ajo rrezikon që nga aktore të reduktohet « në objekt dhe objektiv » të këtij ballafaqimi të ri politik, ekonomik dhe ushtarak. Mynihu tregoi bindshëm se SHBA do të ndjekë strategjinë e ballafaqimit me kundërshtarët e vet strategjikë, duke injoruar rreziqet e tjera madhore si klima, ngrohja globale, terrorizmi, etj. Ndërsa Rusia dhe Kina, pavarësisht nga sa thanë në Mynih protagonistët e saj dhe përgjërimet e tyre për të drejtën ndërkombëtare do ta respektojnë multilaterizmin përderisa ky i fundit u shërben ose nuk bie në kundërshtim me interesat e tyre të reja gjeostrategjike.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.