KULTURË

Dirigjenti, ministrit Majko: Anuloni samitin e diasporës

15:34 - 21.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dirigjenti i njohur Bujar Llapaj përmes një letre të hapur i ka kërkuar ministrit të Shtetit për Diasporën të anulojë Samitin e II që do të mbahet në Tiranë. Ai ka dhënë gjashtë arsye pse nuk e pranon ftesën që i është bërë për të ardhur nga Kanadaja, duke e nisur me një falënderim që Majko votoi kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Mes të tjerash, Llapaj thotë se harxhimi i 66 milionë lekëve (të rinj) për këtë aktivitet 3-ditor i duket i tepër dhe jonormal dhe se duhej të dihej se “çfarë është realizuar nga objektivat e përcaktuara nga Samiti I, në qoftë se ka pasur të tilla dhe jo vetëm fotografi me ‘udhëheqësit’ apo çmallje dhe lot mallëngjimi për Mëmëdheun”. Më poshtë letra e plotë e dirigjentit.




LETRA
Bujar Llapaj
Ministrit të Shtetit për Diasporën Z. Pandeli Majko
I nderuar zoti ministër,
Para disa ditësh nga zyra juaj mora një email-ftesë për Samitin II të Diasporës.
Fillimisht desha t’ju falënderoj për ftesën dhe duke pasur një konsideratë të veçantë për ju personalisht si një politikan i papërfolur për korrupsion, si një patriot me zemër, si një zë i pavarur edhe kundër të gjithëve si në rastin e votimit të ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar, do të desha publikisht t’ju shpreh arsyet përse unë refuzoj të marr pjesë në atë samit, shqip: mbledhje apo kuvend të diasporës.
1. Normalisht në Samitin II duhej të bëhej një analizë se çfarë është realizuar nga objektivat e përcaktuara nga Samiti I, në qoftë se ka pasur të tilla dhe jo vetëm fotografi me “udhëheqësit” apo çmallje dhe lot mallëngjimi për mëmëdheun.
2. Edhe pse në Këshillin e Diasporës mund të jenë njerëz vërtetë të shquar në fushën e tyre dhe aktivistë në komunitet, përzgjedhja e tyre nga qeveria e kompromenton qëllimin dhe procesin dhe nuk përputhet me normat demokratike që zbatojnë vetë shoqatat e shqiptarëve në mërgim.
3. Harxhimi i 66 milionë lekë (të reja) nga paratë e taksapaguesve shqiptarë për këtë aktivitet 3-ditor, mua më duket e tepërt, jo normale për një shtet me 1001 probleme ekonomike, ku shumë familje shqiptare vuajnë mungesën e bukës për fëmijët dhe do të ishte cinike dhe kriminale që unë apo shumë të tjerë të vijmë dhe kapardisemi nëpër tribuna dhe ekrane.
4. Është hipokrizi dhe cinizëm të ftosh dhe harxhosh miliona për të marrë “mendjen” e diasporës, kur politika shqiptare në përgjithësi dhe ajo ‘Rilindase” në rastin konkret, nuk kanë nevojë për mendje, por për demagogë dhe servilë. Do ta quaja të sinqertë këtë kur “udhëheqësit” të dëgjonin dhe shfrytëzonin së pari potencialet intelektuale që jetojnë në Shqipëri. Unë nuk do të pranoja të bëhesha pjesë e një maskarade të tillë.
5. Askush nga politikanët shqiptarë nuk mund të marrë rolin e Skënderbeut dhe të imitojë Kuvendin e tij të Lezhës. 6 shekuj përpara Skënderbeu i bashkoi shqiptarët nën një flamur, nën një ideal, kurse stërnipat e tij për gati një shekull kanë sunduar popullin e vet me mënyrat nga më barbaret, e kanë përçarë si kurrë më parë për pushtetin e tyre personal, ca në emër të “antikomunizmit”, të tjerë për “rilindjen”. Në krizën e gjithanshme që gjendet tani Shqipëria pjesëmarrja në këtë samit është thjesht t’i shërbesh si mbështetje “Rilindjes”, jo Shqipërisë.
6. Vetë diaspora, përpara se një samiti, kërkon të bëhet realisht ndikuese dhe kontribuuese në proceset demokratike të Shqipërisë, duke iu siguruar e drejta e votës, themeli i së drejtës qytetare. Kur?
I nderuar zoti Majko, ju drejtohem juve si një figurë politike e pakompromentuar jo vetëm e PS-së: do të ishte në nderin dhe respektin e diasporës dhe tuajin personal që ta anuloni këtë Samit.
Duke gjykuar që “Rilindja” është shndërruar në një sekt politiko-ekonomik që nuk përfaqëson jo vetëm shqiptarët dhe hallet e tyre, por as PS-në, do të doja që e ju, qoftë edhe i vetëm, të mbeteni tek idealistët e Partisë Socialiste!
Me respekt dhe konsideratë të veçantë,
Bujar Llapaj
Vankuver, Kanada


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.