Kryesore

Gjylameti: Vazhdojmë jetën tonë politike, dialog brenda rregullave

14:50 - 25.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryetarja e Partisë Socialiste për kryeqytetin, deputetja, Blerina Gjylameti në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, teksa analizon situatën politike të krijuar pas protestës së opozitës dhe lënies prej saj të mandateve të deputetëve, ashtu si kryeministri Rama, shkaqet i lidh me reformën në drejtësi dhe sondazhet parazgjedhore të mbështetjes që gëzon në popull.




Sipas saj, shqiptarët nuk e meritojnë kurrë një opozitë të tillë, që prish kontratën me popullin për të shtruar në tavolinë kontratën për pushtetin. “Opozita duhet të kthehet në vatrën e saj të reflektimit për të hequr dorë nga djegia e kontratës me popullin, apo interesin e ngushtë me pushtetin dhe për t’u vendosur përballë në mënyrë demokratike. Thelbi i demokracisë ndahet midis votës dhe sovranit”, – shprehet Gjylameti. Pavarësisht këtij akti ekstrem të opozitës, ajo thekson se mazhoranca është e vendosur që ta çojë deri në fund kontratën me qytetarët për të qeverisur deri në fund të këtij mandati. Gjithsesi, ajo thekson se ura e bashkëpunimit dhe dialogut me opozitën mbetet e hapur, por gjithmonë brenda rregullave ligjore, duke përjashtuar kështu dorëheqjen e Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore.

“Presidenti ka dekretuar tashmë datën e zgjedhjeve vendore dhe ne po punojmë me strukturat tona për të ofruar kandidatët më përfaqësues. Nga ana tjetër, ne kemi hapur urën e dialogut për të zgjidhur situatën brenda rregullave të lojës, që i kemi gjetur edhe kur nuk kemi qenë në këto kushte”, – nënvizon Gjylameti. Deputetja socialiste thekson gjithashtu se pavarësisht kësaj situate, opozita do marrë pjesë në zgjedhjet vendore. Nga ana tjetër, duke folur për çështjet e brendshme partiake dhe organizimin elektoral, ajo vlerëson punën e bërë në Tiranë nga Veliaj, por duke theksuar se kandidimi i tij do vendoset pas analizës që do bëhet në strukturat partiake.

“Tirana ka ndryshuar jashtëzakonisht. Këtë e dëgjoj në çdo takim me qytetarët dhe jo vetëm e dëgjoj, por shoh dhe bilancin e krahasimit që ata bëjnë me atë që ishte dhe atë që është. Tirana sot rreshtohet në kryeqytetet me një nivel në rritje të standardit europian dhe kjo falë punës së madhe të ekipit të Bashkisë së Tiranës dhe mbështetjes së qeverisë socialiste. Analiza nga struktura mbi performancën e gjithsecilit nga kryebashkiakët do të përcaktojë dhe kandidaturën e duhur”, – shprehet Gjylameti. Duke folur për ndryshimet në qeveri, ajo thekson se emrat e rinj do të sjellin një energji të re në qeverisjen e vendit. “Unë nuk i shoh jashtë, përkundrazi kontributi i tyre i djeshëm në krye të ministrive dhe pjesë e pandashme e ekipit i dha 74 mandate Partisë Socialiste, e tashmë të dedikuar tërësisht në bazë për t’i dhënë fitoren në 61 bashki të vendit. Përsa u përket ndryshimeve në qeveri, ajo që lexoj unë është pikërisht ajo që tha kryeministri, nevoja për një energji të re përballë sfidave që ne kemi përditë me qytetarët”, – thotë Gjylameti.

Zonja Gjylameti, zhvillimet politike në vend kanë marrë një kthesë të papritur që nga protesta e 16 shkurtit, ku nuk munguan as aktet e dhunës ndaj godinës së institucionit të Kryeministrisë. Pas saj, opozita ndërmori edhe aktin e dorëzimit të mandateve të deputetëve të vet. Keni një koment për këtë situatë?

Mendoj se ky është një akt i paprecedent i ndodhur në historinë e parlamentarizmit në demokracinë shqiptare. Mendoj se demokracia në themel të funksionimit të saj duhet ta ketë opozitën, por shqiptarët nuk e meritojnë kurrë një opozitë të tillë, që prish kontratën me popullin për të shtruar në tavolinë kontratën për pushtetin. Opozita duhet të kthehet në vatrën e saj të reflektimit për të hequr dorë nga djegia e kontratës me popullin apo interesin e ngushtë me pushtetin dhe për t’u vendosur përballë në mënyrë demokratike. Thelbi i demokracisë ndahet midis votës dhe sovranit.

Çfarë do ndodh tashmë më tej, a është e mundur që të qeveriset pa prezencën e opozitës në parlament?

Mendoj se ishte e qartë edhe në deklaratën që kryeministri Rama ka bërë pas aktit të djegies së mandateve nga opozita. Ne jemi një vend që kemi prej 30 vitesh një Kushtetutë që e përvetësojmë edhe më tepër, duke iu referuar paketave juridike të perëndimit. Siç thashë, akti është i paprecedent dhe në një mënyrë apo në një tjetër, komenti i vetëm që unë kam është që ne do të vazhdojmë jetën tonë politike, duke respektuar votën e atyre që na kanë zgjedhur, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të treguar se ne respektojmë institucionet.

Opozita ka parashtruar ndër të tjera si kërkesë të panegociueshme krijimin e një qeverie transitore, për të bërë të mundur zhvillimin e zgjedhjeve lokale dhe atyre të parakohshme parlamentare në të njëjtën kohë. A e përjashtoni ju një marrëveshje tjetër politike mes mazhorancës dhe opozitës për të shtyrë datën e zgjedhjeve lokale dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme?

Presidenti ka dekretuar tashmë datën e zgjedhjeve vendore dhe ne po punojmë me strukturat tona për të ofruar kandidatët më përfaqësues. Nga ana tjetër, ne kemi hapur urën e dialogut për të zgjidhur situatën brenda rregullave të lojës, që i kemi gjetur edhe kur nuk kemi qenë në këto kushte.

Po nëse opozita nuk merr pjesë në zgjedhjet vendore, a do mbahen ato?
Kam bindjen se opozita do të marrë pjesë në zgjedhje.

Cila besoni se është arsyeja e vërtetë e opozitës për këto hapa drastike, sidomos kur jemi para zgjedhjeve vendore?

Natyrshëm më vjen të them se prej kohësh ka një përpjekje koherente nga ana e tyre për të penguar reformën në drejtësi. Nga ana tjetër, mendoj se opozita nëpërmjet sondazheve ka matur edhe humbjen e radhës dhe kjo mbase e ka çuar në këtë vendim ekstrem, me mendimin se kështu mund të prish zgjedhjet apo të fitoj kapital politik. Gjë e cila nuk duket produktive.

Sa e rrezikon kjo situatë marrjen e statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë në muajin qershor?

Mendoj se çdo situatë që nuk u shërben hapave të procesit të integrimit e prish imazhin dhe pengon punën e që deri tani është bërë për reformimin e vendit. Shqipëria ka bërë një nga hapat më të vlerësuara nga institucionet përfaqësuese të BE-së, reformën në drejtësi. Pikërisht këtë hap do të rrezikojë dhe opozita si në qershor dhe jo vetëm. Ne duhet të kuptojmë rrezikun populist të opozitës, që për hir të kapitalit politik kërkon të pengojë integrimin. Megjithatë, ne besojmë se leksioni i përbashkët i shoqërisë sonë për nevojën e progresit nuk do ta marrë seriozisht tentativën e shëmtuar të opozitës. Shqipëria i përket Europës dhe Perëndimit.

Meqë jemi te çështja e zgjedhjeve, kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një tur takimesh në bashki të ndryshme, ku duket se po konfirmon një pjesë të kandidatëve për kryetar bashkie. Ndërkohë që ka një debat nëse duhet të rikandidojnë më ata kryebashkiakë që kanë më shumë se dy mandate. Ju çmendim keni për këtë gjë?

Prej kohësh ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me strukturat dhe me anëtarësinë. Çdo mendim rreth veprimtarisë sonë do të analizohet dhe në çastin e duhur do të ketë një përgjigje. Ajo që ia vlen të theksohet është se Partia Socialiste është kërkuese nga vetja dhe do të bëjë përpjekje të vazhdueshme për të nxjerrë përpara qytetarëve kandidatët më të denjë.

Ndërkohë që ju jeni kryetare e PS-së së Tiranës dhe natyrisht që një nga çështjet që diskutohet më shumë është edhe ajo e kandidaturës së Erion Veliajt. Ju mendoni se Veliaj duhet të rikandidojë për një mandate të dytë?

Unë mendoj se Tirana ka ndryshuar jashtëzakonisht. Këtë e dëgjoj në çdo takim me qytetarët dhe jo vetëm e dëgjoj, por shoh edhe bilancin e krahasimit që ata bëjnë me atë që ishte dhe atë që është. Tirana sot rreshtohet në kryeqytetet me një nivel në rritje të standardit europian dhe kjo falë punës së madhe të ekipit të Bashkisë së Tiranës dhe mbështetjes së qeverisë socialiste. Analiza nga struktura mbi performancën e gjithsecilit nga kryebashkiakët do të përcaktojë dhe kandidaturën e duhur.

Po sa i përket organizimit elektoral të partisë në kryeqytet, si po ecën procesi dhe a ka sondazhe PS-ja se si është mbështetja te qytetarët?

Partia Socialiste nuk ndalon në procesin e saj të organizimit. Ne jemi në çdo kohë në komunikim me strukturat përfaqësuese. Di të them që e gjithë vëmendja jonë është te njerëzit, sepse ka një kërkesë të vazhdueshme nga qytetarët për të qenë pranë tyre. Socialistët gëzojnë mbështetje të qenësishme, e cila në çdo kohë vazhdon e shtohet.

Në krahun tjetër politik, opozita po riorganizohet në një koalicion të gjerë, ku janë përfshirë shumë parti politike, çka duket se e ka bërë të pamundur që në krahun tjetër, PS të krijojë një koalicion të vetin, pasi partitë që kanë mbetur jashtë këtyre organizimeve janë ose shumë pak, ose shumë të vogla. A do krijojë PS një koalicion dhe cilat parti do synohen të përfshihen në të?

Partia Socialiste prej 2017-ës ka një koalicion me qytetarët. Pjesa tjetër i përket punës sonë brenda strukturave, çka do të bëhet e ditur në kohën dhe vendin e duhur.

Zonja Gjylameti, kryeministri Rama pak javë më parë ndryshoi më shumë se gjysmën e kabinetit qeveritar, ku shumë emra që u bënë pjesë e tij ishin thuajse anonim. Si i shihni këto ndryshime dhe a është normale që politikanët e karrierës në PS janë lënë jashtë qeverisë?

Unë nuk i shoh jashtë, përkundrazi kontributi i tyre i djeshëm në krye të ministrive dhe pjesë e pandashme e ekipit i dha 74 mandate Partisë Socialiste, e tashmë të dedikuar tërësisht në bazë për t’i dhënë fitoren në 61 bashki të vendit. Përsa u përket ndryshimeve në qeveri, ajo që lexoj unë është pikërisht ajo që tha kryeministri, nevoja për një energji të re përballë sfidave që ne kemi përditë me qytetarët.

Ju jeni pjesë edhe e grupit të punës për ndryshimet në statut. A është mbledhur ky grup pune dhe ku konstatojnë këto ndryshime?

Jemi në diskutime të vazhdueshme për të përmirësuar vetveten dhe rregullat tona të lojës, të cilat duhet t’i paraqiten kongresit. Angazhimi i çdo pjesëtari të ekipit të Partisë Socialiste në detyrat që i janë ngarkuar është maksimal për të realizuar pritshmërinë jo vetëm të strukturave, por mbi të gjitha të qytetarëve që besuan në programin tonë dhe në aleancën për të bashkëqeverisur.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.