KULTURË

Tani mund të bësh atë që pëlqen

12:34 - 27.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Arian Leka  – Në pranverën e vitin 1940, At Donat Kurti botoi në revistën ‘Hylli i Dritës’ një përrallë, në të cilën tre miq – Musha, Bokshi dhe Tokshi – bëjnë çmos për ta risjellë mikun e tyre sërish në jetë. Detyrë ca e vështirë edhe për vetë Jezu Krishtin, por jo krejt e pamundur, për aq kohë sa njëri prej tyre kishte dhuntinë e rrallë të punimit të eshtnave, tjetri të rikrijimit të korpit dhe i treti që dinte t’i jepte mikut frymë jetësjellëse.
– Të kishte kush me ta dhanë frymën e me t’i luejtë gjymtyrët, unë…




Por, qoftë edhe pa dashur, kujtimet për miqtë priren të marrin trajta nekrologjike, të sentimentalizohen e, pas kësaj, nuk është gjithmonë e lehtë ta mbash patetikën larg. Ndaj, më shumë se sa copëza bisedash dhe pamjesh, më grish formula e tre miqve, që mëtojnë diçka tjetër.
Sjell ndërmend me këtë rast edhe miq të tjerë që, në këto muaj, u përfshinë në një proces të ngjashëm rikrijimi. Duke dhënë nga vetja fjalë, për ta mbajtur kësaj ane një mik të çmuar si Gëzim Qëndro, me siguri që secili prej tyre mund të ketë përsëritur pakashumë të njëjtën formulë e do të kenë provuar të njëjtat ndjesi:
– Të kishte kush me ta dhanë frymën e me t’i luejtë gjymtyrët, unë…
Veçse për ta rikrijuar përmes kujtesës një njeri si Gëzimi, lipset së pari një s?meîon. Nga njëra anë s?meîon-i do bëhej shenjues i gjurmës, që duhet ndjekur për ta kthyer kohën pas dhe për të pikasur zanafillat e tij.
Nga ana tjetër, s?meîon-i duhet të ofrojë edhe sigurinë se djaloshit të dikurshëm dymbëdhjetëvjeçar (atij “me dosje vizatimi në dorë, me ndrojtjen mos bëjë zhurmë, që shëtiste nëpër sallat thuajse gjithmonë bosh” të Galerisë së Vjetër të Tiranës dhe që vështronte nga kangjellat “tempullin e shkrimtarëve” te qoshku i Rrugës së Kavajës) nuk i trazohet magjepsja nga mrekullia e artit, që e shoqëroi gjatë gjithë jetës.
Sot nuk tingëllon dhe aq mistik mendimi se itinerari ngulmues mes Rrugës ‘Fortuzi’ dhe Rrugës së Kavajës, ka qenë përcaktues për udhëtimin që Gëzim Qëndroja do të kryente më pas.

I tendosur si urë midis tekstit dhe artit viziv, rituali i përditshëm drejt Galerisë dhe Lidhjes së Shkrimtarëve duket sikur del prej poezisë së Robert Frost-it, ‘The road not taken’, për të marrë pamjen e atij njeriu, që duhet të zgjedhë. T’u bashkohet turmave që gëlojnë, apo të ecë fill vetëm, duke paguar shpagën për modelin, që një shoqëri si e jona nuk e mirëpret? E shkurtër jeta. I beftë vendimi. Dhe thuajse e pamundur të zbulosh se çfarë mund të ndodhë, nëse merr njërën prej rrugëve dhe lë pas dore rrugën tjetër.
Pikërisht këtu hyn në punë EUREKA. Por a do të ishte kjo, fjala e duhur, që do e sillte të plotë personalitetin e Gëzim Qëndros? Ndoshta jo plotësisht, por ajo mbetet një nga më të gjeturat. Ndaj dhe çdo gjë që ideonte, shkruante apo krijonte, vetëm apo në bashkëpunim me miqtë, ai kishte dashur ta niste me atë fjalë.
Kjo EUREKA e hidhte Gëzim Qëndron si fëmijë të mahnitur në Botë, sa herë që, “duke u gëzuar shumë dhe duke u habitur jo pak”, arrinte t’i avitej së vërtetës të cilën, pakkush para tij, megjithëse mund ta kishte pikasur, nuk kishte mundur ta gjurmonte dhe ta interpretonte me aq thellësi.
Një EUREKA ishte dashur të bëhej themel për veprat Gjuha pamore, Surrealizmi socialist, Arkeologjia e mëngjesit, Kinostudio Shqipëria e Vjetër, por besoj se kishte nisur herët dhe ashtu kishte ndodhur thuajse gjithmonë. Ndoshta që kur revista PamorART dhe ekspozitat Homo Socialisticus, Surrealizmi socialist, Post EVA dhe Nostalgji merrnin formë.

Me po atë ndjenjë zbulese ishin veshur edhe studimet e Gëzim Qëndros mbi krijimtarinë e Edi Hilës, kritika mbi thanatologjinë në skulpturën monumentale të Odise Paskalit, përmasa njerëzore e përditësisë dhe e normalitetit te vepra e Edmond Gjikopullit apo aura kripto-teleologjike në tablotë e Enkelejd Zonjës.
Prej asaj lënde ishte ngjizur edhe monografia mbi krijimtarinë e çmuar të Rexhep Ferrit apo pikasja e realizmit brenda njërës prej pikturave më të hershme të “ikonës romantike” të artit shqiptar, si Çeta e Shahin Matraku, të Spiro Xegës, shtjelluar bindshëm në librin studimor Heronjtë janë të uritur.
Por njerëzve të arteve pamore ndërkohë u mbeten nëpër duar e nëpër gishtërinj s?meîon-e, gjurmë boje apo grima argjile, prej të cilave ngjizen vepra të tjera, po aq të vyera sa ato që përmenden zakonisht. Gjithkush që nxjerr nga biblioteka librat Nga Parahistoria te Mesjeta (2005); Arti: prej zanafillës te Van Gogh (2005); Histori e ilustruar e botës (2006); Pesë fytyrat e modernitetit (2012); Biseda me Kafkën (2012); Problemi i objektit në antropologji (2012); Fuqia e imazheve (2013) apo Arti dhe mjeshtëria e bukurisë (2015), nuk bën gjë tjetër përveçse i jep dorën me mirënjohje dhe nga një tjetër perspektive përkthyesit të shkëlqyer Gëzim Qëndro.
Ars longa. Vita longa.

* * *
A mund të nxjerrim prej miqësisë ato përfitime të paçmueshme, të tilla si njohjet, bisedat dhe bashkëpunimet, pa ditur më parë se ç’është një miqësi dhe pa vlerësuar gjithçka të mirë që vjen prej saj? Sot jam në një mendje me atë që kam mësuar prej Ciceronit te de Amicitia, vite më parë se të njihesha me Gëzim Qëndron, mikun me cilin kam ndarë mendime mbi dijen, kulturën, letërsinë, muzikën, filozofinë antike, filozofët dekonstruktivistë, qytetërimet, semiotikën, artin botëror, antropologjinë, mbi të kaluarën dhe mbi përditshmërinë shqiptare.
Megjithëse me formime të ndryshme, me kohë u kuptua se bashkëbisedimi – peripatetizmi siç e quajnë disa – ishte diçkaja e përbashkët, që duhej ndarë në ecje mes nesh dhe mes miqve të tjerë, pavarësisht se disa prej tyre ishin ende në këtë anë të jetës dhe të tjerë e kishin “tepruar”, duke e kapërcyer kufirin mes botëve.
Nuk dua t’u kundërvihem e, aq më pak, t’i zhgënjej ata që besojnë se miku njihet në udhëtim. Ka qenë një i tillë (i papërsëritshëm, ku së bashku me Gean, Artën dhe Profesor Matteo Mandala, morëm pjesë në Panairin e Librit të Laipzig-ut, siç ka qenë edhe një i dytë në Prishtinë, me rastin e hapjes së ekspozitës së Luan Mulliqit), por nuk dua të ndalem këtu.
Gëzim Qëndron e kam njohur në Tiranë dhe ky topos, me të mirat e me të këqijat e tij prej kryeqyteti normal, që ndërkohë shënonte në rrjedhat e veta jo pak gjurmë urtësie, absurdi e marrëzie, si dhe momente lufte e çaste paqeje, ishte hapësira e ngushtë brenda së cilës ai ndihej i lirë.
Këtu kam pasur rastin të vërej se Gëzim Qëndroja ishte bashkëbisedues i rrallë, një ndër fare të paktët njerëz që, edhe pse e di fort mirë se e zotëron artin e ligjërimit, pëlqente t’i jepte vlerë heshtjes dhe të shndërrohej në dëgjues kureshtar.
Kam dashur të besoj se ajo dhunti ushtrohej për t’i dhënë bisedës hapësirë dhe që dialoguesi të kishte zërin e tij, sa herë që bisedohej mbi riinterpretimin e realizmit socialist në pikturë, letërsi dhe kinematografi, mbi heterotopinë, fenomenologjinë, simulacrum-in, Dasein-in e përvojës, origjinën e humbur të gjendjeve tona, apo kujtesën, që e rikthen qenien te fillimet. Kjo ngaqë për Gëzim Qëndron kultura nuk ishte vetëm një mënyrë jetese, por një vendbanim.
Nga fotot e rralla që kanë mbetur prej kohës së ligjëratave të tij në auditorë, nuk mund të thuhet me saktësi se cilës botë i përkiste më tepër, kur vihej përballë studentëve. Dallohet aty një farë përhumbjeje, si ajo që rri pezull mbi fytyrat e atyre, që sapo kanë dalë prej një planetariumi apo observatori kozmik.
Pamja prej të porsambërrituri nga botët, që e grishnin, e bënte të pashmangshme përshtypjen se ai njeri, me këmbët në tokë dhe me kokën si një shtëllungë reje, sapo ishte kthyer nga visoret e mendimit, ku kishte takuar paraardhësit, farefisin.
Dhe, si të donte ta përligjte se kishte qenë përnjimend Andej ai hidhte mbi bisedë fragmente idesh prej mendjeve të ndritura. Martin Heidegger, Jacques Derrida, Friedrich Nietzsche, Julia Kristeva, Michel Foucault, Platon, Gilles Deleuze, Hannah Arendt, Spinoza, Kierkegaard, Pierre-Félix Guattari, Simone de Beauvoir, Leibniz, Francis Bacon, Bertrant Russell, Svetllana Boym, David Hume, Marcel Proust. Zaha Hadid, Simon Blackburn, Franz Kafka, Ludwig Wittgenstein, Boris Groys, Jean Baudrillard, Immanuel Kant, Don Kishoti me Sançon, Zyloja dhe Demka, Ana Karenina, Hakëlberri Fini, Çiçikovi, Jozef K, Raskolnikov, Doktor Gjilpëra, Henri IV, Xivo Gavo, Shvejku, prej të cilit kujtonte shpesh skenën komike të ushtarëve që u ngjasonin dallëndysheve. Nuk ishte e përveçme që e bënte këtë. E rrallë ishte se e bënte me modesti.
Miqtë, familjarët e afërt dhe sidomos studentët mund ta kenë përgjigjen përse ai pëlqente shoqërinë me të pavdekshmit dhe pse e shihnim të qëndronte gjithmonë më gjatë përballë një pikture, sesa karshi një ekrani të shogët TV-je; pse e ndeshnim më shpesh në bibliotekë, sesa në kafene; përse kohën më të çmuar e kaloi i përulur, si shërbesëtar, mbi libra dhe mbi tekstet e tij, të cilët ishin në të njëjtën kohë edhe tekste për të tjerë.
A thua e kishim kuptuar se një prej dhuntive të tij ishte të qenurit pajtor, ndërmjetësimi mes emrave të ndritur të botës dhe rishtarëve, që sapo kishin trokitur në portat e dijes? Mund të thuhet se mes mundësive të ofruara për të qenë “prezent”, ai kishte zgjedhur më të besueshmen dhe më të vështirën, si të ishte përjashtimi i rregullit të jetës plot zulmë? Kishte dhënë “dorëheqjen” nga banaliteti i të jetuarit përciptësisht, në shkëmbim të një fluturimi drejt njerëzve me të cilët ndihej si në shtëpi?
Megjithëse në censusin e fundit ishte deklaruar agnostik – njeri që, me fjalë të tjera, e pranon, por jo si diktat, misterin e krijimit – mund të hamendësojmë se, në ka pasur ndonjëherë një lutje të gjatë, që Gëzim Qëndroja ia ka drejtuar Krijuesit, ajo mund të ketë qenë e lidhur me çlirimin prej zilisë, zemëratës, pafytyrësisë, të mos lakmojë tjetër pos asaj që ishte e tij, gjetjen e një vendi mbi palët e mes të urtëve dhe përdorimin e dijes si mjet për të na bërë njerëz të mirë.
Shumë për një njeri. Gjithë sa mbetej sillej me një ndjenjë të hollë humori, shpesh vetëqortimi dhe vetëqesëndie, e cila mund të mbyllej me shprehjen “je suis en guerre contre moi-même” apo me argumentin e Pranisë përmes Mungesës.
Gëzim Qëndroja e gjente gjithmonë një EUREKA për ta filluar përmes një zbulimi veprën e tij. Tani, kur mungesa dhe sidomos prania nuk është më pengesë dhe as mundësi, të gjithë ata që njohën kanë rastin të përjetojnë zbulesën – EUREK-ën e tyre – duke rinjohur jo thjesht personin, por personalitetin e tij.
Nuk mund ta di nëse ishte krejt e rastit apo jo, që konceptet prani dhe mungesë zunë aq shumë vend në tekstet dhe ligjëratat e Gëzim Qëndros, sa që sot duket sikur përkufizojnë jo vetëm mënyrën se si ai jetoi, por sikur këshillojnë edhe qasjen ndaj kujtimit dhe trashëgimisë së tij të begatë si krijues, kritik arti, shkrimtar, skenarist, përkthyes, autor filmash vizatimorë, si pedagog, si mik e, mbi të gjitha, si mjeshtër i krijimit të empatisë në mjedise ku fjala ka vlerë dhe në auditorët, ku ai formoi disa breza studentësh – pasardhësit e tij shpirtërorë, të cilët, sikur të trashëgonin pak nga dhuntitë e tre miqve të përrallës, që At Donat Kurti botoi te ‘Hylli i Dritës’, në pranverë të vitit 1940, do i thoshin:
– Tani mund të bësh atë që pëlqen.
(Marrë nga “Poeteka”).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.