AKTUALITET

Krijimi i Kadastrës, Artan Lame: Do të shmangen burokracitë

11:41 - 03.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Projekti nis me Tiranën dhe do të vazhdojë shumë shpejt me Fierin – Qytetarët tashmë do ta kenë më të thjeshtë që të ndjekin procedurat për legalizimet e banesave të tyre. Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, bën me dije se kalimi i shërbimeve pranë ADISA është një hap drejt shkrirjes së institucioneve. Kjo pritet të ndikojë në uljen e burokracive. “Në një farë mënyrë fillojmë atë procesin që do të jetë në vijim i shkrirjes së këtyre shërbimeve dhe institucioneve, për të arritur në fund tek krijimi i Kadastrës si një institucion i vetëm. Këtë projekt me Tiranën do ta vazhdojmë shumë shpejt me Fierin”, – tha Lame për “Ora News”. Sipas drejtorit të ALUIZNI-t, kalimi i shërbimeve në një sportel do të shmang tashmë me dhjetëra mijëra letra korrespondencë midis institucioneve.




“Duket si një gjë e vogël, por bëhet fjalë vetëm midis dy institucioneve ALUIZNI-ZRPP për dhjetëra-mijë letra korrespondencë në vit. Janë rreth 60 mijë letra që venë dhe vijnë midis ALUIZNI-t dhe ZRPP për përgatitjen e dokumentacionit”, – pohoi Lame. Qytetarët që presin një përgjigje për problemin e tyre janë të shumtë. Ibrahim Shkrepi ka ardhur për të dorëzuar dokumentet për legalizimin e apartamentit. Por, ngërçi qëndron në faktin se banorët nuk i kanë bashkuar dosjet. Me hyrjen në fuqi të ligjit për Kadastrën, ALUIZNI dhe hipotekat do të shkrihen në një institucion dhe kjo pritet të ndikojë në përshpejtimin e regjistrimit të pasurive të shqiptarëve. Ndërkohë, pritet që rreth 31 mijë leje legalizimi që janë në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në të gjithë vendin do të kthehen në certifikata pronësie brenda korrikut të këtij viti. Këto leje janë administruar nga hipoteka që nga viti 2012 e në vazhdim, por që nuk janë trajtuar asnjëherë nga Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Lajmin e beri të ditur kryeregjistruesi Valdrin Pjetri pak ditë më parë, i cili deklaroi se pak javë nga krijimi i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, grupimi e institucioneve të pronës nën një institucion të vetëm do sigurojë një shërbim më cilësor e më të shpejtë për qytetarët.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.