Media

Bajram Hallkokondi, oficeri që i shkroi Uillsonit

09:47 - 06.03.19 Iliaz Ismaili

Sot, mbushen 100 vjet nga data 6 mars i vitit 1919, kur oficerët Bajram Hallkokondi dhe Demo Korça, i dorëzuan në Përmet të dërguarit personal të presidentit Uillson, Letrën me kërkesat e shqiptarëve.



Në vitin 1914, Bajram Hallkokondi ishte në luftë me rebelët, të cilët ishin kundër Princ Vidit, e pro Greqisë dhe Serbisë.

Më 24 dhjetor të vitit 1914, trupat italiane pushtuan Vlorën. Admirali italian Patrisi, zbarkoi me 1000 ushtarë detarë në Skelë, të cilët u pasuan me ardhjen e regjimentit të X-të të bersalierëve, nën komandën e kolonel Moskos. Burri i madh e poeti brilant Ali Asllani, i cili atë kohë ishte zëvendësprefekt, shkoi në konsullatën italiane dhe pyeti konsullin:-Pse zbarkojnë ushtarë italianë në Skelë, në një kohë kur këtu mbretëron rregulli dhe qetësia? E konsulli italian iu përgjigj:-“Nuk të takon ty, të pyesësh për këtë, pasi është marrë vesh Roma me Durrësin”(lexo: Esatin).

BËNË DHE SHKRUAN HISTORI…

Familjet e mëdha shqiptare, janë quajtur të tilla, nga bijtë që kanë nxjerrë, nga veprat që ata bënë në shërbim të atdheut. Më së shumti, ato familje nxorën nga një pinjoll, që la emër të pashlyeshëm me shërbesat që bëri për atdheun.

Sa për të ashtuquajturat familje “të mëdha”, ato që morën ofiqet e otomanëve dhe timaret prej tyre, i ka gjykuar dhe do t`i gjykojë historia, sado të jenë në numër shkarravitësit që shkruajnë për to.

Por janë pak, shumë pak familje të mëdha, që nxorën dy apo edhe më shumë bij të lavdishëm, të cilët i shërbyen atdheut me përkushtim patriotik të pa cak, secili në fushën ku shkëlqente.

Njëra nga këto familje, është Familja Hallkokondi e Vlorës, dy bijtë e së cilës-Sali dhe Bajram Hallkokondi, bënë vepra që kohët nuk munden t`i shlyejnë.

Vëllai i madh, Sali Hallkokondi, ishte njëri nga personalitetet më të spikatura të Shqipërisë në gjysmën e parë të shekullit të njëzet. Kryeakademiku i këtij vendi, e kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Prof. Aleks Buda, shkruante:-“Sali Hallkokondi është një intelektual i shquar i vendit tonë”. Kurse profesor Skënder Luarasi, kur Zogu e vrau Sali Hallkon pas shpine në vitin 1936, si shumë të tjerë, do të shkruante: “Po të mos e kishte vrarë Zogu Sali Hallkokondin, Shqipëria do të krenohej me mendjen e tij enciklopedike”… Saliu është autori i së parës Histori të shkruar të Shqipërisë, “Histori e Shqipërisë së Re”, botim i vitit 1923. Ashtu siç është autor i të parit Fjalor Enciklopedik(“Fjalori Gjithfarësh”- e quante ai), por edhe i “Fjalor Kombiar i Kulturës dhe Historisë”, e i shumë veprave të tjera, të cilat u morën e u përdorën nga “doktorët” e ardhshëm të këtij vendi. Të vërtetën lakuriqe për këtë fakt, e tha Prof. Gazmend Shpuza në përurimin e Monografisë me autor prof. Bardhosh Gaçe në datën 10 maj 2005, në sallën e SHQUP-it që patëm:- “Ne historianët shqiptarë, le të mos fshihemi pas gishtit tonë të vogël. Të gjithë e kemi shfrytëzuar veprën e Sali Hallkos. Unë konkretisht, dy gradat e para shkencore, i kam mbrojtur bazuar në punimet e tij”…

Kurse kryetari i Akademisë së Shkencave Prof. Ylli Popa në presidiumin e asaj salle, tha:-“Ju vlonjatët, krenoheni se Sali Hallkokondi ishte vlonjat….Gabim e keni, sepse ai i kishte kapërcyer kufijtë e Vlorës, e të Shqipërisë”

“Zotërues i gjuhëve frënge, greke, perse, turke dhe italiane, ai kishte një zotësi të rrallë arsyetimi për ngjarjet, për zhvillimet politike dhe diplomatike, sidomos në pasqyrimin e gjallë të historisë së popullit shqiptar”(Bardhosh Gaçe, Monografi, fq 92, bot. 2005)…

LUFTOI, POR “NUK SHKROI”, AI QË…

Vëllai i tij më i vogël Bajram Hallkokondi-oficer, përveç përkushtimit të pa fund ndaj çështjes kombëtare si njeri i arsimuar e i kultivuar, ishte pajosur nga natyra edhe me një oratori të pashoqe. Ai bashkë me Avni Rustemin, Jani Mingën, Memo Meten etj, ishin oratorët më të përgatitur që e ngrinin Vlorën në këmbë, për të luftuar kundër pushtuesve.

Bashkëpunëtor dhe luftëtar në krah të Avni Rustemit, Jani Mingës, Thoma Papapano, Kolë Kamësi, Osman Haxhiu, Halim Xhelo, Memo Mete etj. Bajram Hallko ishte njëri ndër personalitetet e spikatura të viteve 1911-1925.

Viti 1915, e gjeti Shqipërinë jo vetëm shesh lufte, por edhe me tre “qeveri-ra shqiptare”; “qeveri” e Shkodrës, “qeveri” e Durrësit(Esati)-Shqipëri e mesme, “qeveri” e Musa Qazimit, si dhe dy “qeveri-ra” të huaja, atë  italiane në Vlorë, dhe gjithë viset e Veriut nën “qeverinë” e Serbisë. Traktati i fshehtë i Londrës, kishte realizuar të gjitha pazaret e bëra mes “aleatëve” dhe Esat Toptanit…

Kurse në marsin e vitit 1916, trupat italiane në Shqipëri numëronin mbi njëqind mijë ushtarë. E në 15 shtator 1916, në zyrat e shtetit “shqiptar”, valonte vetëm flamuri italian, duke e lidhur Vlorën me Leçen, si një provincë të saj…

E në shenjë mirënjohjeje për shërbesat e çmuara, ata e emëruan Esatin, edhe “Princ i Shqipërisë së Mesme”…

Ashtu siç do të emëronin në vitin 1925 kryeministër, e në vitin 1928, edhe… “mbret të shqiptarëve”, vetë nipin e Esatit-Ahmetin, edhe këtë, për shërbesat e çmuara kundrejt tyre.

Si ushtarak i zoti e atdhetar i përkushtuar, ai luftoi në krye të trupave shqiptare, në të gjithë Shqipërinë. Qysh nga zona e Cakranit kundër austriakëve, kundër grekëve në Gjirokastër e Përmet, kundër serbëve deri në vitin 1921, në Dibër, Mirditë dhe në Dukagjin. Ashtu siç ishte në krye të ushtarakëve shqiptarë në Dhjetor të vitit 1924, në betejat e Kërrabës dhe Shkallës së Tujanit kundër sllavëve, që po sillnin Zogun në fronin që u nevojitej atyre…

…I SHKROI LETËR UILLSONIT!

Janë drejtuar shumë letra e nota proteste, nga shumë shqiptarë patriotë e shoqata patriotike drejtuar Konferencës së Paqes në Paris. Ashtu siç edhe nga argatë të regjur të të huajve.

Sepse…“Ishte arritur një dasi ndërshqiptare, ndonëse jo fort e dukshme, ku muhamedanët thirreshin “turq”, ndërsa ortodoksët “grekë” apo “kaurë”. Kjo  ndodhi…“Për shkaqet e njohura, se njëri përpiqej për “babën” e tjetri për “papën”, njëri për din, e tjetri për kryq”(Sali Hallkokondi “Historia e Shqipërisë së Re” bot. viti 1923, fq. 238).

Por vetëm një letër arriti në Amerikë, në zyrën e presidentit.

Sepse…në janar 1919, me porosi të Uillsonit e me urdhër të Departamentit të Shtetit Amerikan, do të mbërrinte në Shqipëri konsulli i SHBA-ve në Torino, Jozeph Haven, “Për të parë gjendjen në vend, e për të hetuar dëshirat e popullit shqiptar”…

Diplomati amerikan përshkoi gjithë vendin, në jug dhe në veri. Por kudo që shkonte, ishte nën mbikëqyrjen e rreptë të trupave italiane, e personalisht të gjeneral Ferreros(Ferrero ishte komandant i truparmatës së XVI italiane të pushtimit në Shqipëri).

Në pamje të parë, dukej sikur italianët kujdeseshin për sigurinë e tij. Në fakt, ishte krejt e kundërta. Ata nuk donin të lejonin komunikimin e tij me shqiptarët.

“E para armë e shenjtë, e para kryengritje kombëtare, është ajo e Përmetit më 6 mars 1919, e cila tronditi aq keq politikën italiane, saqë gjeneral Ferrero mori qortime të rënda nga eprorët e tij në Romë. Delegati amerikan, erdhi në Përmet si në gjithë Shqipërinë, i shoqëruar nga bajonetat italiane, të cilat kujdeseshin të mos kishte veprime patriotike. Nën zë, italianët  thoshin se “shqiptarët janë të egër, e mund të vrisnin delegatin amerikan”. Por më 6 mars dy oficerë shqiptarë, Bajram Hallkokondi dhe Demo Korça përmes bajonetave italiane i dhanë në dorë diplomatit amerikan një letër për Uillsonin. Letra për presidentin amerikan, ishte shkruar në dy gjuhë, anglisht dhe frëngjisht.

Mbasi shkoi në zyrë dhe e lexoi, ai ftoi në zyrë të dy oficerët, me të cilët bisedoi për dy orë rresht, pa praninë e italianëve.

Në letër shkruhej:-“Populli i krahinës së Përmetit, i mbledhur sot në një miting proteste energjik dhe kundër kërkesave imperialiste të Venizellos, bazuar në parimet e proklamuara nga Presidenti i SHBA-ve Uillson, të pranuara prej aleatëve, kërkon ndreqjen e padrejtësive që iu bënë Shqipërisë në Konferencën e Londrës 1912-1913, e cila shkëputi Kosovën në favor të Serbisë dhe Malit të Zi, Çamërinë në favor të Greqisë, ku shqiptarët atje, vazhdojnë të vuajnë të këqijat e njohura. Konferenca e Parisit duhet të korrigjojë gabimet e Londrës, të na kthejë Janinën, Manastirin dhe Kosovën. Të drejtën e nëpërkëmbur nga Konferenca e Londrës e kërkojmë sot, se vetëm ashtu do mund të rrojmë të qetë. Ndryshe s’do të pushojmë së kërkuari, pasi i kemi trashëgim nga stërgjyshërit tanë. Ne e duam Shqipërinë nën mbrojtjen e Amerikës dhe pa protektoratin e Italisë, “etnografike, të lirë e vetqeverimtare”…(Gazeta “Dielli”, Nr. 1484, Boston Mass, datë 28 mars 1919, f.1-2).

Diplomati u premtoi oficerëve, se letra e tyre do t`i shkonte në dorë presidentit amerikan. Dhe letra shkoi në zyrën e tij. Argatët qëllim-këqij(që thonë se ai nuk la gjë të shkruar), le të kërkojnë në Bibliotekën e parlamentit amerikan, se atje e kanë letrën e përpiluar nga Bajram Hallkokondi.

Kuptohet, sa u largua amerikani, të dy oficerët u burgosën. Populli i Përmetit, por edhe xhandarët shqiptarë u ngritën me armë, të fyer nga ky veprim. Shpartalluan burgun dhe i nxorën oficerët. U vranë shtatë ushtarakë nga forcat e pushtuesve italianë. Italia, u trondit nga veprimi i Bajram Hallkos dhe Ferrero tha:-“Nuk e dija se ai ishte kundër nesh”. Populli i Përmetit, qysh atë ditë ngritit këngën: -“S`njoha gjë, më plaçin sytë/ Që kur s`helmova Bajramnë/ Unë e quaj nga të mitë/ Ai bëkej propagandë”…

Ndërsa Esati ato ditë, i shkruante delegacionit italian në Paris që… “Italia të ruajë mandatin e saj mbi Shqipërinë dhe të marrë në dorëzim portin e Vlorës”(Monografia B.Gaçe, fq. 238-239).

E Myfiti i dërgonte telegram Turhan Pashës, që kryesonte delegacionin shqiptar në Paris. Beu i Libohovës i kërkonte atij të jepte miratimin, për të kaluar Shqipërinë e Jugut, “nën garancinë e mbrojtjen e Italisë”(Muin Çami “Lufta e popullit shqiptar për çlirimin kombëtar,1918-1920”(Përmbledhje dokumentesh, Akademia e Shkencave RPSH, Instituti i Historisë 1976, fq.71)…

Familja Hallkokondi, mbeti gur kilometrik i Historisë, sepse kurrë ndër shekuj nuk hëngri bukën e të huajit, kurrë nuk jetoi me rrogat e pushtuesve, e kurrë nuk u vu në shërbim të tyre. Sepse kurrë nuk shfrytëzoi djersën dhe gjënë e të tjerëve, por jetoi me djersën e vet…

Njëri nga pasardhësit e Bajram Hallkokondit(Hazis-në mos gaboj e quajnë), i tha një argati qëllim-keq: -“Po “Guri me Qiell”, për të cilin ju shkruani, çfarë ka lënë të shkruar”?!?

Pra, bijtë e kësaj familjeje, i kryen më së miri detyrat ndaj Atdheut. I shërbyen atij si shumë pak të tjerë, me mendje e me pushkë, kurdo e kudo që e lypi nevoja. Askush nuk mund të thotë se duhej të bënin edhe diçka tjetër. Madje u sulmuan, u burgosën, u vranë pas shpine, u përzunë vetëm për faktin se besonin që Atdheu i tyre(pra i yni) do të mund ecte përpara, në një rrugë tjetër.

Ata e kthyen me jetët dhe veprat e tyre atë familje, në një gur kilometrik të historisë sonë kombëtare…

 

Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

  1. Personalitet ushtark dhe patriot i madh i Shqipëris, qe ka bere histori ne mbrojtje te interesave te vendit, menjehere pas pavaresise deri sa qe gjallë. Krenar per ne vranishiotet qe Bajram Hallkokondi eshte bir i vranishtit. Nder e lavdi ketyre patrioteve te medhenj qe meritojne respekt e vleresim te vecante per meritat e tij te medha ne interes te vendit tone.

    Përgjigju ↓