Homo Albanicus

Pse shqiptari është kaq i dhunshëm?!

18:45 - 08.03.19 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shqiptari nuk bën përjashtim nga qytetari Ballkanas i çdo vendi. Ai ka cilësi fizike të larta që të përballë jetesën e vështirë, ashtu si përqendrim të lartë për t’u orientuar në një shoqëri, që zakonisht nuk ka rregulla loje. Megjithëse, ka kaluar disa sisteme ekonomiko-shoqërore të ndryshme në harkun e pak më shumë se një shekulli, cilësitë e shqiptarit të zakonshëm nuk janë squllur por janë bërë më të mprehta për shkak të situatave kaotike ekonomiko-politiko-shoqërore, por më shumë akoma mungesës totale të një lloj rendi, ku do respektohej vlera më e zakonshme bazike.




Dhe, një nga likuidet e pakta që e mban këtë gjendje mbetet pa asnjë dyshim dhuna. Ajo vërshon në dejet tona, mendjet dhe përbën sjelljet tona të përditmërisë. Në një farë mënyre është akti ynë i vetëmbrojtjes dhe staturës. Për dyshuesin ka një përgjigje nëse do të mëdyshojë: Mjafton të shikojë statistikat e vrasjeve dhe dhunës të femrave në vitet e fundit (femrat janë kategoria më e dhunuar), që sërish janë pak krahasuar me dhunimin e tyre sistematik; dhuna e rrugës; dhuna ndaj fëmijëve; bullizmi etj. Kur i mbledh të gjitha shifrat atëherë të duhet të bësh një apel: Çfarë po ndodh me shoqërinë tonë?

Shoqëria shqiptare ka një përcaktim të paqartë të identitetit të saj: Ne jemi pjesë e një shoqërie patriarkale, e cila në të vërtetë po ta hulumtosh me kujdes ka shenja të dukshme të matriarkatit. Femra është e dhunuar shpesh por është edhe iniciatorë që shoqëria jonë të mbetet në këtë gjendje. Ky dyzim e bën shoqërinë tonë të ashpër por edhe të papërcaktuar në identitetin e saj bazë. Kështu nxjerrja e ndjenjave bëhet shpesh nga prodhimi i një adrenaline, me të cilën lidhet pjesa më bazike e shpirtit.

Po pse nuk mendon individi i thjeshtë shqiptar para se të godasë dhe të shfryjë. Kjo, sepse, duke iu referuar Susan Sontag: Askushi nuk mund të mendojë dhe të godasë në të njëjtën kohë! Shqiptari lind dhe e ka të rrënjosur thellë padrejtësinë, pasi e tillë ka qenë shoqëria me të cilën është përballur, e padrejtë, kurse shteti që e ka menaxhuar vendin e tij gjithnjë hileqar dhe i padrejtë.

Historia na ndihmon më së miri për këtë. Në momentin, kur shqiptarët u duhej të konsolidonin shtetin e tyre të sapoformuar, ata e harxhuan kohë duke nxjerrë dhunën, si shprehje të ruajtjes së identitetit të tyre. Lëvizja e Haxhi Qamilit, vrasjet e pafundme mes Dy Luftërave të Mëdha Botërore, përplasjet në kohën e Fashizmit, urrejtja e mbjellë në komunizëm dhe batërdia e pas viteve ’90, që kulmoi me vitin ’97 dhe ’98 janë disa nga momentet kur individi shqiptar në momentet që i duhej të përqendrohej për të maturuar shtetin, i duhej më parë të nxirrte dufin për të paqtuar shpirtin. Pse? Kohët që duan mendim dhe një lloj vështrimi të vetvetes janë edhe më të vështira, ndaj ne i jemi drejtuar më të thjeshtës: nxjerrjes së dhunës, si shenjë lirimi. Përfundimi: kemi mbetur shumë kohë pas dhe kemi humbur etapa duke i zëvendësuar shëmtuar, diktuar nga përshtatje me rendet ndërkombëtare. Shqiptari ka pasur frikë të përballë të vërtetën e hidhur të shpirtit të vet, sepse ajo kërkon përveçse ndershmërinë e ndjenjës edhe maturinë e shpirtit, ndaj i derdhet dhunës, pasi dhuna nuk përbën asnjë frikë për të. “Ne i frikësohemi dhunës shumë më pak se ndjenjat tona të vërteta. Dhimbja personale, vetanake është tejet më e tmerrshme se ajo që dikush tjetër mund të shkaktojë”, thoshte Xhimi Morison.

***

Shqipëria po mundohet edhe në këtë periudhë të zhvillimit të botës moderne të vendosë disa piketa, që do të përbëjnë të ardhmen e saj. Për shkak të integrimit ndërkombëtar, mund të kemi pak ngushëllim, se dhuna nuk është vetëm shqiptare, të patën ajo me bazë gjinore, e cila nuk ka dallime mes kulturave të ndryshme apo vendeve, pasuria apo shkollimi. Asnjë vend nuk i shpëton dot këtij fenomeni. Por që të qetësohet dhuna duhet të kalojnë shumë faza emancipimi, të cilat mungojnë në shoqërinë tonë, që vuan një gjysmë patria-matriarkati. Shqiptarët duhet të mësojnë veten e tyre se thjesht nuk duhet të jenë të dhunshëm, por në vend të kësaj të mendojnë, e të mendojnë sesi të ndryshojnë vendin e tyre, bashkë me pozicionin e vet në shoqëri. Pa dhunë. Pa eksese. “Unë jam një njeri i dhunshëm që kam mësuar të mos jem i dhunshëm dhe t’i vijë keqardhje për dhunën e tij”, shprehej në kohë të vet John Lennon. Po a do të vijë vallë ndonjë ditë të na vijë keq për dhunën tonë dhe atë që ua shkaktojmë të tjerëve?! Edhe për shumë kohë jo, por kur të na vijë, atëherë vërtetë do kemi ndryshuar. (Homos Albanicus)

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.